Sh.F “25 Maji”- Hasanbeg me objekt të rinovuar
Rikonstruimi i Sh.F “25 Maji”, Hasanbeg. Projekti parashihte dy faza të realizimit. Faza e parë- ndërrimi i kulmit të objektit dhe faza e dytë, rikonsruimi i brendshëm dhe i jashtëm.
ARSYETIM: Nga ish zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, u premtua se do të behet rikonstruimi i shkollave fillore në Hasanbeg të Shkupit, ndër to dhe Sh.F. “25 maji”. Projekti parashihte dy faza të realizimit. Faza e parë- ndërrimi i kulmit të objektit dhe faza e dytë, rikonsruimi i brendshëm dhe i jashtëm. Projekti u premtua që do të realizohej deri në shtatorë të vitit 2013. Deri më tani (11.10.2016), projekti “Rikonstruimi i Sh.F ’25 Maji’, Hasanbeg”, edhe pse me vonesë është realizuar.
Më 28 qershor 2013, kanë nisur punimet ndërtimore për rikonstruimin e objektit të Sh.F “25 Maji”, në Hasanbeg. Fillimisht ishte paraparë të ndërrohet kulmi i shkollës ndërsa më pas do të vijonte faza e dytë që përfshinte rikonstruimin e brendshëm dhe të jashtëm.
“...dokumentacioni është gati. Shkolla fillore “25 maji” ka të bëj për 1500 nxënës, gjithsej ndërrimi këtij kulmi është mbi 3 mijë metra katrorë dhe besoj që brenda kësaj periudhës së pushimeve verore të përfundojë në tërësi. Ne vazhdojmë edhe më tutje, i kemi në dy pjesë investimet që i bëjmë në pjesën e rikonstruimit dhe rehabilitimit“. (burimi: Alsat-M, 28.06.2013)
Përkundër asaj që projekti u premtua që do të përfundohej përgjatë pushimeve verore (qershor-shtator), punimet zgjatën deri atëherë kur më 23 shkurt 2014 nga ish Zv/ministri i Arsimit Safet Neziri, u njoftua se projekti ka kaluar fazën e parë të realizimit, dhe së shpejti pritej përfundimi i punimeve.
“Deri në këtë moment punët që janë kryer janë rregullimi i gjithë kulmit, për momentin po bëhet ndërrimi i gjithë dritareve, dyshemeve, dyerve, ngrohjes dhe nyjeve sanitare. Ne nuk do të ndalemi në këtë pjesë të aktiviteteve tona. Ekipi menaxhues në krye me drejtorin e shkollës janë duke i kryer të gjitha obligimet dhe detyrimet e tyre për të zhvilluar një proces normal edukativo-arsimorë”. (burimi: Alsat-M, 23.02.2014)
Më 3 shtator 2014, përfunduan punimet lidhur me rikonstruimin e kësaj shkolle. Nxënësit e kësaj shkolle tanimë procesin edukativo-arsimor do ta zhvillojnë në kushte më adekuate për mësim. Ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi potencoi se kushtet në këtë shkollë tani janë përmirësuar tërësisht.
“Në këtë shkollë është investuar në dy faza, shuma e përgjithshme është 25 milion denarë, ku është bërë rikonstruimi i përgjithshëm i objektit të shkollës, por edhe i oborrit…Objekti i rinovuar i kësaj shkolle është njëri nga 33 objektet që janë rinovuar tërësisht me mjete nga buxheti i Ministrisë për Arsim dhe Shkencë“. (burimi: RTM2, 03.09.2014)
Edhe pse punët ndërtimore për rinovimin e shkollës “25 Maji”, Hasanbeg tejkaluan afatin e paraparë, sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, mund të përfundojmë që premtimi për rinovimin e Sh.F ’25 maji’, Hasanbeg deri më tani (11.10.2016) është i plotësuar.
BURIME:
- |28.06.2013| Nis rinovimi i shkollës “25 maji” në Hasanbeg (TV Alsat-M, shikuar më 11.10.2016);
- |23.02.2014| Inspektohet rinovimi i SH.F “25 Maji (TV Alsat-M, shikuar më 11.10.2016);
- |03.09.2014| Ministri Ademi e vizitoi shkollën fillore të rinovuar “25 Maji” në lagjen Hasambeg (Ueb faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shikuar më 11.10.2016);
- |03.09.2014| Rikonstruohet sh. f. ”25 Maji” në Hasanbeg (RTM2, shikuar më 28.11.2016);
Vlerësoi: Rabie Abazi
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari