Metodologjia
Vërtetmatësi është shërbim informativ dhe resurs publik, i cili i analizon:
- Vërtetësinë e deklaratave të dhëna në opinion nga ana e funksionarëve të zgjedhur dhe emëruar, por edhe të personave të tjerë publik të cilët kanë ndikim në krijimim e diskursit publik dhe politik;
- programet parazgjedhore të partive politike, me qëllim të kontrollimit të realizimit të tyre në afatin e dhënë ose deri në fund të mandatit të tyre;
nëpërmjet të cilave qytetarët kanë mundësi të arrinë në informata për temat dominante dhe qëndrime në debatin publik për politikat demokrate, si dhe për aktivitetet dhe rezultatet e arritura nga ana e pushtetit lokal dhe qendror.
(KONTROLLI I FAKTEVE) Deklaratat e zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar
Vertetmates.mk me një ekip të ekspertësh të fushave përkatëse, realizon analizën deklaratave të politikanëve, zyrtarëve publikë, vendimmarrësve të tjerë dhe krijuesve të opinionit publik të paraqitura në formë lehtësisht të lexueshme, të agreguara.
Qëllimi kryesor i Vertetmates.mk është të rrisë njohuritë e qytetarëve, mediave, OJQ-ve, si dhe partive politike dhe anëtarëve të tyre, të cilët nëpërmjet kësaj platforme kanë një shans për t’u njohur me një sërë aspektesh të proceseve politike në Maqedoni.
Vlerësime
Deklaratat e politikanëve, zyrtarëve publikë apo vendimmarrësve dhe krijuesve të tjerë të opinionit publik, të dhëna në media apo në ngjarje publike, analizohen sipas të njëjtave kritere dhe brenda afatit të parashikuar në vetë deklaratën, pas së cilës vlerësohen si:
– E pavërtetë: deklarata është e pavërtetë
– Gjysmë e vërtetë: deklarata është e saktë, por mungojnë detaje të rëndësishme ose është nxjerrë nga konteksti
– E vërtetë: deklarata është e vërtetë
– E paqëndrueshme:
-1. deklarata është në kundërshtim me deklaratën paraprake të dhënë për të njëjtën çështje
-a) pa argumente shtesë
-b) pa dhënë informacione të reja relevante që do të çonin në ndryshimin e qëndrimeve, ose
-c) pa dhënë arsyetime tjera.
-2. deklarata është e palogjikshme, dhe
-3. deklarata nuk mund të dëshmohet
Kriteret për përzgjedhjen e deklaratave për kontroll
Kriteret bazë që merren parasysh gjatë zgjedhjes së një deklarate për të verifikuar vërtetësinë e saj janë si më poshtë:
- A ka kontrolli kapacitetin për të hapur debat publik mbi temën në fjalë;
- Cili është pozicioni dhe ndikimi i politikanit, deklarata e të cilit po shqyrtohet;
- Cila është rëndësia e deklaratës për sa i përket ndikimit të saj dhe nëse një numër i madh i qytetarëve deri më tani;
- Sa shpesh kontrollohen deklaratat e një funksionarit konkret;
- Si dhe sa është mbulimi i deklaratës në media (nëse është transmetuar nga një numër i madh mediash, nëse është analizuar më parë nga dikush tjetër dhe nëse analiza ka arritur audiencë të gjerë apo jo);
- Sa mund të kontribuojë Vërtetmatësi me informacione dhe argumente të reja duke kryer kontrollin;
- Deklarata a është përcjellë për publikun nga disa media për t’u analizuar, a ka ngjallur interes dhe a është për temë që ka kapacitetin për të arritur audiencë më të gjerë;
Origjinaliteti i deklaratave
Vërtetmatësi gjithmonë përpiqet të analizojë deklaratat origjinale, gjegjësisht ato që janë të disponueshme në format video, ndërsa në vend të dytë është përdorimi i pohimeve që janë në format audio. Kjo ndihmon për që deklarata që analizohet të jetë e saktë dhe të mos përmbajë gabime eventuale gjatë transkriptimit të tekstit. Nëse deklarata nuk është e disponueshme në format video ose audio, vetëm atëherë përdoren deklaratat e transkriptuara. Deklarata të tilla kontrollohen nga sa më shumë burime të jetë e mundur për të përdorur transkriptimin më të saktë. Vërtetmatësi nganjëherë analizon dhe deklaratat e partive politike të përcjella në komunikatat partiake edhe në formë tekstuale. Në këtë rast, deklaratat e tilla partiake shkarkohen drejtpërdrejt nga faqja e internetit e partisë politike.
Citimi i burimeve
Të gjitha burimet e përdorura në kontroll renditen gjithmonë nën secilën prej analizave tona. Kjo i lejon lexuesit të kuptojnë shpejt burimet e përdorura dhe t’i përdorin ato nëse dëshirojnë të replikojnë kontrollet tona. Përveç citimit të burimeve, është përfshihet data e qasjes në secilin prej këtyre burimeve që lexuesit të dinë se kur ato janë hapur.
Përveç renditjes së burimeve në fund të secilit prej teksteve tona, ne përfshijmë edhe lidhje (link) brenda vetë tekstit, të cilat lexuesit mund t’i hapin gjatë leximit nëse e mendojnë si të nevojshme.
Të gjitha citatet janë shënuar ndryshe nga pjesa tjetër e tekstit, pra me shkronja të zeza, për t’u dalluar menjëherë. Kjo vlen për deklaratat si dhe për dokumentet e cituara. Këto pjesë të kontrollit tonë janë shumë të rëndësishme dhe për këtë arsye synimi ynë është që lexuesit t’i vërejnë lehtësisht.
Në rastet kur burimet dëshirojnë të mbeten anonime, ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë shpjegim sa më të afërt prejardhjes së burimit. Por, në përgjithësi, ne përdorim shumë rrallë burime pa emër dhe burime të tilla nuk janë kurrë të vetmet në analizë. Përveç kësaj, duhet të ketë gjithmonë burime të emërtuara qartë.
Konflikti i interesit
Çdo rast konflikt interesi shprehet qartë në vend, në momentin kur haset.
Mënyra e transmetimit të deklaratave
Deklaratat e analizuara, të marra nga burime të shkruara në analizën e Vërtetmatësit, publikohen në origjinal, pa ndërhyrje në gjuhë, gramatikë dhe kuptim. Pjesa tjetër e artikujve, natyrisht, janë të korrigjuara. Deklaratat publikohen në formën e tyre origjinale, së bashku me të gjitha gabimet dhe specifikat e mundshme që lexuesit të kenë pamje të vërtetë të asaj se si duken, si tingëllojnë, si publikohen dhe çfarë përmbajnë në formën e tyre origjinale.
(Kontrolli i fakteve) Premtime
Premtimet e dhëna në programet parazgjedhore ndahen si etnitete të veçanta, të cilat vendosen në faqen vërtetmatësi.mk/vertetamtes.mk. Për të fituar status të tillë premtimi i partisë politike duhet të përmbajë:
- Qëllime konkrete- rezultate të cilat partia ka për qëllim t’i realizoj pas ardhjes- qëndrimit në pushtet si dhe
- Masa- aktivitetet që do të ndermirën për arritjen e qëllimit
Qëllime konkrete kanë premtimet të cilat mund të konstatohet se cilat rezultate duhet të arrihen dhe kur ky rezultat është arritur. Kjo nënkupton që rezultati pritet të përshkruhet në formë të qartë, precize dhe pa mëdyshje, me parametra të përcaktuar qartë, të ashtu quajtur indikatorë, në bazë të të cilëve mund të matet realizueshmëria e premtimeve. Parametra të saktë janë ato elemente të premtimeve me të cilat hollësisht konfirmohen vetit themelore ( kuantiteti, kualiteti, dhe komponentët plotësues) në qëllimin e përcaktuar të cilat duhet të jenë të kënaqshme që premtimi të vlerësohet si i realizuar. Parametrat këtillë varen nga natyra e premtimit dhe mund të përfshinë:.
- Madhësitë e fillimit dhe mbarimit: nëse premtohet rritje në ndonjë fushë të caktuar- parametra të saktë për shkallët e dëshiruara të rritjes në bazë të situatës aktuale: gjatë premtimeve të fushës financiare, parametrat përfshijnë shuma konkrete- përqindje të mjeteve.
- Në qoftë se premtohen përmirësime kualitative në një fushë të caktuar, parametrat duhet ta shpjegojnë përparimin e premtuar në krahasim me situatën ekzistuese. Nëse ndryshimet e premtuara nuk janë të matshme me numra ( politika dhe strategji më të gjëra), klima shoqërore, kultura, sistemi i vlerave, bashkëpunimi ndërkombëtar) parametrat përfshijnë përshkrime të detajuara të ndryshimeve të pritshme me masa konkrete afatshkurta dhe afatgjate.
- Parametrat institucional- nëse premtimet janë të bazuara në kornizat ligjore duhet të përmbajnë saktë aktet legjislative nga të cilat mund të shihet cilat fusha rregullohen, në çfarë sasie dhe me cilat akte. Në rast të vendosjes së institucioneve, parametrat duhet të tregojnë nivelin dhe kompetencat e tyre.
- Vendosje e mekanizmave për ndjekje dhe kontrolle të indikatorëve për realizimin e premtimeve, nëse kjo tashmë nuk mbulohet në kuadër të mekanizmave ekzistues institucional.
- Parametrat për të caktuar afatin kohor për përmbushjen e premtimeve.
Masa konkrete paraqesin aktivitetet të cilat bartësi i premtimit do t’i ndërmarr me qëllim realizimin e premtimit të dhënë, nëpërmjet parametrave konkret të cilët tregojnë që do të realizohet qëllimi i përcaktuar. Varësisht nga vet qëllimi ato mund të përmbajnë:
- Kornizë e saktë juridike me të cilën do të rregullohet fusha dhe problemi i hasur
- Paraqitje e studimeve- hulumtimeve, strategji, plane me të cilat do të sigurohet rezultati i premtuar
- Prejardhja dhe vlera e mjeteve me të cilat do të sigurohet realizimi i qëllimit të përcaktuar
- Afatet kohore për realizimin e masave të përcaktuara
- Identifikimi i kompetencave ekzistuese apo paralajmërim për institucionet të reja kompetente të cilat do t’i realizojnë aktivitete e përcaktuara.
- Vendosja e mekanizmave për ndjekje të realizimit.
- Aktivitete tjera të cilat duhet të sigurohen për realizimin e premtimit.
Premtimet të cilat janë jo logjike dhe janë të treguara në mënyrë që pamundësojnë kontrollin janë të cilësuara si jo konsekuente.
Çdo premtim i identifikuar merr vlerësim sipas realizueshmërisë: i realizuar, pjesërisht i realizuar, ose i parealizuar:
- I parealizuar: Në qoftë se premtimi i dhënë nuk ka asnjë aktivitet, gjegjësisht asgjë nuk është realizuar deri në afatin e dhënë.
- Pjesërisht i realizuar: Janë bërë disa aktivitete për realizimin e premtimit.
- I realizuar: premtimi është realizuar në tërësi.
- Duke u realizuar: ka filluar të punohet në realizimin e premtimit
- Jo konsekuente: Premtim i palogjikshëm për të cilin nuk ekziston mundësi që të kontrollohet
Analizat dhe vlerësimet e premtimeve publikohen në internet dhe me mundësi ju dorëzohen drejtpërdrejt partive politike. Bartësit e premtimeve, si dhe i gjithë opinioni kanë mundësi në kontroll dhe përgjigje të drejtpërdrejtë për të gjithë analizat, mundësi për të demantuar, kundërshtuar, sugjerime dhe informacione plotësuese dhe argumente në bazë të së cilave mund të bëhet ndryshimi shkallës për premtimin e dhënë, nëpërmjet komenteve në ueb faqe dhe me në forma të ndryshme të komunikimit të drejtpërdrejtë me ekipin analitik.
Kundërspin
Kundërspin (me nëntitullin: “zbulimi i të gjitha spineve”) është një rubrikë e rubrikës “Analiza”. Me këtë analizohen deklarata, grupe deklaratash, por edhe pjesë apo fjalime të tëra të politikanëve dhe personazheve publikë në përgjithësi, të cilat nuk mund të vlerësohen qartë si të vërteta apo të rreme përmes metodologjisë për vlerësimin e vërtetësisë së deklaratave, por kërkojnë një shpjegim dhe shtjellim më të gjerë të për të kuptuar kontekstin dhe për të “zbërthyer” atë që thotë politikani në raste dhe situata si këto (por edhe shumë të tjera):
- përdorimi i vazhdueshëm dhe i shpeshtë i të dhënave të pavërteta dhe abuzimi i tyre latent, gjegjësisht indirekt, i vështirë për t’u zbuluar
- manipulime komplekse të kontekstit
- problemi me pamundësinë për të verifikuar deklaratën dhe për të zbërthyer natyrën e saj spekulative
- fjalë të ndërlikuara dhe të paqarta që janë të lidhura në mënyrë të tillë që nuk nënkuptojnë asgjë, por duket se thonë diçka shumë të rëndësishme
- kontradiktë e brendshme në vetë deklaratën që nuk është e dukshme ose e vështirë për t’u kuptuar në shikim të parë ose ka mungesë të informacionit shtesë
- fjalime të plota që duhen analizuar paragraf për paragrafi, dmth veçmas çdo pjesë për të kuptuar përmbajtjen, e cila, nga ana tjetër, ndryshon nga toni i imponuar
- promovimi i pikëpamjeve ekstreme duke përdorur retorikë “të lartë” (shpesh të paqartë) për t’u treguar, për të dhënë përshtypjen se ato janë legjitime
- promovimi i pikëpamjeve anësore dhe të parëndësishme dhe vendosjen e tyre “në piedestal” si thelbësore, për të errësuar një çështje tjetër shumë më të rëndësishme
- keqpërdorimi i semantikës (kuptimit) të fjalëve duke u dhënë atyre kuptim tjetër të sajuar, por edhe i leksikut të gjuhës maqedonase duke shpikur fjalë
- deklarata dhe fjalime në gjuhë të huaja, por të shqiptuara ose të përkthyera gabimisht
- deklarata të cilat me gjuhë shumë të fshehtë ose “normale” dhe “mendje të shëndoshë”, megjithatë përhapin diskriminim, fyerje apo edhe indirekt gjuhë të urrejtjes
- dhe më e rëndësishmja: deklarata dhe fjalime që përmbajnë, bazohen ose promovojnë spin ose rrotullime të shumta të ndërthurura, të cilat janë të vështira për t’u dalluar si të tilla
- dhe të tjera.
Këta shkrime, për shkak të kompleksitetit të tyre, janë bërë ekskluzivisht nga gazetarë profesionistë me përvojë shumëvjeçare analitike dhe aftësi të dëshmuara për të njohur spinet dhe “zbërthyer” manipulimet komplekse të prodhuara nga spindoktorët partiakë-politikë, siç përdoren nga politikanët. Kjo qasje çon në krijimin e analizave serioze, të cilat i trajtojnë deklaratat e politikanëve nga këndvështrime të ndryshme për t’i ekspozuar ato në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Synimi i tyre është të pastrojnë të gjithë “mjegullën”, paqartësitë, manipulimet, por edhe synimet dhe prapavijën e deklaratave dhe pretendimeve të politikanëve dhe figurave të tjera të rëndësishme publike, të cilat janë pjesë e politikëbërjes dhe diskursit publik.
Nisur nga fakti që vetë rubrika quhet Kundërspin, këto tekste nuk kanë vlerësime të veçanta. Përpunimi i një deklarate, deklaratave, një pjese ose e të gjithë fjalimit brenda kësaj rubrike do të thotë automatikisht se redaksia e Vërtetmatësit konsideron se të paktën kërkon një sqarim serioz, ose thjesht paraqet spin, pra përmban elementë që nënkuptojnë ekzistencën e ndonjë spin-i.
Duke pasur parasysh pamjen e produktit përfundimtar dhe prejardhjen dhe formën e tij të dukshme analitike gazetareske, ato janë të pëlqyera nga mediat, të cilat i shkarkojnë rregullisht për ribotim, dhe kështu arrijnë deri te qytetarët në mënyrën më të gjerë. Përveç kësaj, duke pasur parasysh citatet dhe lidhjet (linket) e shumta të përfshira, OJQ-të përdorin artikuj të tillë në kërkimet dhe projektet e tyre si argument në mbështetje të aktiviteteve të tyre.
(KONTROLLI I FAKTEVE) Bashkëpunimi me rrjetin social Facebook
Duke filluar nga gushti 2020, portali Vërtetmatësi dhe Fondacioni “Metamorfozis”, si botues i tij, vendosën bashkëpunim me rrjetin social Facebook në fushën e verifikimit të fakteve në përmbajtjet e këtij rrjeti social. Më shumë për fillimin e këtij bashkëpunimi mund të mësoni këtu.
Për të zbatuar këtë bashkëpunim, Vërtetmatësi mbështetet në tre shtylla themelore:
Shtylla e parë është përdorimi i metodologjisë profesionale, gjithëpërfshirëse dhe të standardizuar për kontrollin e fakteve në media, e cila përdoret në të gjithë Fondacionin “Metamorfosis” për verifikimin e fakteve, dhe e cila është përdorur më parë në Shërbimin për kontrollin e fakteve (2013-17 ), si dhe në projektin për kontrollin e fakteve në media dhe shkrim-leximi mediatik Crithink – Me mendim kritik te qytetarët me aftësi mediatike (2018-2021). Kjo metodologji është zhvilluar në vitet 2012-13 dhe përditësohet sipas nevojës. Është një dokument që shpjegon dhe sistemon mënyrën e mbledhjes së informacionit, sistemimin dhe përzgjedhjen e tyre, përdorimin e burimeve dhe të gjitha teknikat e tjera gazetareske për gjetjen dhe menaxhimin e informacionit, por të vendosura në kontekst të verifikimit të fakteve të përmbajtjeve të publikuara më parë nga aktorë të ndryshëm në diskursin publik. Rregullat, praktikat dhe teknikat e përcaktuara në këtë metodologji janë gjithëpërfshirëse dhe mund të zbatohen për të gjitha llojet e mediave, por vëmendje e veçantë i kushtohet specifikave të kontrollit të fakteve në përmbajtjet e publikuara në internet. Metodologjia jonë gjithëpërfshirëse e kontrollit të fakteve mund të gjendet këtu.
Shtylla e dytë është Kodi i parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve, i cili ka të bëjë me respektimin e jopartishmërisë dhe sjelljes së drejtë, respektimit të standardeve dhe transparencës së burimeve, respektimit të transparencës së burimeve të financimit dhe organizimit, respektimit të standardeve dhe transparencës së metodologjisë, respektimit të politikës së hapur dhe të sinqertë korrigjuese. Vërtetmatësi është anëtar i kësaj organizate që nga viti 2019 së bashku me 90 organizata të tjera për kontrollin e fakteve në mbarë botën.
Shtylla e tretë, janë detyrimet, kërkesat dhe udhëzimet e dakorduara të partnerit – Facebook, të cilat i referohen segmenteve të ndryshme të kontrollit të fakteve dhe mund të gjenden në rubrikën për ndihmë të rrjetit social. Gjëja më e rëndësishme për të ditur është se redaksia e Vërtetmatësit nuk ka asnjë mundësi për të fshirë ose hequr përmbajtjen nga Facebook në asnjë mënyrë, dhe i vetmi detyrim i rënë dakord me partnerin është të kontrollojë faktet e përmbajtjeve dhe të caktojë një nga pesë vlerësimet e përcaktuara nga Facebook: dezinformim, dezinformim i pjesshëm, mungesë konteksti, satirë dhe përmbajtje e ndryshuar/falsifikuar. Shpjegime më të plota të këtyre vlerësimeve mund të gjenden në dokumentet e rubrikës për ndihmë të Facebook-ut. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të dini se vlerësimet e caktuara nga Vërtetmatësi nuk janë të pandryshueshme dhe mund të tërhiqen nëse përmbajtja e vlerësuar korrigjohet.