Meta fakt: Të rinjtë nga Karposhi nuk kanë mundësi të bëjnë praktikën në kompanitë vendore
Në programin e Jakimovskit, në rubrikën kushtuar të rinjve, propozohen tri projekte, me të cilat përveç hapjes së zyrës për të rinj dhe ndihmës për trajnimin për provimin e vozitjes, premtohet edhe ndihmë për të rinjtë për të punuar në kompanitë vendase si praktikantë
Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, në programin e tij zgjedhor “Aleancë e Fuqishme, “Unë dhe Ju”, premtoi se pushteti lokal do t’i mbështesë banorët e rinj për të fituar përvojë praktike në kompani nga Karposhi. Në programin e Jakimovskit, në rubrikën kushtuar të rinjve, propozohen tri projekte, me të cilat përveç hapjes së zyrës për të rinj dhe ndihmës për trajnim për provimin e patentës së shoferit, premtohet edhe ndihmë për të rinjtë për të punuar n. kompanitë vendase si praktikantë.
Mirëpo, deri në këtë moment nga komuna nuk ka asnjë informacion se kjo masë ka filluar të zbatohet. Komuna e Karposhit nuk iu përgjigj pyetjeve të Meta.mk-së nëse deri më tani ndonjë i ri ka marrë përvojë praktike në këtë mënyrë, e as nëse dhe sa kompani në Karposh e mbështesin masën dhe realisht u japin mundësi të rinjve të fitojnë përvojë me to. Duke qenë se nuk ka informacione të mëtejshme për masën, mund të konstatohet se deri më tani ky premtim nuk është realizuar.
Komuna e Karposhit në pyetjet tona vetëm deklaroi se në vazhdimësi u ofron përkrahje të rinjve karposh në baza të ndryshme.
Nga Karposh bëjnë të ditur se këtë vit vetëqeverisja lokale planifikon hapjen e Qendrës Rinore ku të rinjtë do të informohen me shpejtësi dhe saktësi për të gjitha mundësitë që u ofrohen brenda kufijve të komunës.
“Në këtë qendër rinore do të përgatiten dhe zbatohen programe për përmirësimin e mirëqenies së të rinjve, zhvillimin e jetës personale, sociale dhe profesionale. Në kuadër të kësaj qendre edhe të rinjtë e Karposhit do të kenë mundësi të informohen dhe të aplikojnë për të gjitha vendet e reja të punës të shpallura në territorin e komunës”, thonë nga Komuna e Karposhit.
Ata theksojnë se në këtë Qendër të rinjtë do të mund të marrin ndihmë profesionale gjatë aplikimit për konkurset e publikuara për punë përmes këshillave për krijimin e biografisë personale, përgatitjes profesionale për intervista pune, realizimit të trajnimeve për përmirësimin e aftësive komunikuese, si dhe lloje të tjera të ndihmë me të cilën do të kontribuojë në avancimin e zhvillimit të tyre personal dhe inkurajimin e punësimit të tyre.
Mirëpo, në lidhje me masën konkrete – përkrahja e të rinjve në fitimin e përvojës praktike në kompanitë e Karposhit, aktualisht nuk ka informacione se është duke u zbatuar apo se planifikohet të zbatohet, kështu që mund të konstatojmë se ky premtim nuk është realizuar.
BURIMET:
Programi i punës parazgjedhore i kryetarit të komunës Stevçe Jakimovski (verifikuar më 14.02.2024)
Informata zyrtare nga Zyra e Kryetarit Jakimovski të marra më 26.01.2024
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari