Komuna e Gostivarit me tre çerdhe të reja
Premtim: Ndërtimi i çerdheve të reja në Komunën e Gostivarit
Gostivari ka nevojë më së paku katër çerdhe, dy do të jenë në Gostivar, dhe dy në mjedise rurale. Këto çerdhe do të ndërtohen deri në shtator.
[Burimi: TV Debati në zgjedhjet lokale 2017 “Jeta në Maqedoni” ]
ARSYETIM:
Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, para zgjedhjeve lokale vitin e kaluar (tetor 2017), premtoi se deri në shtator (2018) do të ndërtohen katër çerdhe në Komunën e Gostivarit, dy në qytet, ndërsa dy në mjedis rural. Ky premtim zgjedhor i Taravarit, është pjesërisht i realizuar, deri më tani (09.10.2018) janë ndërtuar tre çerdhe në fshatrat: Forinë, Raven dhe Çegran, përderisa ato në qytet lajmërohen se do të ndërtohen vitin e ardhshëm.
Në fillim të tetorit (2017), dhjetë ditë para zgjedhjeve lokale, duke marr pjesë në debatin e organizuar nga “Portalb”, kryetari Taravari tha:
Gostivari ka nevojë për më së paku katër çerdhe, dy do të jenë në Gostivar, ndërsa dy në mjedise rurale. Këto çerdhe do të ndërtohen deri në shtator.
Informacioni se do të ndërtojnë çerdhe në fshatin Raven dhe Forinë, u publikua me 09.02.2018.
Komuna e Gostivarit mori grant prej 18 mijë eurove për hapjen e dy qendra për zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Me ato do të hapet një paralele për fëmijët prej 3 deri në 4 vite në fshatin Forinë, ndërsa tjetra në fshatin Raven. Sipas memorandumit për bashkëpunim, Komuna e Gostivarit është e detyruar që të participoj me 10 mijë euro euro, mjete të nevojshme që të përmbushen të gjithë kushtet që këto paraleleqë të funksionojnë në mjediset rurale.
Me 09.02.2018 nga Komuna e Gostivarit deklaruan:
Nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë komunës së Gostivarit, njoftojnë se pas ndjekjes së procedurave përkatëse, menjëherë do të kalohet në realizimin e punëve përkatëse dhe Qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror në Forinë dhe Raven të fillojnë të funksionojnë brenda këtij viti. Komuna e Gostivarit do të angazhohet që përmes granteve dhe mjeteve të veta buxhetore, të hapë sa më shumë qendra të këtilla dhe me përkujdesje dhe edukim, të përfshihen edhe fëmijët e moshës parashkollore nga zonat më të thella rurale
Me 20 shtator kryetari i Komunës së Gostivarit publikoi informacion për çerdhe të re në fshatin Çegran:
Realizuar. Prej sot është e gatshme për punë një çerdhe e re për fëmijët në fshatin Çegran.
Me 27 shtator kryetari i Komunës së Gostivarit në profilin e tij në Facebook publikoi se tashmë është ndërtuar çerdhja e re në fshatin Forinë:
Edhe një çerdhe e re për fëmijët në Gostivar, konkretisht në fshatin Forinë, së shpejti do ta lëshojmë në përdorim.
Një informacion të tillë, vetëm për çerdhen e re në fshatin Raven, Taravari në profilin e tij në Facebook publikoi dhe me 1 tetor:
Edhe një çerdhe e re për fëmijtë, tash në fshatin Raven.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Taravari ka publikuar edhe fotografi për çdo çerdhe, ku mund të shihen edhe pajisjet e reja edukative.
Për sa u përket çerdheve të premtuara në qytetin e Gostivarit, sipas informacionit të cilin “Vërtetmatësi” e mori nga Komuna e Gostivarit, konkretisht prej Sektorit për urbanizim, komunikacion, veprimtari komunale dhe mbrojtja e mjedisit jetësor, për ndërtimin e këtyre çerdheve me siguri do të duhet të pritet deri në vitin e ardhshëm. Më saktë, projekti për ndërtimin e çerdhes së re në qytet është gati dhe Komuna negocion me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa çerdhja duhet të ndërtohet vitin e ardhshëm.
Porosinë e njëjtë kryetari i Komunës së Gostivarit e dërgoi edhe përmes rrjetit social, duke ju përgjigjur njërës prej pyetjeve të një qytetareje të interesuar, ai premtoi se çerdhja do të përfundojë në pranverë.Po ashtu, sipas burime komunale, Gostivari ka nevojë edhe për një çerdhe me të cilën do të kënaqeshin nevojat e fëmijëve në qytet, për të cilën, duhet prej fillimi të negociohet.
Për realizimin e plotë të premtimit të Kryetarit Taravari, duhet të pritet deri në ndërtimin e çerdheve të reja në qytet, prandaj duke pasur parasysh gjithë këtë, mund të konstatohet se premtimi zgjedhor i kryetarit Taravari, për ndërtimin e katër çerdheve në Komunën e Gostivarit, dy në qytet dhe dy në mjediset rurale, deri më tani (09.10.2018) është realizuar pjesërisht.
BURIME
- Официјален веб-сајт на Општина Гостивар [Пристапено на 09.10.2018]
- Политичка програма за локалните избори 2017 на градоначалникот на Општина Гостивар, Арбен Таравари “Со знаење и храброст, за Гостивар” [Пристапено на 09.10.2018]
- Tв дебата во локалните избори 2017 “Jeta në Maqedoni” [Пристапено на 09.10.2018]
Vlerësoi: Drilon Saliu
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari