Raportimi i rremë se në një lagje të Pejës ka të infektuar me COVID-19

Shkruan: Vyrtyte Gervalla 

Raportimi i një faqeje në Facebook  për një person të infektuar nga virusi COVID-19 në qytetin e Pejës ka ngjallur panik tek banorët e një lagje në këtë qytet.

Një faqe në rrjetet sociale me emrin “Zëri i Pejës” e cila rriti aktivitetin gjatë kohës së pandemisë COVID 19 ka shpërndarë informacionin se një person i prekur nga virusi jeton në lagjen Karagaq.

Informacioni doli të jetë i pasaktë nga konfirmimet zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë publike dhe drejtoria e shëndetësisë në Pejë.

Këta të fundit në një deklaratë publike treguan se informacioni është i pasaktë.

“Ju njoftojmë se asnjë person nga lagja Karagaq nuk i është nënshtruar testimeve për Covid-19 dhe nga kjo del se ky lajm është i pavërtete dhe i pa bazuar dhe qëllim keq duke krijuar panikë në banorët e kësaj lagjeje” thuhet në reagimin e drejtorisë së shëndetësisë në Pejë.

Raportimi tashmë është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria e Pejës.

Në një përgjigje zëdhënësi i prokurorisë Shkodran Nikçi sqaroj se prokurorial ka nisur hetime për të zbardhur kush qëndron prapa kësaj faqeje dhe shpërndarjes së këtij informacioni. Nikçi ka sqaruar se prokurorial ka lëshuar një autorizim special për policinë për të nisur hetime të menjëhershme.

Pas reagimeve nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Prokuroria vet faqja ka larguar informacionin duke thënë se informacioni ishte i pasaktë ndërsa janë duke verifikuar nëse në një lagje tjetër të Pejës ka persona të infektuar me virusin.

Javëve të fundit në Kosovë  policia ka ngritur një grup hetimor i cili është duke hetuar informacione të rreme të shpërndara në rrjetet sociale.

Tashmë nën hetime janë disa raste kur në rrjetet sociale u publikuan informacione të rrejshme për numrin e të infektuarve e po ashtu për persona që ekspozoheshin si të infektuar a në fakt nuk kishin të bënin me virusin.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy - NED).

Your email address will not be published.