Pesë teoritë më të mëdha konspirative në vitin 2021
Këtë vit në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa teori konspirative. Disa prej tyre, të vjetra dhe tashmë të njohura, këtë herë u përshtatën me pandeminë e koronavirusit, duke sugjeruar se ajo është e rreme dhe e planifikuar për të vendosur një rend të ri botëror në të cilin njerëzit do të mund të kontrollohen përmes çipave të vaksinës. Në këtë frymë në rrjetet sociale me një shpejtësi marramendëse u përhap teoria konspirative sipas të cilës Bill Gates synon të zhdukë popullsinë në mbarë botën me ndihmën e vaksinimit kundër Kovid-19, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Ana Anastasovska
Cilat ishin teoritë më të mëdha konspirative në vendin tonë?
1. „Chemtrails“
E ashtuquajtura „spërkatje“ e popullatës ose „chemtrails“ është një teori konspirative e cila është e vjetër më shumë se dy dekada. Në fakt, fillimet e saj janë në SHBA në vitin 1996, pas publikimit të raportit për modifikime të mundshme të motit nga forcat ushtarake ajrore të SHBA. Ithtarët e kësaj teorie kospirative besojnë në më shumë qëllime të „spërkatjes“. Duke filluar që nga ndikimi psikologjik tek popullata e deri tek ai për depopullimin e rruzullit tokësor. Krahas këtyre teorive konspirative shpesh publikohen edhe foto të bëra gjatë testimeve të ndryshme të avionëve për transportimin e udhëtarëve të cilat kryhen për të përcaktuar balansin e avionëve gjatë ngritjes ose gjatë fluturimit. Kjo teori konspirative u riaktualizua vitin që shkoi por në kontekst të pandemisë me koronavirusin. Ata që e plasuan, e bindnin publikun se me ndihmën e avionëve bëhet një spërkatje nga qielli e cila helmon njerëzit, e pastaj i gënjejnë ata se bëhet fjalë për koronavirusin.
Shenjat e bardha të cilat shihen pas avionëve gjatë fluturimit të tyre në qiell në fakt janë „contrails“ dhe ekziston një shpjegim shkencor se përse ato disa herë qëndrojnë më gjatë ndërsa disa herë zhduken shpejt në horizont.
Gjithashtu për këtë temë “Forbes” publikoi një studim, sipas të cilit një panel prej 76 kimistësh dhe shkencëtarësh nga Universiteti i Irvine, Kaliforni, kanë deklaruar se nuk kanë gjetur kurrëfarë provash që janë krijuar programe për spërkatje me kimikalie në shkallë të gjerë për ta dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe për të ndikuar në atmosferë.
Sipas këtij hulumtimi, shkaku se pse këto shenja bëhen të dukshme është se avionët sot fluturojnë në lartësi më të mëdha nga ç’kanë fluturuar më parë, gjë që shkakton shenja kondenzimi që zgjasin për një kohë më të gjatë. Fakti që këto shenja kryqëzohen është vetëm një dëshmi për frekuencën më të madhe të aviokomunikacionit, pra numrit më të madh të avionëve, që është edhe shkaku kryesor që u duhet të fluturojnë në lartësi më të mëdha.
2. „Çipa në vaksina“
Një nga teoritë më të përhapura konspirative këtë vit ishte ajo sipas të cilës nëpërmjet vaksinave kundër Kovid-19 në trupin e njeriut futen çipa e me ndihmën e të cilëve „satanistët” do mund t’i kontrollojnë njerëzit. Nuk ekziston asnjë fakt shkencor i cili e mbështet këtë teori.
Vaksinat nuk përmbajnë mikroçipa. E gjithë drama me mikroçipat e supozuar nëpërmjet të të cilëve do mund të mbikëqyret popullata, nuk ka lidhje me realitetin. Kjo teori konspirative filloi të përhapet pas idesë së kompanisë amerikane „ApiJect“ për të filluar aplikimin e një „mikroçipi opsional në etiketat e shiringës së vaksinave. Përdorimi i këtij mikroçipi për momentin është dedikuar vetëm për SHBA, ndërsa qëllimi i tij, siç ka konfirmuar për Reuters zëdhënësi i kompanisë, Steve Hofman, është që punonjësit shëndetësor t’i mundësojë verifikim se vaksina dhe shiringa nuk janë me afat të skaduar, se nuk janë falsifikate dhe të konfirmojë se vaksina në shiringë është përdorur.
Punonjësi shëndetësor do të përdorte aplikacion në telefoni e tij celular për ta parë ose për ta evidentuar këtë informacion në sistem. E gjithë kjo do bëhej pa ndërhyrë fare në të dhënat personale të pacientit. Informacionet nga ky aplikacion do u referohen vetëm dozave dhe shiringave të vaksinës, e jo personit të cilit e pranon atë.
Çipi nuk do të mbledhë të dhëna personale ose të dhëna se kush e ka marrë dozën, siç sugjerojnë teoricientët e konspiracionit.
Pretendimi se vaksinat përmbajnë mikroçipe nëpërmjet të cilave do të bëhet kontrollimi i njerëzve është absurd. Ekspertët thonë se nuk ka mundësi që në përmbajtjen e vaksinës të futet material teknologjik. Dr. Wilbur Chen, ekspert i sëmundjeve infektive në Qendrën për zhvillimin e vaksinave dhe shëndetin publik në Universitetin e Maryland, për Polifact deklaroi:
Edhe versioni më i vogël i mikroçipit është tepër i madh për të kaluar përmes gjilpërës së vaksinës. Mikroçipet që zakonisht përdoren për të lokalizuar kafshët shtëpiake janë sa një kokërr orizi. Asnjë nga gjilpërat që përdoren për vaksinim nuk është aq e madhe sa të lejojë që një çip, qoftë edhe sa një kokërr orizi, të futet në trup.
3. „5 G“
Teoria konspirative për rrjetin 5G këtë herë u lidh me mikroçipet inekzistente në vaksina për të përhapur panik se po përgatitej një kontroll mbi popullatën – lëvizjet, veprimet, sjelljet. Ajo shkon një hap më tej se gjoja me çipat njerëzit do të kthehen në skllevër dhe kështu do të kontrollohen mendimet e atyre që janë vaksinuar. Natyrisht, teza të tilla nuk mbështeten me asnjë fakt. Teknologjia 5G në komunikim dhe vaksinimi në kujdesin shëndetësor nuk kanë anjë lidhshmëri.
Kjo teori konspirative një hov të veçantë kur operatori telekomunikues “A1 Maqedonia” më 5 tetor të vitit 2021 vendosi rrjetin 5G në qendër të Shkupit për testim përfundimtar dhe kështu, siç thanë nga atje, është një hap më afër zbatimit komercial të 5G teknologjisë për të gjithë përdoruesit.
4. „Bill Gates dëshiron të bëjë shpopullimin e botës“
Teoria konspirative sipas të cilës Bill Gates dëshiron të bëjë shpopullimin e botës me ndihmën e vaksinave kundër Kovid-19, u përhap me një shpejtësi të madhe nëpër rrjetet sociale.
Si filloi e gjithë kjo?
Në qershor të vitit 2011, një gazetë irlandeze e njohur për publikimin e teorive konspirative „The Sovereign Independent“, publikoi një shkrim kontrovers për Bill Gates. Karakteri manipulativ i artikullit shihet që nga vetë titulli: “Depopullimi përmes vaksinimit të detyruar: zgjidhje për emetime zero të karbonit!”. Madje, disa përdorues të rrjeteve sociale pohuan se artikulli i botuar në këtë gazetë shumë vite më parë është dëshmi se pandemia është e “planifikuar”. Titulli dhe artikulli i botuar në gazetën irlandeze në vitin 2011, është një gënjeshtër. Teksti nuk është dëshmi e një pandemie të planifikuar.
Ai i referohet një teorie konspirative të bazuar në një keqkuptim shumë të thjeshtë. Lidhja midis fjalës “depopullim” dhe Bill Gates, autorit të artikullit, gjendet në disa deklarata të Gates, të cilat adresojnë çështjet rreth shtimit natyror të popullsisë. Gates e sheh rritjen e popullsisë botërore si një problem dhe ai është vërtet i fokusuar në përpjekjet e tij për të ngadalësuar rritjen e popullsisë. Por ai kurrë nuk ka pasur në plan të vrasë apo eliminojë njerëz. Në fakt, Bill Gates zbulon se rritja e popullsisë mund të ngadalësohet nëse njerëzit jetojnë më gjatë.
5. „Rendi i ri botëror“
Në mediat sociale qarkullonte një tjetër teori konspirative sipas të cilës në skenën botërore pas pandemisë do të shfaqej një „rend i ri botëror“ dhe se është përpiluar një „Agjendë e Kombeve të Bashkuara nga 2021 deri në 2030″.
Cilat janë qëllimet e Agjendës 21 të Kombeve të Bashkuara, si dhe qëllimet e Agjendës 2030?
Аgjenda 21 është një nga dokumentet që buroi nga Konferenca e OKB-së për mjedisin jetësor dhe zhvillim që u mbajt në Rio de Zhaneiro. Axhenda përfshin 31 pika që trajtojnë çështjet globale sociale dhe ekonomike, forcimin e rolit të grave, fëmijëve dhe punëtorëve, si dhe metodat e propozuara për zbatim.
Аgjenda për zhvillim 2030, nga ana tjetër, është një rezolutë e miratuar nga OKB-ja në vitin 2015, me fokus në 17 qëllime që duhen arritur për 15 vjet.
Terma të tillë si “monedhë”, “ushtarak”, “njësi familjare”, “5G”, “transport privat”, “transport ajror” dhe “drogë sintetike”, terma të cilët plasohen nga teoricienët e konspiracionit, nuk përmenden në Axhendën 2030. Ka referenca për të drejta të barabarta dhe akses në tokë dhe forma të tjera të pronës për gratë dhe burrat e varfër dhe të vullnerabël, mbulim shëndetësor universal që do të sigurojë vaksina të lira për të gjithë. Por Axhenda 2030 nuk presupozon sovranitet global mbi këto çështje.
Nuk ka asnjë dëshmi që OKB-ja do të krijojë “një qeveri botërore” me një ushtri dhe një monedhë. Daniel Gross, zëdhënëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për USA Today theksoi se ky pretendim është i fabrikuar.
Autorja e një raporti mbi teoritë konspirative në lidhje me Axhendën 21, Heidi Beirichm, për АFP Australia deklaroi se kjo është një teori konspirative djathtiste.
Për më tepër, Axhenda 21 dhe Axhenda 2030 nuk janë ligjërisht të detyrueshme! Axhenda 2030 është subjekt i çdo vendi në veçanti dhe angazhimeve të tij individuale, politikave, programeve dhe zhvillimit të tij individual të zhvillimit.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari