Përkundër premtimeve se do të jetë gati më 2014-tën, puna për Sheshin Skendërbeu në Shkup ka ngecur
Projekti “Sheshi Skënderbeu” parashihet të realizohet në kuadër të territorit të Komunës së Çairit, konkretisht para shtëpisë së mallrave ‘Ilinden”. I gjithë komunikacioni do të jetë nën nivel tokësor, ndërsa hapësira mbi të do të jetë e hapur për qytetarët.
ARSYETIM:
Sheshi Skenderbeu, si pjesë e programit politik të BDI-së u premtua vite me radhë. Së fundi është premtuar nga Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti në programin e tij politik në zgjedhjet lokale të vitit 2013 si dhe në Platformën zgjedhore të BDI-së, Zgjedhjet 2014 (faqe 297/3). Si afat për realizimin e projektit u caktua viti 2014, mirëpo pasi që gjatë këtij viti u përfundua vetëm faza e parë e projektit, si afat i fundit për realizim u dha viti 2015. Deri më tani (10.10.2016) ky projekt është i parealizuar.
Debatet publike në lidhje me sheshin ‘Skënderbeu’ kane filluar që në vitin 2010. Kryetari i Komunës së Çairit kishte paralajmëruar se ky projekt ka të bëjë me zhvillimin e Çarshisë, re-vitalizimin dhe krijimin e hapësirës së lirë. (Zëri i Amerikës, 04.10. 2010)
Më vonë, në fillim të vitit 2011, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se punimet për ndërtimin e sheshit Skenderbeu do të fillojnë sapo të përfundojnë punët administrative.
“Jemi në përfundim të projekteve kryesore realizuese, dhe me atë do të jetë i qartë edhe konstruksioni financiar dhe mendojmë se shumë shpejt duhet të fillojnë punimet”. (burimi: Albeu, 01.04.2011)
Më 28.10.2011 u nënshkrua Marrëveshja për kryerjen e punëve ndërtimore në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mezhiti, njoftoi se projekti për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” në Shkup do të ketë një kosto prej 10 milionë eurosh, dhe mjete shtesë të paplanifikuara.
“Për realizimin e saj janë ndarë mjete të mjaftueshme financiare nga buxheti në vlerë prej 2.5 milion euro. Ditët në vijim kjo hapësirë do të shndërrohet në punishte ndërtuese kurse ne do të vazhdojmë me përkushtim dhe vullnet të madh në drejtim të realizimit final të këtij projekti“. (burimi: LajmetShqip, 28.10.2011)
Faza e parë do të kushtonte 2.8 milionë euro dhe përfshinte rekonstruksionin e dyqaneve në afërsi të përmendores së Heroit Kombëtar, pasi mbi të njëjtat do të ndërtohej një platformë e gjerë, e cila përfundon me shkallë pranë përmendores. Në fazën e dytë parashihej mbulimi i rrugës para urës hyrëse në Çarshi, dhe faza e tretë parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Gurthemeli i fillimit të punimeve u hodh më 18.01.2012. ( AlbInfo.ch, 18.01.2012)
Në mars të vitit 2013 përfundoi faza e parë e projektit për sheshin Skenderbeu, Shkup.
“ Sa i përket fillimit të punimeve të fazës së dyte jemi në procedurë të kompletimit të dokumentacionit të duhur, të marrim leje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL), pastaj të hapet tenderi për zgjedhjen e ofertuesit më të mirë, dhe të vazhdohet me punime“. (burimi: FRI, 19.03.2016)
Më 02.02.2014, Komuna e Çairit ka marrë të gjitha pëlqimet e nevojshme ligjore për vazhdimin e projektit për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu”. Në vijim ishe përpilimi i projektet final dhe të sigurohej leja e ndërtimit. (burimi: TV Alsat-M, 02.02.2014)
Më 30.07.2014, Qeveria e R.M-së miratoi planin për fazën e dytë të sheshit “Skënderbe”, ndahet fondi prej 11 milionë eurosh. Sipas planit të miratuar, projekti do të financohej përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, kurse puna rreth ndërtimit do të menaxhohej nga Komuna e Çairit. (burimi: Aktuale.mk, 31.07.2014)
Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Çairit premtoi që fillimi i punëve për fazën e dytë do të jetë muaji nëntor 2o14, por pa caktuar ndonjë afat për përfundimin e tyre.
“Kjo fazë nënkupton fazën kur Sheshi Skënderbeu del prej komunës së Çairit në Komunën Qendër, arrin deri tek Filarmonia, Tetari Kombëtar Maqedonas dhe Hamami i Daut Pashës. Çmimi projektues i fazës së dytë është mbi 10 milion euro që sigurohet nga Qeveria dhe diku në muajin nëntor edhe të fillon realizimi i fazës së dytë. (burimi: Alsat-M, 30.07.2016)
Më 25.11.2014 nga Komuna e Çairit u prezantua plani ideor se si duhet të dukej sheshi Skenderbeu pas finalizimit të fazës së dytë.
Punimet për fazën e dytë ishin paralajmëruar të fillojnë në fillim të muajit nëntor, kjo gjë nuk ndodhi.
Vonesa në fillimin e fazës së dytë u shpjegua me nevojën për të marrë lejen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo pasi faza e dytë përfshin edhe ndërtimin e urës mbi bulevardin “Goce Dellçev”. (Tetova sot, 12.01.2015)
Më 13.04.2015 nga Televizioni Alsat-M, u njoftua se faza e dyte, nuk parashikon realizimin e dytë të projektit, pasi që nuk ngjan me planin që ishte prezantuar me herët (rruga që shpie drejtë Qeverisë duhej të ishte nëntokësore, përreth hamamit të “Daut Pashës”, të kishte dhe pushimore dhe objekti i USHT-së të rinovohet).
Megjithatë, asnjëra nga këto nuk u bënë sipas planit, veçanërisht objekti i USHT-së, i cili u largua tërësisht.
“Është normale gjatë projektimit ideorë që të pëson ndryshime. Sidomos, te kjo pjesë e qytetit që është shumë e ngarkuar. Tani pjesë e fazës së dytë është mozaiku, që do të jetë shenjë identifikuese për qytetin e Shkupit… “. (Izet Mexhiti, burimi: Alsat-M, 13.04.2015)
Deri në muajin maj 2015, punimet janë zhvilluar sipas dinamikës së duhur. Po ndërtoheshin shtyllat mbajtëse, në të cilët do të ndërtohej platforma që do ta mbulojnë Bulevardin “Goce Dellçev” nga ana e Operës dhe Baletit të Maqedonisë.
“Sipas dinamikës së paraparë presim që punët ndërtimore të shtyllave mbajtëse të përfundojnë në afatin e parashikuar për tre muaj. Menjëherë vijon faza e shtyllave të mesme mbajtëse të hapësirës së sheshit, më saktë pjesës që do ta mbulojë bulevardin e cila përfshin 8 mijë metër katrorë”. (burimi: Bota Sot, 02.05.2015)
Punimet vazhduan deri në fund të vitit 2015, atëherë kur duhej të shpallej dhe thirrja e tretë publike për zgjedhjen e mozaikut përfundimtarë. (burimi: Aktuale.mk, 02.11.2015)
Faza e dytë e punime nuk arriti të përfundohej as në fillim të vitit 2016.
Nga Televizioni Alsat-M, u njoftua që punët po zhvillohen me tempo shumë të ngadalësuar.
“Te sheshi Skenderbeu punohet sipas dinamikës së projektit. Për momentin po bëhet përgatitja e betonimit. Më ngadalë shkon për shkak se komunikacioni është i dendur…besoj që deri në fund të muajit nëntor do të përfundojnë punimet” thanë nga Komuna e Çairit. (burimi: Alsat-M, 30.04.2016)
Së fundmi edhe nga Televizioni Shenja, njoftuan se punimet po vazhdohen me tempo të ngadalësuar dhe kjo ka shkaktuar një kaos në trafik. (burimi: Tv Shenja, 30.07.2016)
Sheshi ishte paraparë që të ndërtohet në tri faza, me një kosto të përgjithshme prej afro 10 milionë eurove. Faza e parë u përfundua që në 2013, me të cilën u bë rikonstruktimi i dyqaneve në afërsi të përmendores së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Në fazën e dytë parashihej mbulimi i rrugës para urës hyrëse në Çarshi, dhe faza e tretë parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor. Mirëpo, që atëherë projekti ende është në fazën e dytë.
Stërzgjatja e punimeve, ndryshime ne planin fillestarë, pengesat administrative, shkurtimet buxhetore kanë penguar projektin për ndërtimin e Sheshit Skënderbeu në Shkup, përfundimi i të cilit duket ende i largët. Sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, mundë të përfundojmë që projekti për ndërtimin e sheshit Skenderbeu, është i pa realizuar.
BURIME:
- Platforma politike e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zgjedhjet 2014;
- |04.08.201o| Shkupi dhe projekti Skënderbeu (Zëri i Amerikës, shikuar më 10.10.2016);
- |01/04/2011| Së shpejti fillojnë punimet për sheshin “Skënderbeu” (Albeu, shikuar më 10.10.2016);
- |28.10.2011| Nënshkruhet Marrëveshja për kryerjen e punëve ndërtimore në sheshin “Skënderbeu” në Shkup (LajmeShqip, shikuar më 10.10.2016);
- |18.01.2012| Vihet gurthemeli i Sheshit “Skënderbeu” në Shkup (AlbInfo.ch, shikuar më 10.10.2016);
- |19.03.2013| Përfundon faza e parë e Sheshit Skënderbeu, për të dytën presin leje (FRI, shikuar më 10.10.2016);
- |30.07.2014| Do të fillojë faza e dytë e sheshit “Skënderbeu” (Alsat-M, shikuar më 10.10.2016);
- |12.01.2015| Filloi faza e dytë e ndërtimit të sheshit “Skënderbeu” në Shkup (TetovaSot, shikuar më 11.10.2016);
- |30.04.2016| “Sheshi Skënderbeu”, zvarriten punimet (Alsat-M, shikuar më 11.10.2016);
Vlerësoi: Rabie Abazi
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari