Dilemat në deklarime rreth marrëveshjes sekrete Kosovë-Serbi

 

Diskursi publik në Kosovë vazhdon të jetë  i mbushur me informacione për ekzistimin e një draft marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse deri tani askush nuk ka publikuar një dokument për këtë çështje deklaratat se ekziston marrëveshja nuk kanë munguar madje edhe nga përfaqësues të lartë.

Ekzistimi i këtij dokumenti është mohuar nga përfaqësuesit e lartë të ShBA-së dhe Kosovës mirëpo diskursi i nisur javë më parë ende po vazhdon.

Interesimi i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të përfundonte me njohje reciproke ka sjellë shumë mjegull në atë se çfarë marrëveshje mund të prodhoj ky dialog.

Derisa Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi një rezolutë që e obligon vetëm kryeministrin të udhëheq dialogun, presidenti i vendit po vazhdon të jetë adresa e zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

Presidenti Hashim Thaçi viteve të fundit ka zhvilluar disa takime me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por që asnjë prej këtyre takimeve nuk është zbardhë në detaje.

Shumë zyrtarë politik në Kosovë kanë shfaqur hapur dyshimet se presidenti është duke negociuar për shkëmbim të territoreve me presidentin serb.

Derisa Thaçi e ka përsëritur në vazhdimësi se është për korrigjim të kufijve me Serbinë, por pa specifikuar asnjëherë saktë se çka nënkupton korrigjimi.

Dyshimeve të zyrtarëve politik në Kosovë i kanë dhënë mbështetje me argumente të njëjta edhe zyrtarë e diplomatë të huaj.

Vet kryeministri Kurti, para disa javës, në Kuvendin e Kosovës u shprehë se ka një ide mes Thaçit dhe Vuçiqit për një marrëveshje, ku do të përfshihej edhe ai si kryeministër.

Njohës të politikës amerikane karshi vendeve të Ballkanit, duke u thirrur në burime të tyre brenda Shtëpisë së Bardhë kanë deklaruar se në takimin e fundit në Uashington mes presidentëve dhe njerëzve të afërt të presidentit Trump është diskutuar ndarja e Kosovës.

KALLXO.com ka mbledhur deklaratat e njerëzve të përfshirë në këto diskutime në lidhje me epilogun e dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti, në fillim të këtij muaji, në një seancë të Kuvendit deklaroi se ka pasur një ide që të ketë një marrëveshje për shkëmbime territoriale mes Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiqit, ku do të të ishte pjesë edhe veti ai.

“E di që ka pasur një ide se do të mund të bëhet midis presidentëve edhe me mua si kryeministër një marrëveshje për shkëmbim territorial. Unë, këtu para jush deklaroj, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës nuk ka autorizim për marrëveshje me Serbinë dhe së dyti nuk ka fuqi implementuese për çfarëdo marrëveshje që mund ta imagjinoj ai. Kjo nuk do të ndodhë”, kishte thënë Kurti më 2 mars në Kuvendin e Kosovës.

Pak ditë më vonë se Kurti, deklaratë kishte dhënë edhe profesori amerikan Edward Joseph, që deklaronte se në Uashington ishte diskutuar për ndarjen e Kosovës.

Deklarata e profesorit Joseph kishte ngritur reagime në Kosovë e Amerikë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka reaguar profesorit amerikan Edward Joseph, i cili ka thënë se në Uashington është diskutuar ndarja e Kosovës. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Të dy këta i kanë cilësuar deklaratat lajme të rreme.

“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë mund të krijojnë me lehtësi planet e tyre trilluese (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi) dhe t’ua atribuojnë atyre që po përpiqen të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk e ndihmojnë procesin”, ka shkruar Thaçi më 7 mars të këtij viti.

Ndërsa ambasadori amerikan në Berlin, i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë Serbi, Richard Grenell e kishte quajtur lajm të rremë.

“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në praninë time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, kishte qenë reagimi i ambasadorit Richard Grenell në Facebook.

Ndërsa që mund të ketë një marrëveshje sekrete mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë e ka thënë në emisionin Jeta në Kosovë edhe ish këshilltari i Hashim Thaçit, Daniel Serwer.

Ai në intervistë me skype ka deklaruar se ka ekzistojnë diskutime se ka një marrëveshje për shkëmbime territoriale.

“Ajo çka ne dimë është prej njerëzve në Prishtinë dhe në Beograd, dhe kjo duket si një marrëveshje për shkëmbim territoresh, si një marrëveshje që nuk do të sjellë anëtarësimin në OKB dhe që do t’i ofronte Asociacionit të Komunave Serbe më shumë se ajo që ka thanë Gjykata Kushtetuese që është e lejueshme. Pra, në aspekt të asaj se sa afër janë palët për arritjen e marrëveshjes është ende e dyshimtë, por Shaun dhe unë kemi menduar që ka mjaftueshëm tym prandaj kemi vendosur që është më mirë që zjarri të fiket më herët se sa më vonë”, kishte thënë Daniel Serëer javën e kaluar në emisionin Jeta në Kosovë.

Një nga më të zëshmit kundër idesë së shkëmbimit të territoreve ka qenë edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Në një intervistë dhënë për Top Channel në Shqipëri, Haradinaj kishte deklaruar se ka pasur një projekt për ndarjen e Kosovës, por duke mos dhënë detaje të tjera.

“Kur e kam parë ku mundet me më ardhur vija e ndarjes, jam detyru me ba. Ky projekti i korrigjimit e di ku ka pasë më pru vijën e ndarjes. Ka ekzistu ai projekt. Ka pasë edhe harta”, kishte thënë Haradinaj në fillim të këtij viti në një intervistë për Top Channel.

Dilemat nëse ka një draft marrëveshje të tillë vazhdojnë në kursin politik pa pasur një përgjigje të qartë nëse deklaratat janë të vërteta apo jo.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy - NED).