Ende nuk është pastruar deponia e egër në fshatin Gllogjë

Përveç mbeturinave prej përmbytjeve në mini deponinë e fshatit janë hedhur edhe materiale të tjera të forta. Foto: Vërtetmatësi.

 

Premtim: Pastrimi i deponisë së egër në fshatin Gllogjë 

Afati: Tre muajt e partë të mandatit të ri të kryetarit të Komunës së Tearcës

[Burimi: TV 21 – debati parazgjedhor; Data: 06.10.2017]

ARSYETIM:

Në debatin parazgjedhor (tetor 2017) kandidati i atëhershëm i BDI-së, ndërsa sot kryetar i Komunës së Tearcës, Isen Asani, deklaroi se do të pastrohet deponia në fshatin Gllogjë në 3 muajt e parë të mandatit të tij. Deri më tani (14.02.2018), kaluan 100 ditë të mandatit të ri të Asanit si kryetar komune shw ky premtim është i parealizuar. 

Në vendin e quajtur Paravishte në mes fshatrave Gllogjë dhe Doborsht, në fund të verës së vitit 2015 janë sjell mbeturat e përmbytjeve në fshatin Poroj, si zgjidhje alternative për pastrimin e lumit në fshatin Poroj dhe përmbytjeve në fshatin Xhepisht. Që atëherë, qeveritë lokale në Tearcë thanë se di të respektojnë oborrin e mes dy fshatrave, Gllogjë dhe Dobrosht, për pastrimin e kësaj deponie dhe vendosjen e këtij vendi në funksion të dy fshatrave.

Në debatin parazgjedhor të realizuar në zgjedhjet e fundit lokale kryetari i komunës Asani deklaroi:

Në deponinë në vendin e quajtur Paravishte, ka materiale të hedhura prej përmbytjeve në Poroj, kemi marrëveshje me Ministrinë e Ekologjisë që kjo deponi të pastrohet dhe të nivelizohet, dhe për këtë kemi garanc nga ana e Ministrisë dhe do të ndodh në tre muaj e pare. 

Ndërsa disa muaj pas zgjedhjeve, me 22.12.2017, për mediumet deklaroi:

Ne jemi drejtuar me kërkesë Qeverisë dhe Ministrisë së Ekologjisë dhe kemi marrë përgjigje se me këtë çështje do të merret Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim dhe ne kemi kërkuar që të ndahen 10 tonë naftë, sepse si komunë nuk kemi kapacitet që të bëjnë nivelizimin e deponisë. Nëse nuk kemi përgjigje, atëherë do të mundohemi që me kompanitë tonë të bëjmë diçka dhe kjo do të jetë në koordinim me bashkësitë lokale

Për deponinë e egër në fshatin Gllogjë, i pyetur nga mediumet, u sqarua edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Sehejl Fazliu i cili tha:

Mund të ju them për deponinë se tashmë diskutohet në nivel qendror, kur qeveria qendrore zotohet se do të gjej zgjidhje të përhershme për deponitë në nivel nacional. Ne mendojmë se së pari duhet të analizohet nëse rajonet kanë kapacitet që të gjejnë zgjidhje ose kjo do të kalojë nën kompetencat e qeverisë qendrore, që përfundimisht të gjendet zgjidhja. 

Pas verifikimit në vendin e ngjarjes, mund të konstatohet se kjo pjesë e fshatit akoma nuk është pastruar, ndërsa në të ka edhe mbetje shtesë jo vetëm të mbeturinave prej përmbytjeve në fshatin Poroj, por edhe materiale ndërtuese të hedhura në këtë vend.

Duke pasur gjithë këtë parasysh, premtimi se në tre muajt e parë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekologjisë, do të pastrohet deponia e egër në fshatin Gllogjë,  e vlerësojmë si të parealizuar. 

BURIME:

 

Vlerësoi: Drilon Saliu

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.