Recension: Si t’i njihni ata që janë varur nga narkotikët
Problem kryesor i artikullit është se i gjeneralizon simptomet që lidhen me shfrytëzuesit e drogave dhe njëkohësisht bën stigmatizimin e një grupi të qytetarëve. Artikulli nuk ka formë të tekstit gazetaresk, por në disa, pika, të përfshira në tre grupe, jep përgjigje në pyetjen – si ta kuptoni se fëmija juaj ose ndonjë mik i juaji a shfrytëzon drogë? Nuk ka burim se prej ku janë marrë përgjigjet e publikuara.
Linku deri te artikulli origjinal: Si t’i njihni ata që janë varur nga narkotikët
Data dhe koha e publikimit: 05.12.2013, 11.30
Data e recensionit: 18.12.2013
Recensues: Тоni Dimkov
Vërtetësia: Duhet shmangur gjeneralizimi në çfarëdo baze. Në këtë rast, simptomet që janë karakteristike për shfrytëzimin e një lloj droge nuk është e thënë të paraqiten edhe te shfrytëzuesit e ndonjë lloji tjetër të drogës. Prandaj, pohimet që bëhen në artikull mund të jenë edhe të sakta edhe jo të sakta, e për këtë arsye – të pavërteta.
Burimet e informatave: Në artikull nuk është theksuar asnjë burim zyrtar ose relevant se prej ku janë marrë sqarimet e simptоmeve. Poashtu, në artikull nuk jepet sqarim se si janë fituar informatat, a bëhet fjalë për hulumtim ose për shënime të marra nga ndonjë ueb-faqe e ndonjë institucioni shtetëror. Mungesa e burimit e zvogëlon vërtetësinë e informatave të publikuara.
Përmbajtësia: Forma në të cilën është publikuar artikulli nuk i ngjan produktit gazetaresk. Nuk ka pjesë hyrëse, ndonjë shkak të veçantë ose ndonjë ngjarje aktuale që ka çuar deri te publikimi i i artikullit. Për nga zhanri, artikulli nuk është as lajm, as analizë, as kolumnë. Nëse qëllimi i artikullit ka qenë në funksion këshilldhënës ose preventiv, atëherë duhet të precizohet se kujt i drejtohet. Edhe pse janë theksuar simptomet e shfrytëzimit të drogës, në artikull nuk shihet se bëhet dallim ndërmjet varësisë nga droga dhe shfrytëzimi i drogës. Ata që janë të varur nga droga mund të jenë pacientë në ndonjë institucion shëndetësor, por nuk duhet të trajtohen si dukuri devijante në shoqëri. Në këtë rast, hapen mundësi për stigamtizimin e atyre që janë të varur nga drogat, kundrejt mundësisë për shërimin e tyre dhe adaptimin në shoqëri.
Komentimi: Komentimi në artikull është bërë me vetë zgjedhjen e temës dhe mënyrën se si është elaboruar ajo. Nga përgjigjet e dhëna mund të konstatohet se shfrytëzuesit dhe ata që janë të varur nga drogat janë kriminelë, vjedhës, dembelë, njerëz që kujdesen për higjienën e tyre etj. Karakteristikat e njëjta mund t’i posedojnë edhe personat që nuk janë shfrytëzues të drogave, por ato nuk janë në fokusin e interesit të këtij artikulli.
Origjinaliteti/Plagjiatura: Artikulli është publikuar pa e theksuar autorin, burimin dhe linkun deri te burimi i informatës. Kjo është një arsye plotësuese që informatat e publikuara të merren me rezervë.
Kualiteti i titullit: Stigmatizimi i personave që shfrytëzojnë drogë është potencuar që në titullin e artikullit. Është përdorur shprehja “të varur nga narkotikët”, ndërsa shprehja korrekte dhe adekuate është shfrytëzues ose të varur nga droga. Me përdorimin e termit “të varur nga narkotikët”është bërë përpjekje për senzacion në titull. Prandaj konsiderojmë se ai është joadekuat dhe tendencioz.
Fotografia: Artikulli është i ilustruar me fotografi, që ka për qëllim të shkaktoj frikë. Në atë fotografi, përveç disa llojeve të drogës, shihet edhe një revole dhe një shishe me alkool. Është i qartë qëllimi në kompozicionin e fotografisë që të gjitha të këqijat të vendosen në një vend. Por, për këto arsye fotografia e përdorur nuk është adekuate për artikullin e publikuar. Në mënyrë plotësuese, revolja në mënyrë të drejtpërdrejtë asocon në aktivitete kriminale, e jo në varësi nga droga.
Gjuha e urrejtjes: Edhe pse ideja fillestare e artikullit ka qenë të ketë funksion preventiv, në fund, megjithatë, shndërrohet në diskriminim të personave që shfrytëzojnë ose janë të varur nga drogat. Mbetet e hapur pyetja – çka nëse e vëreni ndonjërin nga simptomet te fëmija ose miku juaj? A është kjo shenjë definitive se bëhet fjalë për shfrytëzues të drogës? Dhe si do të silleni me të pastaj? Në këto pyetje artikulli nuk jep përgjigje.
Përfundimi: Edhe pse në shikim të parë duket miqësor dhe këshilldhënës, megjithatë, artikulli më tepër si propagandues. Qëllimi i tij është t’i etiketojë personat që shfrytëzojnë ose janë të varur nga drogat, e jo edhe t’u ndihmojë të ballafaqohen me varësinë e tyre. Prandaj, ky artikull gjeneralizon, stigmatizon dhe jepë mundësi për diskriminim e një grupi të caktuar njerëzish, por, për fat të keq, nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari