Praktikimi i krishterimit në Izrael është i lirë

Image by Heather Truett from Pixabay

Postimit i mungon konteksti, pasi nuk thotë se ky projektligj nuk është miratuar dhe nuk përbën akt ligjor në shtetin e Izraelit. Dështimi për të dhënë këtë informacion krijon një kuptim krejtësisht të ndryshëm se të gjithë ata që pretendojnë se Jezu Krishti është Zot do të shkojnë në burg për tre vjet.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:

Satanizmi nuk është më në një formë të fshehur… por publikisht me zë të lartë dhe të qartë.

Më pas shpërndahet një foto me mbishkrimin:

Propozim tronditës në Izrael: Të gjithë ata që pretendojnë se Jezu Krishti është Zot do të dënohen me tre vjet burg.

Megjithatë, postimit i mungon konteksti, pasi nuk thuhet se ky projektligj nuk është miratuar dhe nuk përbën akt juridik në shtetin e Izraelit. Duke mos deklaruar këtë informacion, krijohet një përshtypje krejtësisht tjetër se të gjithë ata që pretendojnë se Jezu Krishti është Zot, do të shkojnë në burg për tre vjet.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë?

Vetë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha për Associated Press se do të pengojë kalimin e një propozimi nga një partner i fuqishëm koalicioni në qeverinë e tij, sipas të cilit të krishterët që predikojnë do të dënohen me burg.

Propozimi shkaktoi reagime të shumta në mesin e evangjelistëve, të cilët në fakt janë disa nga mbështetësit më të fuqishëm dhe me ndikim të Izraelit në Shtetet e Bashkuara. Projektligji u propozua në janar nga dy ligjvënës hebrenj ultra-ortodoksë, duke përfshirë Moshe Gaffney, i cili kryeson komitetin parlamentar të financave. Sipas propozimit, bindja e dikujt për të ndryshuar fenë duhet të dënohet me një vit burg, e nëse është i mitur, atëherë dy vjet burg, shkruan Associated Press.

Sipas arsyetimit të projektligjit, kohët e fundit janë shtuar përpjekjet e grupeve misionare, kryesisht të krishterëve, për të nxitur njerëzit të ndryshojnë fenë e tyre.

Ky projektligj në Izrael nuk përparoi kurrë përtej një faze “propozimi”, por ka tërhequr vëmendjen midis evangjelistëve amerikanë.

Prandaj, siç raporton Associated Press, Netanyahu tha:

Ne nuk do të lejojmë asnjë ligj kundër komunitetit të krishterë.

Gaffney, megjithatë, tha se ai e propozoi këtë zgjidhje si një çështje procedurale, siç ka bërë në të kaluarën, dhe nuk kishte ndërmend ta çonte atë në një fazë të avancuar.

Izraeli ka pranuar prej kohësh mbështetjen politike dhe financiare nga evangjelistëve dhe raporton se nuk ka vend për shqetësim për ndonjë agjendë të fshehur fetare.

Joel Rosenberg, kryeredaktor i All Israel News, përshëndeti njoftimin e Netanyahut, i cili vjen në një kohë trazirash të brendshme.

Netanyahu është një mik i vjetër dhe i provuar i komunitetit global të krishterë dhe veprimi i tij sot, mes të gjitha çështjeve të tjera në pjatën e tij, është një provë tjetër, tha Rosenberg.

Krishterimi është feja e tretë më e madhe në Izrael, pas Judaizmit dhe Islamit. Në fund të vitit 2022, të krishterët përbënin 1.9 për qind të popullsisë izraelite, duke numëruar rreth 185 mijë. Shtatëdhjetë e pesë për qind e të krishterëve në Izrael janë të krishterë arabë. Të krishterët janë 6.9 për qind e popullsisë arabe të Izraelit. Një total prej 10 kishash të krishtera njihen zyrtarisht sipas sistemit izraelit dhe ato mund të vetërregullohen dhe të kenë njohje shtetërore për çështje statusi si martesa dhe divorci. Këto janë Kisha Apostolike Armene, Kisha Katolike Armene, Kisha Episkopale e Jeruzalemit dhe Lindjes së Mesme, Kisha Ortodokse Greke, Kisha Katolike Latine, etj. Praktika e feve në Izrael është e lirë, pa kufizime për fetë e tjera.

Deklarata e Pavarësisë së Izraelit e vitit 1948 e përshkruan vendin si hebre, por shtrin lirinë fetare për të gjithë qytetarët e tij, duke deklaruar se shteti i Izraelit do të sigurojë barazi të plotë të të drejtave sociale dhe politike për të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht nga feja, raca apo seksi garantojnë lirinë e fesë, gjuhës, arsimit dhe kulturës dhe mbrojnë vendet e shenjta të të gjitha feve.

Për të gjitha faktet e mësipërme, konsiderojmë se ky njoftim i mungon konteksti. Propozimi që të gjithë ata që pretendojnë se Jezu Krishti është Zot të shkojnë në burg nuk është ligj në Izrael dhe nuk është në fuqi. Praktika e krishterimit në Izrael është e lirë.



Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.