Nuk është e vërtetë se qytetarët e Maqedonisë që janë jashtë vendit do të ngelen pa u regjistruar për shkak të pasaportave të pavlefshme

Ligji për regjistrim nuk kërkon posedim të pasaportës së vlefshme, si kusht për regjistrimin e popullsisë në regjistrimin e planifikuar për në prill të këtij viti. Gjithashtu, nga kabineti i zëdhënësit të Qeverisë, na konfirmuan se për regjistrim nuk do të jetë e nevojshme pasaporta, por vetëm numri amë i qytetarëve.

E kemi recensuar lajmin e shpërndarë në një postim në Facebook, në të cilin thuhet se dhjetëra qytetarë të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit, do të ngelen pa u regjistruar, pasi kanë vonesa në nxjerrjen e dokumenteve të reja për udhëtim, në vendet ku ata jetojnë. Në tekst shkruan se për shkak të mos posedimit të pasaportave të vlefshme, ata nuk do të mund të regjistrohen si banorë jorezident.  Pohimet në tekst, gjithashtu, lënë të kuptohet se regjistrimi i qytetarëve në faqen e internetit të Entit për Statistika, do të jetë i pamundur pa pasaporta të vlefshme.

Këto janë pohime plotësisht të pavërteta.

Vërtetmatësi” është drejtuar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me pyetjen nëse është e vërtetë se qytetarët që janë jashtë vendit, e që nuk kanë pasaporta të vlefshme, nuk do të mund të regjistrohen.

Për regjistrim të shtetasve të Maqedonisë, të cilët janë jashtë vendit, i nevojshëm do të jetë vetëm numri amë i tyre (EMBG). Është dezinformatë se për shkak të mosposedimit të pasaportës nuk do të regjistrohen,  thonë nga Kabineti i zëdhënësit të Qeverisë për “Vërtetmatësin”

Ligji për regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021, thotë se në regjistrim do të përfshihen shtetasit e RMV-së, të cilët kanë vendbanim në Maqedoni, pa marrë parasysh nëse gjatë regjistrimit ndodhen në vend ose jashtë vendit. Që do të thotë se edhe ata që janë jashtë vendit do të përshihen në regjistrim.

Në ligjin e theksuar, fjala pasaportë ose dokument udhëtimi nuk përmendet asnjëherë. Kushti i vetëm që përmendet si i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm për regjistrim, është numri i vetëm amë (EMBG), të cilin qytetarët duhet ta kenë për të marrë pjesë në regjistrim dhe kjo mund të shihet në nenin 8 të ligjit.

Në nenin 8 thuhet se shtetasit e Maqedonisë, të cilët janë për punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, të dhënat nga neni 10 i Ligjit, i jep person i rritur të cilin e njohin më shumë, i cili e jep numrin amë të vet dhe numrin amë të personit për të cilin jep të dhëna për regjistrim. Numri i vetëm amë, jepet njëherë dhe regjistrimi i qytetarit nuk varet nga ajo nëse posedon ose jo pasaportë. Kështu që, pasaporta nuk do të kërkohet.

Më tej, në Ligj thuhet se për personat-shtetas të RMV-së, të cilët janë për punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, do të mundësohet edhe vet regjistrim në periudhën prej 1 marsit deri 21 prill 2021, nëpërmjet një aplikacioni të veçantë, që do të jetë i qasshëm në web-faqen e Entit Shtetëror për Statistika. Në këtë aplikacion personi do të duhet të regjistrohet paraprakisht, ndërsa formularët e plotësuar përmes rrugës elektronike t’i dorëzojë tek Enti Shtetëror për Statistika. Ky aplikacion për momentin nuk është i qasshëm, por do të publikohet për regjistrimin.

Drejtori i Entit, Apostol Simovski, për “Deutsche Welle”, thotë se përveç numrit amë jepen edhe të dhëna tjera për regjistrim, por nuk përmend pasaportë.

Nuk jepet vetëm numri amë. Ka rreth 50-60 pyetje për personat që regjistrohen. Normalisht, kjo varet nëse personi është i punësuar, student, i rritur, pensionist… Pra, nuk mund të jepni thjesht emrin, mbiemrin, numrin amë, adresën dhe përkatësinë etnike. Duhet të ketë pyetësor të plotë, nuk mund të pranohet pyetësor i pjesshëm, deklaroi Simovski.

Duke pasur parasysh faktin që Ligji nuk kërkon posedim të pasaportës së vlefshme si kusht për t’u regjistruar në regjistrimin e planifikuar për në prill të këtij viti, si dhe për shkak të konfirmimit që e morëm nga Kabineti i zëdhënësit të Qeverisë, se për regjistrim nuk do të jetë e nevojshme pasaporta, lajmin e vlerësojmë si të pavërtetë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.