Nuk është e vërtetë që në Australi karantina vendoset për vaksinim të detyrueshë

 Sidnei ka vendosur karantinë për shkak të përhapjes së shpejtë të llojit Delta të koronavirusit dhe pretendimi se masat kanë për qëllim vaksinimin e detyrueshëm është i pasaktë. Përveç kësaj vaksinimi në Australi është mbi bazë vullnetare dhe qytetarët mund të zgjedhin vetë nëse duan të vaksinohen kundër Kovid-19. Pretendimi se nuk ka vdekje nga koronavirusi është gjithashtu i pasaktë. Atje janë regjistruar 910 raste të vdekjes. Postimi gjithashtu manipulon edhe me përqindjen e pacientëve me koronavirus, duke pretenduar se 0.018% e popullsisë është e infektuar. Australia ka një popullsi prej afro 26 milion banorësh dhe nëse e shikojmë numrin e rasteve me Kovid-19, që është rreth 31,000, rezulton se përqindja e të infektuarve është 0,12, e jo 0,018.

Një postimFacebook në mënyrë të pasaktë bën lidhjen mes karantinës dhe vaksinimit në Sidnei, manipulon me numrat, pretendon se janë zyrtare, mohon ekzistencën e pandemisë me Kovid-19 dhe në mënyrë të gabuar pretendon se virusi është imponuar për shkak të imunizimit të detyrueshëm të popullatës. Për një fushatë më bindëse kundër vaksinave përdoret edhe një foto nga Skynews.com.au, e cila tregon Sidnein krejtësisht të boshatisur, me mbishkrimin: 5 milion banorë të Sidneit të mbyllur”.

Sidnei sot.

Vendi me qarkullim më të madh në botë i boshatisur.

Karantina dy-javore është zgjatur edhe për një javë tjetër.

5 milionë banorë të mbyllur për shkak të një virusi nga i cili askush nuk ka vdekur këtë vit në Australi, dhe me një përqindje të të infektuarve prej 0,018% të popullsisë. (Të dhëna zyrtare), thuhet në pjesën e parë të postimit.

 

Për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë?

E vërteta është se Sidnei ka vendosur karantinë për shkak të përhapjes së shpejtë të llojit Delta të koronavirusit. Karantina filloi në 26 qershor dhe duhej të mbaronte në 9 korrik, por për shkak të rasteve të reja – gjithsej 370, karantina u zgjat deri më 17 korrik. Sipas  „BBC“, numri i njerëzve të infektuar me llojin Delta të koronavirusit në Sidnei është rritur dhe kjo është hera e parë në disa muaj që vatra janë zbuluar në disa lokacione në të gjithë vendin. Qyteti Australian i Sidneit dje (8 korrik 2021) regjistroi numrin më të lartë të rasteve të reja me Kovid-19 në muajt e fundit, edhe pse ka qenë nën karantinë të rreptë për dy javë. Pushteti rajonal deklaroi se në Sidnei janë raportuar 38 raste, duke e çuar kështu numrin e personave të infektuar me llojin Delta në më shumë se 370.

Pretendimi se nuk ka vdekje nga virusi korona është i pasaktë. Po, Australia ka qenë shumë më e suksesshme se vendet e tjera të zhvilluara në parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe deri më tani ka regjistruar vetëm 30,905 raste me Kovid-19, por janë raportuar edhe 910 raste të vdekjes.

Postimi manipulon edhe me numrat, pra përqindjen e njerëzve të infektuar me koronavirus, duke pretenduar se ato janë të dhëna zyrtare. Australia ka një popullsi prej pothuajse 26 milion banorësh dhe nëse merret numri i rasteve me Kovid-19, që është rreth 31,000, rezulton se përqindja e të infektuarve është 0.12 (një i infektuar në 838 banorë), dhe jo 0.018, siç pretendohet në postim.

Vaksinimi me dëshirë, jo i detyrueshëm

Në pjesën e dytë të postimit thuhet:

Vaksinimi është opsioni i vetëm për kthimin e lirisë së lëvizjes, tha Kryeministrja i Uellsit të Ri Jugor.

Sipas asnjë definicioni, kjo nuk është një PANDEMI.

Një provë tjetër që virusi u përhap për të imponuar vaksinim të detyrueshëm.

 

Ky pretendim se vendosja e masave ka për qëllim vaksinimin e detyrueshëm është i pasaktë.

Fakt është se virusi është përhapur  nga një vatër në hotel, duke shkaktuar një „mbyllje” të shpejtë të qyteteve më të mëdha të Australisë, duke përfshirë këtu Brisbejnin, Darvinin dhe Perthin. Arsyeja e „mbylljes” është mungesa  e vaksinave të mjaftueshme, dmth janë vaksinuar më pak se 10 % e qytetarëve Australianë.

Gjithashtu është fakt që vaksinimi në Australi është mbi bazë vullnetare dhe qytetarët mund të zgjedhin nëse duan apo nuk duan të vaksinohen kundër Kovid-19. Nëse ata vendosin të mos vaksinohen kundër Kovid-19, kjo nuk ndikon në të drejtën e familjes së tyre për të marrë ndihmë për kujdesin e fëmijëve (Family Tax Benefit Part A), si dhe për ndihma të tjera. Që do të thotë se nuk ka kufizime, e aq më pak vaksinim të detyrueshëm.

Në fund të postimit, thuhet se pandemia nuk ekziston dhe virusi është shpikur për ta vaksinuar popullatën.

Fakt është se pandemia ekziston, OBSH e shpalli atë në  11 mars të vitit 2020, dhe arsyeja për këtë veprim ishte përhapja e shpejtë e koronavirusit jashtë Kinës në shumë vende të botës. Çdo ditë ka prova të reja, studime dhe analiza shkencore që dëshmojnë se koronavirusi ekziston e që konfirmojnë efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave. Sipas të dhënave zyrtare nga OBSH, që nga 9 korriku 2021, 185,038,806 njerëz u infektuan me virusin corona, dhe një total prej 4,006,882 njerëz vdiqën nga pasojat e virusit.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari