Në Serbi janë vaksinuar mbi gjysmë milion, e jo 11.000 qytetarë

Imunizimi në Serbi ka filluar më 24 dhjetor të vitit të kaluar dhe deri tani, sipas të dhënave zyrtare, janë vaksinuar më shumë se 500.000 banorë. Numri i të vaksinuarve ndryshon në baza ditore dhe deri më 8 shkurt 2021, mediumet serbe raportojnë se numri i të vaksinuarve është më shumë se 550.000.

 

Postimi në rrjetin social në Facebook, dezinformon se në Serbi janë vaksinuar vetëm 11 mijë qytetarë. Në postin e publikuar më 06.02.2021 thuhet:

Serbia ka 8.716.246 banorë, ndërsa janë vaksinuar vetëm 11.000 deri tani, kjo do të thotë 0.13% – të gjithë në mënyrë masive refuzojnë vaksinimin

Pohimi i këtillë, nuk është i saktë.

Në Serbi imunizimi kundër coronavirsusit ka filluar para gati dy muajve – më 24 dhjetor të vitit të kaluar, me vaksinat nga kompania “Pfizer/BioNThech”, më pas me vaksinën ruse “Sputnik V” dhe atë kineze “Sinofarm”. Në ditë vaksinohen mijëra qytetarë dhe sipas të dhënave zyrtare, deri tani në Serbi, numri i të vaksinuarve ka kaluar mbi gjysmë milionë. Qytetarët paraqiten në mënyrë elektronike dhe nëpërmjet një seksioni të veçantë në portalin “e-Uprava”.

Drejtori e Zyrës për teknologji informatike dhe administrim elektronik në Qeverinë e Serbisë, Mihaillo Jovanoviq, më 5 shkurt deklaroi se deri atëherë ishin vaksinuar mbi 508.000 persona dhe se gati një milion qytetarë kanë shfaqur interes për vaksinim. Në deklaratën për Radiotelevizionin serb, të përcjellë në web-faqen e Qeverisë së Serbisë, Jovanoviq tha se ka afërsisht 19.000 të rivaksinuar, që do të thotë gjithsej janë dhënë 527.000 doza.

Agjencia “Reuters”, në një shkrim që e përcjellë “Danas” (06.02.2021″, thotë se:

Me 530 mijë ose afërsisht 7.5 përqind të popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Serbia është e katërta në botë sipas shkallës së imunizimit në 100 mijë njerëz, pas Izraelit, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 6 shkurt kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke prezantuar rezultatet për 100 ditët e punës së Qeverisë, tha se imunizimi bëhet në mënyrë efikase dhe se janë vaksinuar më shumë se 525.000 persona, ndërsa janë rivaksinuar 21.000.

Numri i të vaksinuarve ndryshon në baza ditore dhe deri më 8 shkurt 2021, mediumet serbe raportojnë se numri i të vaksinuarve është më shumë se 550.000.

Përkundër pohimeve në postim se janë vaksinuar 0.13% e popullatës në Serbi, sipas ourworldindata.org, duke përfshirë 7 shkurtin në këtë shtet janë vaksinuar 8 përqind e popullsisë.

Burimi: ourworldindata.org

Kështu që, të dhënat në postim që e recensuam janë të pasakta, pa u përmendur burimi për të parë se prej ku janë marrë. Dhe jo që vetëm që nuk është i pavërtetë pohimi se janë vaksinuar 11 mijë persona, por problematik është edhe numri i popullsisë së përgjithshme – 8.716.246 banorë.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi për shkak të pandemisë me coronavirusin i paraparë për në prill, është shtyrë për në tetor të këtij viti. Sipas parashikimeve të Entit Republikan për Statistika në Serbi, numri i vlerësuar i banorëve është nën 7 milionë. Saktësisht, numri i vlerësuar i banorëve në vitin 2019 është 6.945.235, që është gati për dy milionë më pak se sa numri që është përmendur në postim. Eurostat dhe Banka Botërore, gjithashtu operojnë me 6.9 milionë banorë në Serbi, që mund të shihet edhe në web-faqen e specializuar datacommons.org.

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.