Mësimdhënës pa thirrje shkencore, objekte të paligjshme në Universitetin e Tetovës!

Universiteti i Tetovës. Foto: ueb-faqja e UT

 

Raportet financiare për punën e Universitetit Shtetëror të Tetovës nën thjerrën e revizionit shtetëror. Është përfshirë periudha e vitit 2017, me ç’rast janë analizuar llogaritë e buxhetit kryesor dhe të llogarisë së buxhetit nga aktivitetet për vetëfinancim, me ç’rast janë gjetur parregullsi, shkruan Portalb.mk. Ndaj vërejtjeve dhe gjetjet të konstatuara – ka pasur përgjigje nga personi përgjegjës i Universitetit, por me vonesë

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

Universiteti Shtetëror i Tetovës përballet me mungesë të kuadrit, një pjesë e punësimeve nuk kanë qenë në përputhje me rregulloret e brendshme, e po ashtu problematik ka qenë edhe menaxhimi i një pjese të parave që janë fituar nga aktivitetet për vetëfinancim. Këto janë gjetjet nga raporti i sapo publikuar i revizionit, ku është skanuar puna e Universitetit Shtetëror të Tetovës gjatë vitit 2017. Në një pjesë të raportit vihet në pikëpyetje profesionalizmi i kuadrit.

“Për realizimin e procesit arsimor, universiteti angazhon mësimdhënës në bazë të kontratave për dhënien e shërbimeve intelektuale, që përbën 39% të kuadrit mësimdhënës, me ç’rast një pjese e personave që e realizojnë procesin e mësimdhënies nuk ka thirrje shkencore, kurse personat e angazhuar si asistentë kanë detyra pune që nuk përkojnë me obligimet pedagogjike të asistentit” – thuhet në raportin e revizionit.

Sipas gjetjeve në raportin e revizionit, 61% e kuadrit mësimdhënës është në marrëdhënie të rregullt pune. Përkundër kërkesave të shumta në ministrinë kompetente për miratim të punësimeve, nuk është marrë pëlqimi, prandaj pjesën tjetër prej 39% të kuadrit që mungon, universiteti e ka plotësuar nëpërmjet angazhimeve me kontratë për vepër. Gjatë kontrollit të dokumentacionit, janë konstatuar 392 kontrata për dhënie të shërbimeve intelektuale për mbajte të mësimit, provimeve dhe ushtrimeve.

“Për shkak të kuadrit të pamjaftueshëm mësimor- shkencor që është në marrëdhënie të rregullt pune, Senati i universitetit në përbërjen e tij nuk e ka numrin e nevojshëm të anëtarëve, ndërsa Këshilli i universitetit nuk është i themeluar, në përputhje me dispozitat ligjore” – ka konstatuar revizori.

Për një pjesë të kandidatëve për zgjedhje në thirrjet mësimore-shkencore nuk kishim mundësi të sigurohemi se janë përmbushur kriteret e përcaktuara në Rregulloren për kriteret dhe për procedurën për zgjedhje në thirrjet mësimore-shkencore, thirrjet shkencore, asistentë – doktorantë” – thuhet në raport, me vërejtjen se në vendimet për zgjedhje nuk është shënuar periudha për të cilën është bërë zgjedhja, ndërsa me personat e zgjedhur nuk janë nënshkruar kontrata për punësim në thirrjen për të cilën janë zgjedhur.

“Gjatë revizionit është bërë harmonizimi i Rregullores, dhe me çdo person nga kuadri mësimor-shkencor dhe ai bashkëpunëtor është nënshkruar kontratë në thirrjen për të cilën është zgjedhur” – shkruan në revizion.

Në vitin 2017 nga pagesat për participim dhe bashkëfinancim për studim janë siguruar 249.161.000 denarë dhe pas kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se shpërndarja e këtyre mjeteve bëhet në bazë të Rregullores që nuk është miratuar nga Ministria e Arsimit. Një kërkesë e tillë është dërguar në vitin 2016, por deri më sot ajo nuk është miratuar nga kjo ministri.

 

NJË PJESË E OBJEKTEVE TË NDËRTUARA PA LEJE – A KA FAJ EDHE QEVERIA?

Me kontrollimin e dokumentacionit që iu dha revizorëve, janë konstatuar lëshime të shumta në lidhje me objektet që i shfrytëzon Universiteti i Tetovës. Disa nga objektet në të cilat është i vendosur universiteti konsiderohen se janë “ndërtuar në mënyrë të paligjshme” ose ende nuk i janë dorëzuar institucionit arsimor për shfrytëzim nga Ministria e Arsimit. Kështu, ndër të tjera, revizori vë në dukje se:

“Në vendin “Fshati Reçicë e Vogël”, KK Reçicë e Vogël – Tetovë, pronar i të cilit është Republika e Maqedonisë, është bërë adaptimi i objektit të dedikuar për Fakultetin e Arteve. Edhe pse universiteti ka dorëzuar kërkesë në muajin shkurt të vitit 2014 në Ministrinë e Arsimit që të merret vendim që patundshmëritë t’i jepen për shfrytëzim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë vendim për ndërprerjen dhe dhënien për shfrytëzim të përhershëm pa kompensim. Objekti i destinuar për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore është ndërtuar në tokë që është në pronësi të disa individëve privatë dhe aktualisht është duke u zhvilluar procedura për legalizimin e objektit.”

Problem është konstatuar edhe në ndërtesën ku ndodhet Fakulteti i Ekonomisë dhe i Drejtësisë, i cili nuk ka leje për t’u përdorur. Që në vitin 2013, është parashtruar kërkesë për të bërë kontroll teknik, por ministria përkatëse, pas shqyrtimit të kërkesës, e ka refuzuar atë.

“Deri në datën e revizionit, Universiteti nuk i ka kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme për të filluar procedura për kryerjen e kontrollit teknik të objektit dhe për t’u dhënë leja për përdorim” – thuhet në raportin e revizionit.

Revizorët rekomandojnë që Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me institucionet kompetente, t’i intensifikojë aktivitetet për legalizimin e objekteve që i shfrytëzon dhe të regjistrohet e drejta për përdorim të të gjithë pasurisë së patundshme, në mënyrë që ajo të mund të evidentohet dhe në kontabilitet.

PËRGJIGJA “E VONUAR” NË LIDHJE ME RAPORTIN E REVIZIONIT…

Universiteti Shtetëror i Tetovës ka dërguar vërejtje në lidhje propozim-raportin e revizionit, por pas skadimit të afateve të caktuara për përgjigje.

“Nga ana e personit përgjegjës janë dorëzuar vërejtje në lidhje me propozim-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror, por pas skadimit të afatit të përcaktuar me ligj dhe ato nuk ndikojnë në gjendjen e konstatuar” – thekson revizori.

Në përgjigjen e vonuar, Universiteti thekson se institucioni arsimor, edhe pse përballet me probleme të mëdha të të gjitha llojeve, përpiqet ta respektojë rregulloren pozitive ligjore në vend.

“Përkundër gjendjes së vështirë materiale-financiare, me infrastrukturë të pajisur dobët për një pjesë të fakulteteve, si dhe problemeve në lidhje me mungesën e kuadrit mësimor-shkencor, në vazhdimësi bëhen përpjekje serioze që e gjithë puna të kanalizohet në përputhje me rregulloren ligjore” – shkruan, ndër të tjera, në përgjigjen e Universitetit Shtetëror. Nga atje thonë se deri tani kanë dërguar kërkesa të shumta për punësimin e kuadrit profesional, e po ashtu kanë alarmuar dhe për problemet financiare, si dhe për problemet që lidhen me statusin e pazgjidhur të një pjese të objekteve në të cilat janë vendosur fakultetet e kompleksit universitar”

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.