Mbeti e pa asfaltuar rruga Simnicë – Cerovë

Me asfaltimin e kësaj rruge, do të lehtësohet qarkullimi i banorëve të malësisë së Gostivarit, por edhe do lidhen këto vendbanime me magjistralen Gostivar – Kërçovë.

ARSYETIM: Ndërimi i rrugës Simnicë – Cerovë u premtua në Platformën zgjedhore të BDI-së, zgjedhjet 2014. Me këtë rrugë do të lehtësohej qarkullimi i banorëve të malësisë së Gostivarit, por edhe do lidheshin këto vendbanime me magjistralen Gostivar – Kërçovë. Projekti parashihej të realizohet në tri faza: hapja e rrugës, tamponimi dhe asfaltimi.  Si afat i fundit për realizimin e këtij premtimi (sipas Platformës së BDI-së) ishte dhënë viti 2014. Deri më tani (05.12.2016) ky premtim është i parealizuar.

Premtimet se ky projekt do të realizohej kishin filluar në afatin kur projekti duhej të kishte përfunduar. Më 13 maj 2o15, Kryetari i Komunës së Gostivarit,  Nevzat Bejta i shoqëruar edhe bashkpunëtorët e tij, kishin vizituar fshatin Simnicë. Bejta në këtë takim u kishte premtuar banorëve që gjatë muajit qershor (2015) do të fillojnë punët për asfaltimin e rrugës me gjatësi prej mbi 1 mijë e 400 metra.

“Për ndërtimin e rrugës Simnicë – Cerovë që lidhet me magjistralen Gostivar – Kërçovë, pritet që dita ditës të fillojnë punët në terren, sepse janë kryer të gjitha procedurat paraprake…Pasi të kryhen të gjitha përgatitjet, gjatë muajit qershor do të fillojnë punët për asfaltimin e rrugës me gjatësi prej mbi 1 mijë e 400 metra”. (burimi: Shërbimi Informativ i Komunës së Gostivarit, 13.05.2015)

Më 23.05.2015, nga Komuna e Gostivarit njoftua se shumë shpejtë do fillojë me realizimin e disa prej projekteve më të mëdha në Malësinë e Gostivarit, gjegjësisht ndërtimi i rrugës Simnicë- Cerovë.

“Asfaltimi i pjesës më të madhe të rrugëve do të kushtoje 700 mijë euro dhe financohet Fonde të siguruara nga komuna e Gostivarit nga Banka Evropiane për Investime, nëpërmjet Agjencisë së Rrugëve të Republikës së Maqedonisë. Rruga Simnicë – Cerovë me gjatësi 1.3 kilometra do asfaltohet me po të njëjtat mjete, ndërkaq për pjesën tjetër të rrugës prej 1.7 kilometra do të kryhet me mjete nga burime tjera që i ka siguruar komuna e Gostivarit”. (burimi: Shërbimi Informativ i Komunës së Gostivarit, 23.05.2015)

Më 03.02.2016, nga portali Tetova Sot kishin njoftuar se punimet ndërtimore (faza e parë) për hapjen e kësaj rruge kishin përfunduar.

“Përfundojnë punimet për hapjen e rrugës Simnicë – Cerovë, rrugë që do të lidh fshatërat e Malësisë me regjionalen Gostivar – Kërçovë. Ky është një nga projektet kapitale të Komunës së Gostivarit”. (burimi: TetovaSot, 03.02.2016)

Disa ditë më vonë, u bë inaugurimi i rrugës. Në përurim të përfundim të punimeve të fazës së parë të punimeve ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Kjo rrugë do të lidh mbi 10 katunde të Malësisë. Me kompletimin e rrugës nga Simnica në Cerovë do të krijohet një infrastrukturë rrugore që do të lehtëson qarkullimin e banorëve të fshatrave të Malësisë, reduktimin e kohës dhe shpenzimeve dhe do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik lokal dhe familjar në drejtim të afrimit të konsumatorit me produktet ushqimore dhe bujqësore që kultivohen nga banorët e zonës”. (burime: Portalb, 05.02.2016)

Gjithashtu, Bejta kishte njoftuar se brenda ditëve në vazhdim do të realizohet faza e dytë e projektit, gjegjësisht tamponimi i rrugës së re dhe për ta përmbyllur me fazën e tretë dhe të fundit që parasheh asfaltimin e këtij aksi rrugor.

Pas fazës së parë, respektivisht hapjes dhe trasimit të rrugës që lidh fshatrat Simnicë dhe Cerovë, më 28.04.2016 është inauguruar tamponimi i kësaj rruge. Në inaugurim ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta i cili ritheksoi se hapja e rrugës është e një rëndësie të veçantë për banorët.

Rruga do të mundëson qarkullimin e banorëve të fshatrave të Malësisë me rrugën magjistrale Gostivar– Kërçovë. Në fazën e parë, në hapjen e rrugës Simnicë – Cerovë, Byroja për Zhvillim Rural përmes Qendrës Planore të Pollogut ndau 2 milion e 400 mijë denarë, kurse tamponimi i rrugës u bë me mjete të ndara nga buxheti i Komunës në vlerë rreth 2 milion e 500 mijë denarë”. (TetovaSot, 28.04.2016)

Në vazhdim pritet që të fillojnë punimet për asfaltimin e rrugës, që deri më tani (05.01.2016) kjo fazë ende nuk është realizuar. Është bërë hapja e rrugës Simnicë- Cerovë, është tamponuar por nuk është asfaltuar edhe pse si afat i fundit për përfundimin e punimeve ishte viti 2014. Sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, nga ajo që kemi arritur të vlerësojmë, përfundojmë që edhe pse janë bërë punime në hapjen e rrugës, afati për përmbylljen e punimeve (2014) ka skaduar dhe këtë premtim e llogarisim si i parealizuar. 

BURIME:

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.