Gruaja shtatzënë nuk ka pasur abort spontan pas vaksinimit kundër COVID-19
Gruaja që mban fotografitë nga ultrazëri, edhe pse është person mjekësor, nuk quhet Sara Beltran Ponse, por Ejmi Gaj Ulrih dhe ajo nuk ka pasur abort fare. Fotoja e saj u vodh, manipulua dhe u përdor për një mashtrim të madh në internet. Ulrih ka paralajmëruar se kjo është dezinformim dhe se fotoja e saj është keqpërdorur, por shkalla në të cilën postimi i rremë po qarkullon në internet është jashtëzakonisht e madhe.
Në informacionin e shpërndarë në një postim në Facebook, thuhet se gruaja me fotografi, e prezantuar si Sara Beltran Pons, ka pasur abort disa ditë pasi e ka marrë vaksinën Pfizer. Sipas postimit të 7 shkurtit 2021, gruaja gjoja “e vrau fëmijën e palindur për shkak të kokës budallaqe pa inteligjencë dhe pa besim në Zot, dhe u vaksinua kundër diçkaje që nuk ekziston”.
Por, a është kjo e vërtetë?
Për të mbështetur pohimet, postimi përmban fotografi nga dy cicërima në Twitter të profilit me emrin e dr. Sara Beltran Ponse, të cilat janë të paqarta dhe jo mjaftueshëm të lexueshme, me rezolucion të ulët. Sidoqoftë, në njërën prej tyre pretendohet se gruaja me këtë emër dhe mbiemër kishte abortuar në javën e katërmbëdhjetë të shtatzënisë. Të njëjtën javë, ajo gjithashtu pretendoi se ishte vaksinuar kundër COVID-19 dhe inkurajoi të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Në fotografinë e tretë, shihet një grua me uniformë infermiere që mban një imazh me ultrazë në dorë.
Kontrollimi i jonë i fakteve na ka çuar në përfundim se gruaja që i mban fotografitë me ultrazë, edhe pse është person mjekësor, megjithatë nuk quhet Sara Beltran Ponse, por Ejmi Gaj Ulrih dhe ajo nuk ka pasur abort fare. Fotografia e saj është vjedhur, manipuluar dhe përdorur për mashtrim të madh në internet, që është duke u shpërndarë me shpejtësi të madhe.
Si erdhëm tek ky informacion? Në grupin për profesionistë mjekësor, që ka mbi 100 mijë anëtarë në Facebook, më 7 janar 2021, për herë të parë është publikuar fotografia me skenim të ultrazërit, por nga personi mjekësor nga Ilinois, Ejmi Gaj Ulrih.
Çdo vendim i prindërve është i vështirë. Për mua, vaksina kundër Covid-19 ishte vendimi i duhur. Qëndroni të shëndetshëm, miq, shkruan Ejmi Gaj Ulrih për miqtë e saj në grup, duke shtuar se 7 janari 2021 është java e 28-të e shtatzënisë.
Pasi u publikua kjo, postimi përjetoi manipulime, pretendime skandaloze se ajo kishte abortuar, ndryshim të identitetit të saj, gjegjësisht emrin, edhe pse foshnja është po aq e mirë sa nëna, dhe edhe pse nuk ka pasur abort pas marrjes së vaksinës!
Edhe këtë postim, Ulrih ka tentuar ta përgënjeshtrojë, duke alarmuar se është lajm i rrejshëm, manipulim dhe mashtrim, gjegjësisht fotografia e saj është keqpërdorur, megjithatë shkalla me të cilën qarkullon lajmi i rrejshëm në internet, është mjaft e lartë.
Edhe shërbime tjera për kontrollimin e fakteve thonë se Ejmi Ulrih, jo vetëm që akoma është shtatzëne dhe nuk ka abortuar, por edhe ofrojnë dëshmi për këtë, gjegjësisht fotografi të shtatzënisë së përparuar.
Duhet të theksohet se ka një profil në Twitter me emrin Sara Beltran Ponse, emri dhe mbiemri i gruas që pretendohet se ka abortuar pasi mori vaksinën kundër Covid-19. Sidoqoftë, profili është mbyllur dhe mbrojtur, kështu që ne nuk ishim në gjendje të verifikonim nëse gruaja kishte abortuar, ishte shtatzënë, ishte vaksinuar dhe nëse emri i saj në ndonjë mënyrë ka lidhje me ato që ishin shkruar në postim.
Gjithashtu duhet të theksohet se Organizata Botërore e Shëndetësisë, në këtë moment nuk rekomandon që gratë shtatzëne të vaksinohen me vaksinën Pfizer&BionTech.
Në rast se një grua shtatzënë ka rrezik të pashmangshëm dhe të lartë nga kontakti me koronavirusin, për shembull, punonjëse shëndetësore, atëherë vaksinimi mund të merret parasysh, me konsultë paraprake me mjekun e saj, shkruan në udhëzimin e OBSH-së.
Në rastin konkret, bëhet fjalë për postim mashtrues, ku është keqpërdorur fotografia e një gruaje që ajo vet e postoi në Facebook. Pastaj fotografia është marrë, emri i saj u ndryshua dhe u trillua historia e abortit si rezultat i vaksinimit kundër Covid-19.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari