Gazetari nuk duhet të shfrytëzojë epideminë për të ngritur në piedestal funksionarët

Në këtë kohë pandemie, nuk është radha e propagandave politike dhe mediatike, por e mobilizimit, mbështetjes dhe sensibilizimit të njëri tjetrit. Artikulli që është vendosur nën thjerrëzën e recensimit, meritat për tejkalimin e situatave epidemike në vend ia atribuon një personi të vetëm. Autori i artikullit në tekstin në fjalë ka shkelur disa nene të Kodit Etik të Gazetarëve, duke treguar afërsi me një person që është pjesë e politikës, duke komentuar dhe duke mos qenë i çliruar nga senzancionalizmi në kohë fatkeqësish, siç është situata tani me virusin, ku në nivel botëror vdesin me mijëra persona. Janë dhënë supozime, bindje të autorit, pa asnjë fakt, me fjalë të tjera është shkelur çdo parim i mundshëm që një gazetar duhet ta ketë edhe pa ekzistencën e Kodeve etike. 

Lajmi qe recensohet

Linku origjinal i artikullit: Qendra intensive e krijuar nga Osmani, sot shpëton shumë jetë nga Koronavirus

Data e publikimit: 26.03.2020

Data e recensimit: 04.04.2020

Recensuese:  Naile Dauti

Artikulli në fjalë nuk duhet të ketë assesi hapësirën mediatike edhe në rrethana krejt normale, e kurrsesi në rrethana si kjo me pandeminë globale. Është shumë jo profesionale mënyra e tillë e të shkruarit. Më poshtë do të shikoni se si dëshira qorras  për të promovuar figura politike nga disa media, nuk njeh më asnjë kufi etik e moral.

“284 mijë persona mbetën të vdekur në vitin 2009 në botë nga virusi i derrit i cili ndryshe quhej H1N1. Edhe Maqedoninë nuk e la pa prekur, por një fakt interesant pas 11 viteve del, në atë kohë ka qenë Ministër i Shëndetësisë Bujar Osmani cili krijoi qendër intenzive në Klinikën Infektive. Sot ajo qendër ka shpëtuar shumë jetë sa i përket rasteve të Covid 19.”, thuhet në artikull.

Duke shfrytëzuat këtë zallamahi, kur çdo kush është kureshtar për çdo informacion që qarkullon, sidomos për virusin që ka kapluar gjithë botën, autori i artikullit ka vendosur të bëjë marketing për një figurë politike, pikërisht duke e ndërlidhur të njëjtin me situatën. Madje pretendon se ka gjetur “shpëtimtarin” e personave të prekur me Covid, sepse i njëjti ka qenë Ministër i Shëndetësisë 11 vite më parë, kur është krijuar qendra në fjalë.

Bëhet fjalë për ish ministrin e Shëndetësisë Bujar Osmani. Por autori i artikullit duhet të dijë se çdo person që përfaqëson popullin, e ka për obligim të plotësojë nevojat e popullit. Për më tepër gjithsecili që bën, krijon apo themelon një institucion shtetëror nuk e paguan nga xhepi i tij, por janë para të taksapaguesve.

“Mjekët që merren me sëmundjet infektive thonë se mos të ishte ajo qendër do të kishte shumë të vdekur nga Koronavirusi. Qendra e krijuar në 2009 është vija kryesore e frontit me virusin Korona. Një qendër që sot shpëton jetë njerëzish, ku në atë kohë pas krijimit nga Bujar Osmani janë blerë edhe aspirator që vazhdojnë të shfrytëzohen edhe këto ditë me virusin Korona.”

Autori i tekstit iu referohet mjekëve që merren me sëmundje infektive, kinse ata kanë thënë se po të mos ishte kjo qendër do të kishte shumë të vdekur nga korona virusi. E kemi theksuar gjithmonë dhe po e theksojmë sërish, nëse nuk përmenden emra kur përdor shumësin për persona të fushave të caktuara, vetëm sa ia ke shtuar mosbesimin lexuesve.

Problemi i dytë dhe më i madh moral në këtë paragraf qëndron mu në këtë fjali “… po të mos ishte kjo qendër do të kishte shumë të vdekur nga korona virusi”. Është e pafalshme dhe e pa kuptueshme se si mund të arrijë dikush në këtë nivel, profesional jo e jo, por njerëzor, të japë konstatime të tilla. Nuk qëndron aspak se në mungesë të kësaj qendre do të kishin vdekur shumë njerëz nga virusi. Njerëzit në këtë rast, mund të vdesin vetëm nga  mungesa e mjekëve dhe nga pakujdesia e vetes në përmbajtjen masave të rekomanduara. Është fakt se objektet shëndetësore janë shumë të rëndësishme, por jo vendimtare për jetën, si në rastin që është ekzagjeruar.

Ky artikull është në kundërshtim me shumë nene të Kodit Etik të Gazetarëve, si nenet 6, 8, 13, 14. Ka më tepër komentim se sa fakte. Ka afërsi me figura politik, gjë që është e ndaluar me Kodin Etik, e shumë probleme të tjera profesionale.

“Gazetari nuk guxon të shfrytëzojë median për publikimin ose fshehjen e informatave për përfitime personale. Ryshfeti, korrupsioni dhe haraçi janë gjëra të huaja për profesionin e gazetarit. Nuk guxon të lejojë reklama dhe motivet tjera komerciale të ndikojnë mbi lirinë e informimit. Duhet të bëhet dallim mes reklamimit dhe tekstit me ilustrim të gazetarit.”

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.”

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.”

 “Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i     balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.”

Koncepti i manipulimit “Dikotomi false” dhe “Analogji false”

Në artikull është pretenduar se po të mos ishte qendra intensive do të kishin vdekur shumë persona, pra sipas tij nuk ka mundësi tjetër. Por nuk duhet harruar se institucionet në të tilla raste mobilizohen për të tejkaluar sa më lehtë situatën dhe jo më larg se para një jave u krijua spitali mobil, pikërisht për të tejkaluar këtë situatë. Domethënë ka edhe alternativa të tjera dhe nuk është ose  ajo qendër ose vdekje. Autori bën gjithashtu analogji midis  dy gjërave të palidhura, pastaj të njëjtën e përdor për të bërë një supozim krejtësisht jo etik. Bujar Osmani, aktualisht është zëvendës Kryeministër për Çështje Evropiane, ndërsa autori rrëmon në funksionet e mëparshme të të njëjtit për ta ndërlidhur situatën  me të dhe për të ‘dëshmuar’ se ai ka merita të mëdha në shërimin apo parandalimin e vdekjeve të shkaktuara nga Covid.

Për lexuesit

Lexuesit duhet t’i dënojnë tekstet dhe mediat e tilla me mungesën e vëmendjes së tyre dhe mungesën e klikimeve. Vëmendja juaj është ushqimi kryesorë për ta, prandaj duke i shmangur dhe injoruar tërësisht, rrjedhimisht do të ndihmoni në reduktimin e teksteve të tilla pa asnjë interes, mjaft propagandues dhe me ngjyrime politike. Një artikull, i cili shfrytëzon gjendjen tuaj emocionale si karrem për të përfituar, dijeni se nuk ka të bëjë aspak me gazetari. Gazetari nuk ngrit figura në një mënyrë të tillë, në një rast të tillë dhe me etikë të tillë.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .