Demantohet informata se një pjesëtar i FSK-së komentoi në përkrahje të Hamasit

*Përgatiti: Ridona Berisha

Ndezja e një lufte të re në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës ka ndikuar edhe në sferën e informimit në Kosovë. Në lidhje me këtë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka demantuar pretendimin e një artikulli të një portali në Kosovë, se kinse një pjesëtar i FSK-së ka dalë kundër qëndrimit zyrtar të shtetit të Kosovës, që e dënoi sulmin e Hamasit, dhe ka përkrahur masakrën e terroristëve të kësaj organizate. Por, personi i cili është cituar nga portali nuk është pjesë e FSK-së prej vitit 2018.

Më 11 tetor 2023, Gazeta Metro publikoi artikullin me titull “Pjesëtari i FSK-së i del kundër shtetit të Kosovës, përkrah masakrën e terroristëve të Hamasit ku ishin 40 foshnja”. Në përmbajtjen e artikullit shkruante se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka komentuar në lajmin ku në Izrael më 10 shtator u vranë të paktën 40 foshnja, duke shprehur respekt për Hamasin, që, sipas tij, kanë qenë profesionistë në këtë masakër.

Image

Njoftimi për media i Ministrisë së Mbrojtjes

Mirëpo, ky pretendim u demantua nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, e cila përmes një njoftimi për media ka deklaruar se informacionet e dhëna janë të rreme, duke i cilësuar si tendencioze, me qëllim të dëmtimit të imazhit FSK-së. Tutje, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka sqaruar se personi në fjalë nuk është më pjesë e FSK-së.

“Njoftojmë mediat dhe qytetarët se emri i lakuar i qytetarit Hajzer Shyti, në portalin METRO, nuk ka të bëjë fare me FSK-në, i apostrofuari është demobilizuar prej FSK-së para 5 (pesë) viteve”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes dërguar mediave.

Në hulumtimin e Sbunkerit në lidhje me këtë koment rezulton se personi i cituar e ka fshirë llogarinë e tij në “Facebook”. Po ashtu, edhe media online që e publikoi lajmin më pas e ka fshirë atë.

Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar prej mediave që në rrethana të tilla të jashtëzakonshme t’i verifikojnë lajmet e rreme që kanë të bëjnë me imazhin e ushtrisë së Kosovës. “Të kenë kujdes të mos japin lajme të paverifikuara, se kështu u bëjnë shërbim vetëm atyre që nuk e duan shtetin e Kosovës dhe sigurinë e sajka qenë lutja e Ministrisë së Mbrojtjes.

FSK-ja vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme në vend dhe publikimi i artikujve ndikon në krijimin e perceptimit se FSK-ja dhe pjesëtarët e saj janë mbështetës të organizatave terroriste. Më tej, në Ministrinë e Mbrojtjes kanë theksuar se nuk e kanë të qartë motivin e mediumit për të shpifur, keqinformuar dhe njollosur emrin e ushtrisë së Kosovës. Pas sulmit të Hamasit mbi Izraelin me raketa dhe këmbësori, udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës e dënuan aktin terrorist duke i dhënë mbështetje Izraelit në ruajtjen e sovranitetit nga ky agresion. Izraeli është shteti i fundit që njohu pavarësinë e Kosovës më 4 shtator të vitit 2020.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.