ANALIZË: Zgjedhjet dhe kreditimi – çfarë po ndodh në sektorin bankar?

Foto: Printscreen Portalb

 

Zgjedhjet presidenciale, në vitin e ardhshëm zgjedhjet e rregullta parlamentare, ndërsa në vitin 2021 zgjedhjet e rregullta lokale – a do të reflektohen të gjitha këto cikle zgjedhjesh edhe në sektorin bankar, veçanërisht në kreditimin dhe kursimin? Pas përfundimit të tremujorit të parë ekonomik, Banka Popullore bëri një përmbledhje të rezultateve, sipas të cilave  baza e depozitave në nivel mujor (mars/shkurt) u rrit për 0.4%, ndërsa te kreditë rritja ishte 1.0%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Vetëm në bazë të kredive konsumatore, në fund të tremujorit të parë, qytetarët bankave u kanë borxh 1.3 miliardë euro.

 

Shkruan:  Aneta Dodevska 

 

RRITJA E KËRKESAVE TË DYSHIMTA DHE KONTESTUESE TË PERSONAVE FIZIKË…

Për gati 1 milion euro, në mars krahasuar me muajin shkurt, janë zvogëluar kërkesat e dyshimta dhe kontestuese në sektorin bankar. Megjithatë, të dhënat më të fundit tregojnë se zvogëlim të këtyre kërkesave që kanë të bëjnë me pagesën jo të rregullt të kësteve të kredive ka edhe në sektorin e korporatave, ndërsa kreditë jofunksionale në nivel mujor janë rritur në sektorin e amvisërive. Në fund të tremujorit të parë, shuma e kërkesave të dyshimta dhe kontestuese arriti në 269.7 milionë euro, ndërsa në shkurt, 270.7 milionë euro. Disa bankierë komentojnë se të dhënat zyrtare tregojnë rritje të kreditimit dhe të kursimit, si dhe i kredive jofunksionale, por megjithatë tregojnë shenja të likuiditetit më të ulët të klientëve për pagesën e rregullt të kësteve të huave.

Nuk ka ndryshime të rëndësishme sa i përket kërkesës për kredi, por duke qenë se bëhet fjalë për cikël zgjedhor, është e zakonshme të ketë një “ngadalësim” të caktuar duke i pasur parasysh kufizimet ligjore për pagesat buxhetore dhe ato që lidhen me menaxhimin e parave publike. Vërehet edhe një trend i “pagesave të vonuara” në këtë periudhë, veçanërisht te pagesat e kësteve të personave fizikë – komenton një bankier nga njëri prej grupacioneve kryesore bankare në vend.

Edhe bankat e tjera kanë vlerësim të ngjashëm:

Nuk ka ndryshime të rëndësishme në kërkesën për kredi nga personat fizikë, dhe në periudhën e kaluar vërehet një zvogëlim i kërkesave nga kompanitë, dhe kjo pritet në këtë periudhë zgjedhore – thonë bankierët.

Në fund të marsit, kërkesat e dyshimta dhe kontestuese te amvisëritë arritën në 60.2 milionë euro dhe në krahasim me muajin shkurt ato u rritën për rreth 765.000 euro, ndërsa kreditë jofunksionale në sektorin e korporatave arritën në 209.5 milionë euro dhe në krahasim me muajin shkurt ato janë zvogëluar për 1.7 milionë euro.

KURSIMI DHE KREDITIMI…

Për qytetarët, kreditë për banesa dhe kreditë konsumatore janë më të kërkuara dhe më të miratuara nga bankat në tremujorin e parë ekonomik. Në fund të muajit mars, në bazë të kredive konsumatore, amvisëritë bankave u kanë pasur borxh 1.3 miliardë euro, ndërsa në bazë të kredive për banesa, 755.7 milionë euro. Këto dy lloje të kredive gjithashtu shënojnë edhe përqindje më të larta të rritjes edhe në nivel mujor edhe në atë vjetor, ndërsa te kreditë për automobila pas një periudhë më të gjatë të trendit negativ, për herë të parë është shënuar përqindje e rritur në nivel mujor, më e lartë se 2%.

Analizuar sipas qëllimit të kredive që u janë miratuar personave fizikë, këtë muaj, kategoria më e përfaqësuar – kreditë konsumatore, shënuan rritje mujore dhe vjetore prej 1.2% dhe 10.9%, respektivisht. Kreditë për banesa gjithashtu janë rritur për 1.2% në baza mujore, ndërsa përqindja vjetore e rritjes së këtij komponenti mbetet e pandryshuar në krahasim me muajin paraprak dhe është në 13.6%. Pas përqindjeve negative në muajin e mëparshëm, në muajin mars, kreditë për automobila regjistruan rritje mujore dhe vjetore prej 2.3% dhe 0.4%,përkatësisht – njofton Banka Popullore.

Kreditë e miratuara për kartelat kreditore në baza mujore kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa në nivel vjetor ato shënuan rënie prej 0.4%. Në muajin mars, bilancet negative në llogaritë rrjedhëse shënuan rritje mujore prej 1.1%,ndërsa në bazë vjetore ky komponent shënoi rritje prej 8.4%.

Në fund të tremujorit të parë ekonomik, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave është afër 5.3 miliardë euro,me ç’rast në nivel mujor është regjistruar rritje prej vetëm 1%.

Kreditimi ( tre mujori i parë i vitit 2019):

Kredite në total   5,3 miliard euro

Kredite për amvisëri 2,6 miliard euro

Kredite të sektorit të korporatave  2,7 miliard euro

Në nivel vjetor, kreditë e përgjithshme kanë shënuar rritje prej 9%. Rritje ka edhe te kursimet. Baza e përgjithshme e depozitave deri në fund të muajit të tretë të këtij viti arriti në 6,14 miliardë euro, ndërsa në nivel mujor u rrit për pothuajse 27 milionë euro ose për vetëm 0,4%. Rritje u regjistrua edhe te depozitat e sektorit të korporatave edhe te kursimi i amvisërive.

Në mars të vitit 2019, depozitat e përgjithshme të sektorit të korporatave ishin më të larta për 0.3% në nivel mujor. Analizuar në bazë vjetore, depozitat e sektorit të korporatave u rritën me 12.1% – deklaruan nga NBM-ja.

 

Kursimi ( tre mujori i parë i vitit 2019):

Depozitat e amvisërive              4,1 miliard euro

Depozitat të sektorit të korporatave    1,6 miliard euro

Depozitat e përgjithshme të amvisërive, shënojnë rritje mujore prej 0.2% për shkak të rritjes së depozitave afatgjata në denarë dhe në valutë të huaj dhe depozitave afatshkurtra në valutë të huaj. Përqindja vjetore e rritjes së depozitave të amvisërive është 8.7 për qind. Zakonisht, ciklet e zgjedhjeve në vend dhe ngjarjet në skenën politike në përgjithësi ndikojnë në trendet e përgjithshme ekonomike, të pasqyruara përmes përmbajtjes nga investimet, por edhe duke u përmbajtur nga kërkesa më e madhe për kredi.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.