Rruga për në Bellanoc, projekt i 2013-ës ende i papërfunduar

Projekti: “Haraçinë- Likovë, 27 km, rikonstruimi dhe zgjerimi i rrugës rajonale”-  Rrugë rajonale që lidh Komunën e Haraçinës me atë të Likovës, si dhe të gjithë fshatrat e Karadakut, me qëllim të qarkullimit të lirshëm. (afati i realizimit – 2015) 

ARSYETIM:

Projekti ishte pjesë e Programit Qeveritar që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2011 të BDI-së. Projekti duhej të realizohej në tre faza dhe si afat për përfundim të projektit u dha viti 2013. Meqenëse projekti nuk arriti të përfundohej në afatin e caktuar (2013), si afat tjetër i fundit për realizim ishte dhënë viti 2015. Deri më tani (31.10.2016) projekti “Haraçinë- Likovë, 27 km rikonstruimi dhe zgjerimi i rrugës regjionale” është nuk është realizuar. 

Me mjetet e siguruara nga Qeveria e R.M-së me vlerë prej 160 mijë euro, më 13.05.2011 filloi asfaltimi i pjesës nga rruga mes fshatrave Likovë dhe Mateç, në gjatësi prej pesë kilometrave. (burimi: Lajmeshqip, 13.05.2011 2011)

Në kohën kur projekti duhej të ketë përfunduar (2013),  rifilluan premtimet për realizimin e projektit për vitin 2015.

“Rruga rajonale që lidh Komunën e Haraçinës me atë të Likovës, si dhe të gjithë fshatrat e Karadakut do të rikonstruohet dhe asfaltohet”. (burimi: Alsat-M, 29.05.2013)

Kështu ripremtoi zv/kryeministri Musa Xhaferi, më 29.05.2013 gjatë përurimit të nisjes së punimeve për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës regjionale Haraçinë- Likovë, që sipas tij, ishte projekt prioritar për Qeverinë.

“Sot këtu shënojmë fillimin e rikonstruimit dhe asfaltimit të rrugës rajonale, nga Haraçina në Komunën e Likovës, përkatësisht fazën e parë të rrugës që përfshin diku 15 kilometra…Do të ketë rikonstruim dhe zgjerim të rrugës, përafërsisht sipas parametrave teknike do të ketë diku 6 metra gjerësi “. (burmi: Alsat-M, 29.05.2013)

Më 02.10.2013, nga Agjencia e rrugëve të Maqedonisë u inspektuan punimet që po zhvilloheshin.

“Prej 14 kilometrave që duhej të punohen, deri tani janë kryer 7 kilometra. Mund të shihni se makineria është në rrugë. Pretendojmë që deri në fund të vitit, sipas dinamikës së planit do të përfundohet i gjithë rehabilitimi i kësaj pjese prej 14 kilometrave”. (burimi: Aleksandar Stojanov)

Dhjetë ditë më vonë, nga Shërbimi Informativ i Komunës së Haraçinës, nëpërmes disa fotografive të postuara në rrjetin social ‘Facebook’, mund të shohim punët që ishin zhvilluar prej ditës që filluan punimet (29.05.2013).

(burimi: Shërbimi Informativ i Komunës së Haraçinës, 22.10.2013)

Punimet zgjatën deri më 25.02.2014, atëherë kur përfundoi faza e parë e realizimit të projektit. Faza e parë përfshinte rikonstruimin e rrugës nga Haraçina deri në fshatin Ropalcë.

“Sot promovojmë fazën e parë të kësaj rruge nga fshati Haraçinë deri në fshatin Ropalcë të Komunës së Likovës. Punimet në realizimin e kësaj faze kanë përfunduar para kohe që është një angazhim maksimal i të gjitha institucioneve përgjegjëse”. (burimi: Alsat-M, 25.02.2014)

Nga zv/kryeministri Musa Xhaferi u njoftua se, në pjesën nga Likova deri në fshatin Orizarë, vazhdojnë punimet dhe pritej që brenda vitit të përmbyllen të gjitha procedurat dhe të shpallet thirrja publike për ndërtimin edhe të pjesës nga fshati Ropalcë deri në fshatin Mateç. (burimi: Alsat-M, 25.02.2014)

Nga Televizioni Festa, u konfirmua se kanë filluar punimet me fazën e dytë, prej vendin të quajtur ‘Bunari i Bejës’, në f.Sllupçan e deri në dalje të f.Likovë e në hyrje të f.Hotël. (burimi: TV Festa)

Më 10.07.2014,  nga Komuna e Likovës njoftuan se është kryer përgatitja e dokumentacionit teknik për vazhdimin e punimeve, dhe si afati përfundimtarë për përfundimin e punimeve është viti 2015.

“Sipas kontratës së nënshkruar të operatorit ekonomik me ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore, kjo rrugë duhet të përfundoj punimet më së voni brenda 24 muajve- nëntor të vitit 2015”. (burimi: Shërbimi Informativ i Komunës së Likovës)

Më 12.08.2015, Kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, duke pasur parasysh se punët për asfaltimin e rrugës deri në pikën kufitare nuk kishin përfunduar në afatin e premtuar (nëntor 2015), ri-premtoi  se asfaltimi pritet të bëhet vitin e ardhshëm, por përsëri duke mos saktësuar ndonjë afat përfundimtarë për përfundimin e projektit.

“Aktualisht bëhet tamponimi i rrugës.  Duhet të kemi parasysh pozitën gjeografike. Bëhet fjalë për një pjesë të mirë që kalon nëpër rajon malor. Në vitin 2016 do të fillojë të bëhet asfaltimi i rrugës. Kjo është ajo që na takon neve, pastaj Qeverisë i mbetet objekti i pikës kufitare dhe hapja e kufirit”. (burimi: Faktinews, 12.08.2015)

Ndërkaq, nga komuna e Gjilanit, gjegjësisht, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, më 18.10.2015, kishte njoftuar se gjithçka është gati nga ana e tyre dhe po pritet  finalizimi nga ana e Maqedonisë për hapjen e kufirit.

Ne, Komuna e Gjilanit, jemi të përgatitur, rruga në pjesën tonë është e kryer, kurse presim vetëm këtë muaj të finalizohet nga ana e Maqedonisë dhe të bëjmë hapjen zyrtare“. (burimi: ShqipMedia, 18.10.2015)

Në fillim të vitit 2016, nuk pati ndonjë përshpejtim të punimeve. Kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, tha punët nuk janë duke u zhvilluar në dinamikë të duhur.

Është duke u punuar me një dinamikë jo të bollshme, por kryesisht është e paraparë që punët të kryhen deri në vitin 2016“. (burimi: Tv 21, 11.03.2016)

Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Nimetullah Halimi, ngecjen e punimeve për mos asfaltimin e rrugës deri në pikën kufitare Bellanoc-Stançiq e arsyeton me pengesat teknike dhe klimatike që janë paraqitur në terren.

Ndërsa,  Kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Demjanovski, kishte deklaruar se nga ana e Komunës së Likovës kanë mbetur diku edhe 3/4 km, por pa dhënë ndonjë afat të caktuar për përfundimin e punimeve. (burimi: Alsat-M, 19.07.2016)

As edhe deri në korrik të vitit 2016, Maqedonia nuk arriti të përmbushë ende obligimim për asfaltimin e rrugës, edhe pse viti 2016 ishte përcaktuar si afat i fundit për përfudnimin e punimeve. Më 23.07.2016, përmes një materiali të përgatitur nga Televizioni Alsat-M, mund të vlerësojmë se sa është punuar në këtë drejtim.

Nga Shërbimi Informativ i Komunës së Likovës, përmes disa fotografive të nxjerrura në rrjetin social Facebook, mundë të shohim që në aksin rrugorë Opajë-Sllupçan-Allashec-Bellanoc është bërë vetëm tamponimi i rrugës.

Së fundmi, më 31.11.2016, Kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku në një prononcim për Vertetmatësin, deklaroi se ka mbetur të përfundohet pjesa nga hyrja në Hotël deri në Ropalcë, por edhe kësaj radhe pa përcaktuar ndonjë afat të fundit për përfundimin e pjesës së mbetur.

Ka mbetur pjesa prej hyrjes në Hotël deri në Ropalcë, ndërsa nga tjerat anë është përfunduar”.

Ky projekt u premtua që do të përfundojë në fund të vitit 2013. Meqenëse projekti nuk arriti të përfundojë në vitin 2013, si afat i fundit për përfundimin e punimeve u premtua viti 2015 . Si pengesë për mosrealizimin e projektit u paraqiten arsyetime të ndryshme (ato të shpronësisë, problemet teknike dhe klimatike etj.) as gjatë vitit 2015 nuk pati ndonjë realizim konkret. Sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, nga ajo që kemi mundur të vlerësojmë deri më tani 31.10.2016, mund të përfundojmë që projekti “Haraçinë- Likovë, 27 km rikonstruimi dhe zgjerimi i rrugës rajonale”,  nuk është realizuar. 

BURIME:

Vlerësuar nga: Rabie Abazi