Ziadini dhe Bilalli nuk janë shokë të gazetarit, informimi për to duhet të jetë objektiv

Komentet që zënë vend në lajm e bëjnë të pamundur informimin objektiv dhe të vështirë ndarjen e fakteve nga qëndrimet e gazetarit. Lexuesit nuk mund ta dallojnë ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra. Lajmi, nëse synon të jetë në kuadër të standardeve profesionale, nuk guxon të jetë subjektiv dhe i njëanshëm, nuk guxon të jetë tendencioz dhe nënçmues, siç është lajmi që recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Ziadini dhe Bilalli përmbledhin bishtin dhe votojnë rresht për një, asgjë nga burrnia e tyre

Data dhe koha e publikimit: 16.02.2020, ora 20:27

Data e recensionit: 17.02.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Gazetari ka të drejtë të ketë qasje kritike ndaj veprimtarisë ose vendimeve të një politikani, lideri politik ose të një partie politike. Kjo është puna e tij. Nëse një politikan lëviz nga qëndrimi këmbëngulës i tij, gazetarit duhet t’i interesojë arsyeja që ka nxit ndryshimin.

Përgjigja duhet fillimisht të kërkohet te personi që është cak i lajmit. Në rastin konkret, se pse dy krerët e partive Sela dhe Kasami kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për ligjin e prokurorisë, duhet të ishin pyetur direkt ata dy. Titulli i tekstit është joprofesional për disa arsye. E para, ka një mënyrë formale se si gazetari u drejtohet personave që mbajnë pozita të caktuara në shoqëri.

Sigurisht, për gazetarin, nuk është e pranueshme që t’u drejtohet me emra “Ziadini dhe Bilalli”. Kjo është tendencioze me qëllimin për të ulur relevancën e tyre. E dyta, titulli përmban shumë komente, që po ashtu janë nënçmuese dhe ofenduese për të dy liderët politik në fjalë.

Subjektiviteti është jashtë kornizës së informimit etik

Gazetari u sugjeron Selës dhe Kasamit që të heshtin meqë, siç shkruan ai, kanë dalë “blof”. Ai shkon deri aty sa konteston “burrninë e tyre”. Në vend se të informojë në mënyrë objektive se ata kanë ndryshuar qëndrimin për të cilin më herët ishin kategorik, gazetari ka zgjedhur fjalë të tjera, aspak profesionale, si “u treguan të luhatshëm”, “me qëndrime të dyzuara”, “në fund përmblodhën bishtin”, “votuan rresht për një” dhe “asgjë nga burrnia e tyre”.

Ndonjëherë në politikë është më mirë të heshtësh se sa të dalësh në fund blof.Akoma më keq kur gëlltit ato që ke thënë dhe vetëm për disa ditë ndryshon tërësisht duke treguar jo seriozitet politik dhe si subjekt politik.
***

Ziadini dhe Bilalli edhe njëherë u treguan të luhatshëm dhe me qëndrime të dyzuara për shkak se përkundër asaj se ishin kategorik se nuk do votonin këtë ligj të rëndësishëm,bënë shumë zhurmë dhe në fund përmblodhën bishtin dhe votuan rresht për një, duke mos treguar asgjë nga burrnia e tyre.Në fakt votat e tyre LSDM i ka patur të sigurta përherë në këtë mandat tre vjeçarë – shkruan në tekstin që recensojmë.

Kodi etik i gazetarëve thekson se “Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit”.

Teknikat e manipulimit

Autori i tekstit ka tentuar të manipulojë lexuesit duke përdorur sulmin ndaj njeriut, në këtë rast, ndaj Selës dhe Kasamit. Ai po ashtu ka neglizhuar të dhënat themelore duke mos marrë për bazë arsyet që partitë kanë dhënë si sqarime se pse në fund kanë zgjedhur ta votojnë ligjin. Teknikat e manipulimit sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Ky nuk është lajm. Në këtë shkrim mungojnë burimet, mungojnë qëndrimet e palëve të përfshira, mungon realizimi i plotë i misionit nga ana e gazetarit për të kërkuar sqarime dhe përgjigje prej tyre dhe për të informuar drejt lexuesit. Gazetari ka zgjedhur të shprehet subjektivisht duke shkruar qëndrimin e tij personal për dy liderët sikur të ishte lajm. Kjo do t’i lejohej si shkrim në një kategori të veçantë në media të caktuar për komente, opinione ose editoriale, por jo në kategorinë e lajmeve.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Your email address will not be published.