Twitter është tërhequr nga kodi vullnetar i dezinformatave të BE-së
Nga gushti, Twitter do të jetë i detyruar ligjërisht të luftojë dezinformimin në Bashkimin Evropian
Rrjeti social Twitter është tërhequr nga kodi vullnetar i Bashkimit Evropian (BE) për të luftuar dezinformimin. Lajmi u bë i ditur nga komisioneri i tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton, i cili paralajmëroi kompaninë e Elon Musk se do të duhet të respektojë ligjet e reja, raporton BBC.
“Detyrimet mbeten. Mund të ikësh, por nuk mund të fshihesh”, ka shkruar Breton në Twitter.
Nga 25 gushti, Twitter, si të gjitha platformat e tjera me më shumë se 45 milionë përdorues aktivë mujorë në BE, do të jetë i detyruar ligjërisht të luftojë dezinformimin në bllok.
“Ekipet tona do të jenë gati për të zbatuar,” shtoi komisioneri i tregut të brendshëm Breton.
Dhjetra kompani të teknologjisë janë të regjistruara nën kodin e dezinformimit të BE-së, duke përfshirë Meta – që zotëron Facebook dhe Instagram, si dhe Google, Microsoft, TikTok dhe Twitch.
I lançuar qershorin e kaluar, kodi synon të parandalojë përfitimet nga dezinformatat dhe lajmet e rreme, si dhe të rrisë transparencën për të parandaluar përhapjen e robotëve dhe llogarive të rreme të përdoruesve.
Kompanitë që nënshkruajnë kodin mund të vendosin se cilat premtime do t’i bëjnë BE-së – duke bashkëpunuar me kontrolluesit e fakteve ose duke monitoruar reklamat politike.
Që kur Elon Musk mori përsipër rrjetin social Twitter, kritikët thonë se moderimi i përmbajtjes atje është zvogëluar, gjë që ka lejuar rritjen e përhapjes së dezinformatave. Gjigandi i mediave sociale kishte një ekip të përkushtuar që punonte për të luftuar fushatat e koordinuara të dezinformimit, por ekspertët dhe ish-punonjësit e Twitter thonë se shumica e atyre specialistëve janë larguar ose janë shkarkuar.
BBC zbuloi muajin e kaluar se qindra profile të propagandës shtetërore ruse dhe kineze po lulëzonin në rrjetin social.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari