Shumë kërçovarë ende hezitojnë të vaksinohen kundër Kovid-19, mjekja apelon për vaksinim

Në krahasim me qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut, Kërçova nuk bën pjesë në mesin e qyteteve me më pak të vaksinuar, megjithatë, përqindja e të vaksinuarve në këtë qytet ende nuk është e kënaqshme. Deri tani, në Kërçovë janë vaksinuar gjithsej 37,7% e popullatës ndërkaq bazuar në këtë përqindje, mjeka Simona Sapunxhija thotë se as nuk mund të bisedohet për imunitet kolektiv, ajo apelon te të gjithë të vaksinohen, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Kërçovës qëndon në mesin e qyteteve me më shumë të vaksinuar, në krahasim me komunat tjera në Maqedoninë e Veriut, ditëve të fundit në këtë qytet ka rritje të numrit të të infektuarve me Kovid-19.

Deri tani, në Kërçovë janë vaksinuar gjithsej 37,7% qytetarë, sipas raportit të fundit të Insitutit për Shëndet Publik (IShP).

Ndërkaq, aktualisht të sëmurë me Kovid-19 në Kërçovë janë 77 persona ndërkaq nga fillimi i pandemisë në këtë qytet gjithsej 4291 persona kanë kaluar virusin kiorona, prej të cilëve 4030 janë regjistruar si të shëruar kurse 184 kanë ndërruar jetë.

Theksojmë se statistikat e lartëpërmendura janë marrë nga analiza e Institutit për Shëndet Publik për periudhn 13-19.12.2021, për ta lexuar këtë analizë të plotë, klikoni KËTU.

Bazuar në statistikat e lartëpërmendura, mjekja Simona Sapunxhija në një prononcim për Portalb.mk theksoi se në këtë qytet as nuk mund të flitet për imunitet kolektiv, ai rekomandoi të gjithë kërçovarëve të vaksinohen, si mjet i vetëm aktualisht për parandalimin e sëmundjes të rëndë nga virusi korona.

“Me vaksinim të 37,7% ende as nuk mund të flitet për imunitet kolektiv. Qëllimi I vaksinave është të imunizohet popullata para se të infektohet apo para se të zhvillojë sëmundje aktive, që do të thotë se qëndrimi im dhe rekomandimet e mia drejt të gjithëve janë që të vaksinohen” tha mjekja Simona Sapunxhija.

Sapunxhija shtoi se përkundër apelit të mjekëve nga e gjithë bota për vaksinim masiv, në popullatë ende ka skepticizëm në lidhje me efektin e tyre, megjithatë, sipas saj vaksinat janë dëshmuar në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe jo vetëm të virusit korona.

“Edhe përkundër aludimit të mjekëve në gjithë botën për nevojën e vaksinimit, në popullatë ende ekziston frika dhe skepticizmi nga vaksinat edhe pse ndër vite, jo vetëm vaksinat kundër Kovid-19 por në përgjithësi të gjitha vaksinat kanë treguar rezultate pozitive në parandalimin e sëmundjeve. Që të mundemi të themi se është arritur imuniteti kolektiv duhet që një pjesë e madhe e popullatës ose të jetë vaksinuar apo të kishte kaluar sëmundjen. Përqindja e nevojshme për këtë ende nuk dihet me siguri, megjithatë, thuhet të jetë rreth 80% deri në 90%, varësisht prej varianteve të ndryshme të virusit” shtoi mjekja Simona Sapunxhija.

Korona Virus, foto: JC Gellidon, Unsplash

Pse është imuniteti i tufës i rëndësishëm?

Imuniteti kolektiv ndodhë kur një pjesë e madhe e komunitetit (popullatës) bëhen imun ndaj sëmundjes, gjë që e ul edhe transmetueshmërinë e virusit. Me këtë, i gjithë komuniteti është i mbrojtur – jo vetëm ata që janë imun ndaj virusit.

Si arrihet imuniteti kolektiv?

Ekzistojnë dy forma kryesore se si mund të arrihet imuniteti kolekvit për Kovid-19, infektimi dhe vaksinat.

Infektimi natyral

Imuniteti kolektiv mund të arrihet kur një numër i konsiderueshëm i popullatës janë shëruar nga virusi dhe kanë zhvilluar antitrupa mbrojtës në rast të infektimit në të ardhmen.

Megjithatë, ky lloj i arritjes së imunitetit kolektiv me vete mbartë një sërë problemesh, të cilat rrezikojnë sidomos personat të cilët janë më të rrezikuar nga virusi.

Reinfektimi – nuk është ende e qartë se për sa kohë je i mbrojtur nga virusi korona nga momenti kur shërohesh. Sepse, edhe në qoftë se ke antitrupa, përsëri mund të infektoheni me Kovid-19.

Imuniteti kolektiv përmes vaksinave

Imuniteti kolektiv gjithashtu mund të arrihet në qoftë se një numër i konsiderueshëm i njerëzve janë vaksinuar kundër virusit dhe kështu kanë zhvilluar antitrupa mbrojtës në rast të infektimit në të ardhmen. Ndryshe nga metoda natyrale, vaksinat krijojnë imunitet pa pasur nevojë ta kaloni sëmundjen e cila mund të rezultojë në komplikime të mundshme. Në këtë metodë të imunitetit kolektiv, vaksinat në mënyrë të suksesshme kanë kontrolluar sëmundje ngjitëse në të kaluarën.

Imuniteti kolektiv e bën të mundshme mbrojtjen e popullatës nga sëmundje, përfshirë këtu edhe ata që nuk mund të vaksinohen, si të sapolindurit apo ata të cilët kanë arsye tjera shëndetësore për të mos e bërë këtë.

Ndryshe, transmetimi i infeksionit ndalet mes banorëve kur vaksinohet një përqindje e madhe. Për të kriuar imunitet kolektiv, është ideale të vaksinohen mbi 90%, por jo më pak se 50% e popullsisë. Nëse vaksinimi është më i ulët, atëherë virusi vazhdon të qarkullojë midis njerëzve dhe herë pas here shkakton pasoja të rënda tek individet e ndjeshëm ndaj tij.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari