,,Screeshot” i një mesazhi privat i përdorur për të manipuluar me votuesit

Foto nga lajmi që recensojmë.

Shkruan: Ardit Ramadani

Në periudhë parazgjedhore, po recenzojmë një lajm të njëanshëm politikisht me titull “Shqiptarët LSDM-në dhe BESËN e çojnë në P.N (DOKUMENT)”. Megjithatë, lajmi të cilin e recensojmë tani përveç që është i njëanshëm dhe i motivuar politikisht, nxit ndarje ndëretnike si dhe tenton të manipulojë me emocionet e lexuesve. Gjithashtu, në këtë lajm përdoret një gjuhë e cila bie në kundërshtim me Kodin Etik të gazetarëve.

Gjuha e cila është përdorur në titullin e këtij lajmi është skandaloze, jo të gjithë përdoruesit e “fejsbuk”-ut janë të moshës mbi 18 vjeç, ndërkaq të gjithë kanë qasje në këtë lajm, i cili realisht përdor fjalë të cilat nuk i kanë hije një gazetari si dhe janë të papranueshme nga aspekti i standardeve bazike të etikës gazetareske.

Kodi Etik i gazetarëve  thotë kështu : “Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit”.

Nga titulli deri te përmbajtja e tekstit, autori bën një ndarje të tmerrshme mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo formë e manipulimit është e njohur dhe në doracakun e Crithinkut quhet thirrje në emocione.

Pra, duke përmendur vazhdimisht fjalën “shqiptarët” dhe duke gjeneralizuar me këtë të fundit, ai mundohet të manipulojë me emocionet e lexuesve në mënyrë që këta të fundit të mos mund të zhvillojnë mendim kritik dhe të arsyeshëm për çështjen konkrete, gjegjësisht të informohet, në vend që të ndikohet.

“Bilall Kasami kërkoi shpëtim përmes Zaevit ndërsa ky i fundit besoi tek Bilall Kasami, por sa më shumë që afrohet dita e zgjedhjeve aq më shumë po e shohin forcën politike që u shterret. Këto dy parti tashmë kanë filluar të ndjejnë krizën dhe mbështetjen që po zbehet dita-ditës” thuhet në lajmin që recensojmë.

Pra, qartë shihet se bëhet fjalë për mendimet dhe opinionin e autorit të këtij lajmi dhe jo për një shkrim të zhanrit informativ.

Me këtë, është shkelur edhe një parim i Kodit Etik që thotë kështu “Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve”.

“Screenshot” i një bisede nuk mund të prezantohet si “dokument” e as të gjeneralizohet

I gjithë lajmi është krijuar me qëllim që të bindë lexuesit se qytetarët, respektivisht ata të etnisë shqiptare nuk përkrahin koalicionin LSDM-BESA. Ndërkaq, për të vërtetuar këtë të fundit autori në titull thotë se posedon një “dokument”.

Gjëja e cila prezantohet si “dokument” nga ana e tij, është një screenshot ku një qytetar i përgjigjet faqes zyrtare të LSDM-së në fejsbuk me fjalë ofenduese dhe duke ju thënë se nuk do të votoje për ata. Pra, ka mjaftuar vetëm ky screenshot i një qytetari, që ky autor të konkludojë se shqiptarët nuk e përkrahin koalicionin e lartpërmendur.

Në këtë mënyrë nuk është siguruar distanca profesionale dhe paanshmëria nga subjektet politike dhe është bërë tentativë për t’i manipuluar votuesit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.