Partia që “BESËN” e shqiptarit ja dha “shkaut” e përkrah qëndrimin e Zaevit për tu bashkuar me VMRO-në kundër “Kryeministrit shqiptar”

 

 

Shkruan: Shefkije Alasani

Shembull për një tekst që nuk i respekton standardet gazetareske është artikulli që po recensojmë me titull: “Partia që “BESËN” e shqiptarit ja dha “shkaut” e përkrah qëndrimin e Zaevit për tu bashkuar me VMRO-në kundër “Kryeministrit shqiptar”, i publikuar në portalin informativ Aktuale.mk më datë 1 korrik.

Titulli i artikullit në fjalë ngjan më shumë në një koment subjektiv dhe emocional e që bie në kundërshtim me parimet themelore gazetareske. Neni 13 i Kodit etik të gazetarëve thotë:

 Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Titulli në fjalë ka tendencë për përhapje të gjuhës së urrejtjes. Përdorimi i termeve ofenduese për përkufizimin e një nacionaliteti bie ndesh me çdo standard gazetaresk. Në nenin 10 të Kodit etik të gazetarëve theksohet:

Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

Parimet gazetareske në këtë artikull, përveç se në titull, janë thyer edhe në përmbajtjen e tekstit. Ndryshe nga titulli që është shumë emocional dhe sensacional teksti është një raportim që i plotëson kriteret profesionale.Teksti origjinal i këtij artikulli është kopjuar, pa ndryshuar asnjë pikë e presje, nga uebfaqja e TV21, e megjithatë autori nuk e ka parë të nevojshme ta citojë burimin e tekstit. Një gjë e tillë bie ndesh me nenin 12 të kodit etik, ku thuhet:

Plagjiatura është e papranueshme. Citatet nuk nuk guxon të përdoren pa miratimin e burimit ose të autorit.

Çfarë e bën edhe më ironike është se në fund të tekstit si burim është cituar platforma informative online Bashk.tv. Edhe autorët e këtij mediumi nuk e kanë parë të nevojshme të citohet burimi origjinal i artikullit, por e kanë parë të arsyeshme që ta bashkëngjisin likun e videos edhe pse nuk i kanë të drejtat autoriale.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .