Opinioni publik në Maqedoninë e Veriut në lidhje me luftën në Ukrainë është dukshëm i ndarë
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë një mendim dukshëm të ndarë në lidhje me luftën në Ukrainë për të paktën dy çështje – kush është fajtori për luftën dhe cilën palë mbështesni në konfliktin ushtarak. Kështu ka treguar sondazhi i fundit i IRI-t për vendet e Ballkanit Perëndimor. Me përqindje të tilla të opinionit publik, bëhet e qartë se politika aktuale që shteti ka udhëhequr që nga momenti i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022, mund të vihet nën presion më të madh publik për të ndryshuar qëndrimin e vendosur ndaj linjës së Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë
Shkruan: Teofil Blazhevski
Qytetarët e Maqedonisë kanë një mendim të ndarë në mënyrë dramatike për luftën në Ukrainë për të paktën dy pyetje – Kush është fajtori për luftën dhe nëse shteti duhet t’i ndihmojë autoritetet në Kiev. Këtë e ka treguar sondazhi i fundit gjithëpërfshirës i Institutit Ndërkombëtar Republikan – IRI, i cili i referohet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, dhe i cili është kryer para zgjedhjeve, në mes të fillimit të shkurtit dhe marsit 2024. Në Maqedoni, 1220 të anketuar të rritur morën pjesë në anketë.
Të gjithë janë fajtorë për luftën
Në pyetjen “Kush është më përgjegjës për konfliktin ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës”, 17 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se përgjegjësia është e Rusisë, kundrejt 27 për qind që besojnë se Perëndimi është më përgjegjës. Vetëm 6 për qind e të anketuarve ia vënë fajin Ukrainës, ndërsa 38 për qind e të anketuarve ose shumica e përgjigjeve, fajësojnë të gjitha palët. Me këtë, opinioni në vend tregon një largim të konsiderueshëm nga qëndrimi aktual politik, të cilin të paktën publikisht e ndajnë fituesit e zgjedhjeve, se Rusia ka kryer agresion ndaj Ukrainës dhe se ai vend duhet të dënohet dhe të sanksionohet për këtë akt.
Më shumë s 50 përqind e të anketuarve nuk e dijnë se kush do të fitojë
Në pyetjen “Kush do të fitojë në konfliktin ushtarak”, 36 për qind e qytetarëve të Maqedonisë mendojnë se fituese do të jetë Rusia, vetëm 13 për qind e qytetarëve ia japin shanset Ukrainës, ndërsa 51 për qind e të anketuarve nuk e dinë apo refuzojnë të përgjigjen. Kështu, opinioni publik në vend është më afër përgjigjeve të marra në Serbi dhe Mal të Zi, ku për fitoren përfundimtare të Rusisë janë të bindur përkatësisht 68 për qind dhe 44 për qind. Anasjelltas, në Kosovë dhe Shqipëri, 47 për qind dhe 50 për qind e të anketuarve e shohin Ukrainën si fituese.
54 për qind nuk mbështesin asnjërën palë
Në pyetjen “Në konfliktin ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës, cilën palë e përkrahni”, shumica e të anketuarve, deri në 54 për qind, janë përgjigjur se nuk mbështesin as Rusinë dhe as Ukrainën. Nga ata që mbështesin njërën nga palët, diferenca është pothuajse e barabartë, me 19 përqind që mbështesin Rusinë dhe 18 përqind mbështesin Ukrainën. Vetëm 8 për qind nuk e dinë ose refuzuan të përgjigjen. Me këtë përgjigje, Maqedonia është diku në mes të tabelës mes pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, me përqindjen më të madhe në Serbi dhe Mal të Zi që mbështesin Rusinë, ndërsa përqindja më e madhe e të anketuarve në Kosovë dhe Shqipëri mbështesin Ukrainën.
Nëse bëhet një përfundim fillestar, është e qartë se opinioni në Maqedoni është mjaft i ndarë për disa çështje që lidhen me konfliktin në Ukrainë. Për shembull, sa i përket fajtorit të atij konflikti, numri më i madh i të anketuarve besojnë se të gjitha palët janë fajtore. Shumica e të anketuarve thonë se nuk e njohin fituesin e konfliktit ushtarak, por më shumë se një e treta mendojnë se do të jetë Rusia. Është gjithashtu domethënëse që më shumë se gjysma e të anketuarve nuk mbështesin asnjë palë në konflikt, që do të thotë se duan të jenë neutralë, pra, kështu e shohin ata pozicionin e dëshiruar të shtetit.
I vetmi grafik që tregon pak më shumë mbështetje për Ukrainën është ndoshta ai me përgjigjet në pyetjen “A mendoni se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë të justifikuara apo të pajustifikuara”, me 54 përqind që thonë se janë disi ose plotësisht të pajustifikuara, megjithëse numri i 33 për qind për të cilët kjo që po bën Rusia është plotësisht ose pjesërisht e justifikuar, nuk është aspak i vogël. (grafiku në faqen 82)
Rezultate të tilla tregojnë se është i mundur presion më i fortë publik ndaj Qeverisë në vend, për të ndryshuar politikën e saj të mbështetjes së plotë për Ukrainën dhe qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së për dënim të plotë dhe sanksione kundër Rusisë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari