Nuk është e vërtetë se sëmundja e sheqerit mundet të shërohet për një ditë

Lexuesit duhet të kenë shumë kujdes në përzgjedhjen e mediumve online nga ku informohen. Në mediat online shpërndahen në masë të madhe produkte mediatike me përmbajtje senzacionale dhe dezinformuase të cilan kanë për qëllim tërheqjen e sa më shumë klikimeve dhe jo informimin e opinionit. Një shembull tipik i këtyre rasteve është dhe përmbajtja që recensojmë, shkruan Portalb.mk.

Përmes titullit sensacional Lamtumirë Insulinë..!? Mjeku Shqiptar: Sëm undja e sheqerit shërohet për një ditë..!? lexuesve në internet ju imponohet të klikojnë dhe të lexojnë mbi një përmbajtje mediatike që transmeton informacione jo të sakta. Lajmi është publikuar më 17 korrik nga një portal me emrin “Gazetayte.Online” dhe pretendon se sëmundja e diabetit mundet të shërohet brenda një dite. Në përgjithësi përmbajtja mediatike është e cunguar dhe përveç të mungesës së informacionit dhe burimeve bazike ka dhe shumë probleme drejtshkrimore. Artikulli në fjalë është i shoqëruar me fotografinë e një burri me mantil të bardhë dhe bazohet në një status “facebooku” që pretendohet të jetë shpërndarë nga një mjek nga Kosova.

“Jeta është një, dhe shumë e bukur. Jetojeni atë me sa më pak komp likac ione të mundshme.” – shkruan në fund z.Morina. Më tej ai pretendon se ky shë rim i përjetshëm i këtyre sëm und jeve bëhet me anë të një teknike minimale invazive me 99% sukses. Sidoqoftë, nuk dihet nëse kjo gjë është pranuar nga komuniteti mjekësor dhe autoritetet kredibile shkencore.”, thuhet mes tjerash në artikull.

Arbër Morina është emri i mjekut që përmendet në artikullin e dyshimtë. Me një kërkim të shpejtë me këtë emër në Facebook mundet të vërtetohet se Arbër Morina është kirurg metabolik dhe kirurg i përgjithshëm – Endoskopist, nga Kamenica e Kosovës, megjithatë në profilin e tij nuk figuron ndonjë postim ky ai pretendon se mundet të shërojë diabetin brenda një dite. Madje, mundet të konstatohet se në fotografinë që e shoqëron artikullin nuk është dr. Arbër Morina.

Shpërndarja e përmbajtjeve sensacionale mediatike, me qëllim tërheqjen e sa më shumë klikimeve, është bërë trend në portalet informative online. Shpesh këto portale nuk plotësojnë asnjë kriter gazetaresk për funksionim dhe informim të opinionit publik dhe me ose pa qëllim në të shumtën e rasteve dezinformatat janë kryefjala e tyre. Servimi i një artikulli të tillë, pra si ky që po recensojmë, pa burime relevante pa artikulim profesional, pa emër autori dhe me fotografi të rreme ilustrative, është i dëmshëm për lexuesin. Një person që nuk është i mirë-informuar rreth temës në fjalë apo dikush në gjendje emocionale mundet ta pësojë keq nga të tilla “lajme”.

Përmbajtja e publikuar bie ndesh me disa pika të kodit etik gazetaresk

Me apo pa dashje duke publikuar një produkt të tillë mediatik, autori i pa njohur i këtij produkti mediatik bie ndesh me disa parime bazë të Kodit Etik të Gazetarëve. Një nga parimet gazetareske që është thyer në përmbajtjen që recensojmë është:

Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.

Profesioni i gazetarit kërkon ndërgjegjësim dhe përgjegjësi maksimale për informacionin që përcjell. Një gazetarë asjëherë nuk guxon të mbështetet në pretendime dhe spekulime. Vetëm faktet dhe burimet relevantë duhet të merren parasysh gjatë çdo transmetimi të një informacioni.

 Çfarë është sëmundja e diabetit dhe a mundet të shërohet brenda një dite

Ilustrim - matja e sheqerit në gjak/ Burimi i fotografisë: OBSH
Ilustrim – matja e sheqerit në gjak/ Burimi i fotografisë: OBSH

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) diabeti përkufizohet si sëmundje kronike që shfaqet ose kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon. Insulina është një hormon që rregullon glukozën në gjak. Hiperglicemia, e quajtur edhe rritje e glukozës në gjak ose rritje e sheqerit në gjak, është një efekt i zakonshëm i diabetit të pakontrolluar dhe me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze në shumë nga sistemet e trupit, veçanërisht nervat dhe enët e gjakut. Diabeti është një sëmundje shumë e përhapur në mbarë botën me trend të rritjes së numrit të diabetikëve viteve të fundit. Numri i njerëzve me diabet u rrit nga 108 milionë në vitin 1980 në 422 milionë në vitin 2014. Prevalenca është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në vendet me të ardhura të larta.

Nuk ekziston asnjë studim apo fakt shkencor që thotë se kjo sëmundje mundet të shërohet brenda një dite. Sipas OBSH ka disa mënyra që mundet të parandalohet sëmundja dhe gjithçka ka të bëjë me stilin e jetës, ku vlen të theksohet: pesha trupore, aktiviteti fizik ditor, dieta ushqimore dhe shmangia e duhanit. Sidoqoftë, diabeti është sëmundje që nuk ka shërim apsolut por mbahet në kontroll me mjekim të përditshëm. Një nga mënyrat më të rëndësishme për trajtimin e diabetit është mbajtja e një stili jetese të shëndetshëm.

Disa njerëz me diabet të tipit 2 do të duhet të marrin ilaçe për të ndihmuar në menaxhimin e niveleve të sheqerit në gjak. Këto mund të përfshijnë injeksione insuline ose ilaçe të tjera.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.