Nuk është e vërtetë që një 24 vjeçare nga Tetova ka vdekur nga gjakderdhja, e jo nga COVID-19
Shkruan: Mirosllava Burns
Informacioni i postuar në grupin në Facebook ,,Shëndeti nuk hyn me gjilpërë” përhapi mashtrime dhe panik, pas regjistrimit të viktimës më të re në moshë nga COVID-19 në Maqedoni, një grua 24-vjeçare nga Tetova që ishte shtruar në Klinikën e sëmundjeve infektive.
Në këtë grup në Facebook, me mbi 7,200 ndjekës, u postua informacioni, gjegjësisht një status në gjuhën shqipe me këtë përmbajtje:
NJË GËNJESHTËR E MADHE rreth vajzës 24-vjeçare:
Një grua që ka ndarë me të dhomën e spitalit dëshmon: vajza nuk vdiq nga korona por vdiq nga gjakderdhja dhe sepse nuk ju dha KURRËFARË ndihme mjekësore!
Pas kësaj, postimi u nda nga anëtarët e këtij grupi edhe në profilet e tyre.
Megjithatë, ky postim paraqet një manipulim dhe nuk është e vërtetë që vajza vdiq nga gjakderdhja dhe jo nga koronavirusi. Arsyeja për këtë është e thjeshtë. Gjatë gjithë qëndrimit në spital vajza ka qenë në një dhomë të izoluar, me një krevat ashtu siç e kërkon protokolli.
Drejtoresha e Klinikës të sëmundjeve infektive dhe gjendjeve febrile, Dr. Milena Stevanoviq në një deklaratë për Slloboden peçat e demantoi këtë informacion:
-Vajza ishte e vendosur në një dhomë teke, pastaj në repartin për kujdes intensiv përsëri në një dhomë me një krevat, kështu që zonja që pretendon diçka ndryshe, nëse ekziston me të vërtetë, duhet të turpërohet nga vetja. Është për të ardhur keq, tha për Slloboden peçat drejtoresha e Klinikës të sëmundjeve infektive dhe gjendjeve febrile, Dr. Milena Stevanoviq.
Më vonë u bë e qartë se postimi kishte të bënte me një rast në Kosovë dhe një vajzë 21 vjeçare nga Kosova, dhe se pretendimet ishin për një rast të atjeshëm, jo për rastin që shqetësoi publikun në Maqedoni.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari