Nuk është e vërtetë që në vitin 2019 kanë vdekur më shumë njerëz nga gripi sesa në vitin 2020 nga koronavirusi
Të dhënat e paraqitura në këtë postim nuk kanë kurrfarë lidhshmërie me situatën reale. Shifra prej 1.203 raste të vdekjes nga gripi në vitin 2019 nuk është aspak e saktë dhe nuk është as afër numrit aktual të vdekjeve që është shumë më i ulët se aq. Por edhe nëse kjo shifër do të ishte e saktë, ajo është dy herë më e ulët se numri i vdekjeve nga koronavirusi në vitin 2020 – 2.503, shkruan Vërtetëmatësi.
Në një postim në rrjetin social Facebook pretendohet se në Maqedoninë e Veriut në vitin 2019 ka pasur më shumë vdekje nga gripi sezonal, se sa vdekje nga koronavirusi në vitin 2020. Kjo është e pasaktë.
PAK STATISTIKË
NË MAQEDONI NË VITIN 2019 MË SHUMË NJERËZ KANË VDEKUR NGA GRIPI – 1.203 SE SA NGA KORONA NË VITIN 2020
!!!
Të dhënat e paraqitura në këtë postim nuk kanë kurrfarë lidhshmërie me situatën reale. Shifra prej 1.203 raste të vdekjes nga gripi në vitin 2019 nuk është aspak e saktë dhe nuk është as afër numrit aktual të vdekjeve që është shumë më i ulët se aq. Por edhe nëse kjo shifër do të ishte e saktë, ajo është dy herë më e ulët se numri i vdekjeve nga koronavirusi në vitin 2020 – 2.503.
Çfarë tregojnë të dhënat zyrtare për situatën me gripin në vitin 2019?
Së pari, është e rëndësishme të theksohet se gripi është dukuri sezonale, pra fillon në vjeshtë dhe përfundon në pranverë, me ç’rast shumica e rasteve shfaqen gjatë muajve të dimrit. Pra, për ta analizuar situatën me gripin në vitin 2019, duhet të analizojmë edhe të dhënat për sezonin 2018/2019 dhe sezonin 2019/2020.
Sipas të dhënave nga Instituti i shëndetit publik, në sezonin 2019/2020, numri i përgjithshëm i të sëmurëve me grip/sëmundje të ngjashme me gripin ka qenë 33.171. Megjithatë, nga numri i përgjithshëm i personave të infektuar, gjatë vitit 2019 janë regjistruar 828 të sëmurë ose 2.5%. Pjesa tjetër prej 97,5 përqind ose 32.343 persona janë regjistruar në vitin 2020.
Gjatë sezonit 2019/2020 janë regjistruar gjithsej 3 raste të vdekjes si pasojë e gripit.
Bëhet fjalë për persona të moshave të ndryshme – nga 14-85 vjet nga Shkupi, Koçani dhe Probishtipi, të cilët janë shtruar në klinika të ndryshme në QKU Nënë Tereza në Shkup. Te të gjithë të vdekurit u konstatuan sëmundje bashkëshoqëruese dhe asnjëri prej tyre nuk ishte i vaksinuar me vaksinën kundër gripit sezonal. Tek të tre personat është konfirmuar në laborator Influenza A/H1pdm, thuhet në raportin e ISHP-së.
Në sezonin 2018/2019, numri i përgjithshëm i të sëmurëve me grip/sëmundje të ngjashme me gripin ka qenë 21.531. Nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 1.218 të sëmurë ose 5,7 përqind. 94,3 për qind ose 20.313 të sëmurë janë regjistruar në vitin 2019. Gjatë sezonit 2018/2019 janë regjistruar gjithsej 29 vdekje si pasojë e gripit.
Të vdekurit janë në moshë nga 5 deri në 86 vjeç. Nga numri i përgjithshëm i vdekjeve si pasojë e gripit, tek 21 persona (72.4%) janë diagnostikuar komorbiditete. Sëmundjet bashkëshoqëruese më të shpeshta janë diabeti (tek 8 persona) dhe hipertensioni (tek 8 persona), kardiomiopatia (tek 4 persona) dhe SPOK (tek 4 persona), thonë nga ISHP.
Edhe pse në raportet e ISHP-së nuk ka të dhëna se në cilët muaj janë regjistruar vdekjet nga gripi, nëse mblidhen shifrat nga dy sezonet 2018/2019 dhe 2019/2020, fitohet një numër prej 32 personash. Ky është dukshëm më i vogël se numri i vdekjeve – 1.203, që përmendet në postimin që po e recenzojmë.
Çfarë tregojnë të dhënat zyrtare për gjendjen me koronavirusin në vitin 2020?
Sipas të dhënave nga Мinistria e shëndetësisë, deri më 31 dhjetor të vitit 2020, me koronavirus janë infektuar gjithsej 83.329 njerëz, ndërsa jetën e kanë humbur 2.503 njerëz.
Raporti i fundit kumulativ i Institutit të shëndetit publik është publikuar në 27 dhjetor të vitit 2020. Sipas këtij raporti deri në 27 dhjetor janë rapoertuar gjithsej 81.804 raste me Kovid-19, ndërkohë që janë regjistruar edhe 2.456 raste të vdekjes.
Edhe këto të dhëna janë shumë më ndryshe nga shifrat e marra si shembull për krahasim. Në vitin 2020, pati shumë më shumë vdekje për shkak të koronavirusit sesa nga gripi në vitin 2019.
Situata me koronavirusin si në vitin 2020 ashtu edhe në vitin 2021 ishte shumë e rëndë. Përveç numrit të lartë të të sëmurëve dhe të vdekurve, këtë e dëshmoi edhe numri i madh i pacientëve të shtruar në spitale. Për shkak të numrit të madh të pacientëve, të cilët kishin nevojë për hospitalizim në vitin 2020, qendra për Kovid u hapën në Klinikat Universitare të Dermatovenerologjisë, Neurologjisë, Nefrologjisë, Gastroenterohepatologjisë, Oftalmologjisë dhe Otorinolaringologjisë, në Institutin për sëmundje të mushkërive dhe TBC, Spitalet klinike në Shtip, Tetovë dhe Manastir, Spitalet e përgjithshme në Veles, Ohër, Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Strugë, Koçan, Kavadar, Kërçovë, Dibër dhe Gjevgjeli si dhe në disa spitale private.
Kështu nuk ka ndodhur asnjëherë me gripin sezonal. Prandaj është shumë e gabuar të barazohen këtu dy sëmundje dhe është edhe më e gabuar dhe e papërgjegjshme të shpërndahen të dhëna të gabuara që kanë për qëllim ta bindin publikun se Kovid-19 nuk është një sëmundje serioze dhe se gripi është më i rëndë.
Të dhënat zyrtare e tregojnë të kundërtën. Prandaj, nuk duhet të informoheni nga postimet sensacionale në rrjetet sociale që janë të rrezikshme dhe mund të dëmtojnë shëndetin publik.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari