Nuk duhet lejuar “të përfitojnë klikime” duke ju shkaktuar panik!

“COVID 19” i njohur si “Koronavirusi” është kryefjala e kohës së fundit dhe lajmet lidhur me të ngjallin interes të madh tek opinioni. Thuajse të gjithë mbajnë frymën pezull për të parë se si po zhvillohet shtrirja e këtij virusi misterioz, se cilat do të jenë masat e qeverive, dhe si do të jetë fundi i këtij “ankthi”. Popullata në situata të tilla kur kanë kufizime të lirive të tyre është e prirur të besojë gjithçka që dëgjon dhe manipulimi me ndjenjat e tyre është gjëja më e lehtë që mund të bëhet ndonjëherë. Prandaj teoritë e konspiracionit që qarkullojnë edhe në kohën kur popullata është në izolim, nuk duhet në asnjë mënyrë të zënë vend në kategorinë e lajmeve. Pavarësisht faktit që shumica e informacioneve që kanë qarkulluar nëpër mediat e vendit tonë, kryesisht janë bazuar te të dhënat zyrtare të institucioneve kompetente, tekstet me “teori konspiracioni” që shkaktojnë panik dhe frikë, nuk kanë munguar. 

Foto nga lajmi

Linku deri te artikulli:LAJMl FUNDlT / DlÇKA E MADHE PO ZIHET NE EUROPE (VlDEO)

Data e publikimit: 19.03.2020

 Data e recensionit: 21.03.2020

 Recenson: Ajnur Bafqari

I tillë është rasti me tekstin që po recensojmë. Autori ka përdorur një titull senzacionalist, me qëllime manipuluese dhe me një dozë të lartë të hiperbolës, me “caps lock ON” dhe me një tendencë të lartë për të shkaktuar panik. Në titull madje paralajmërohet edhe një video. Në një situatë të jashtëzakonshme kur gjatë gjithë kohës bëhet thirrje popullata të qëndrojë brenda, nëpër shtëpitë e tyre, sigurisht se një tekst si ky, do të fuste frikën në palcë. Dikush e ka keqpërdorur këtë dhe duke u zhveshur nga petku njerëzorë dhe profesional, ka vendosur të publikojë pikërisht një tekst me përmbajtje të tillë. Këtë herë nuk po presim që thirrjen ta bëjmë në paragrafin që u drejtohet në mënyrë direkte lexuesve. Këtë herë u bëjmë thirrje menjëherë, që menjëherë të injoroni tekste të tilla, veçanërisht kur vijnë nga faqe interneti “anonime”.

“Gjithsej 37,000 ushtarë të armatosur.. për çfarë qëllimi? Për t’i ndihmuar shtetet të ndalojnë këtë virus të hiperbolizuar, apo të ndihmojnë ata që e kontaktojnë? Absolutisht jo! Ata arritën të zhvendoseshin ose, duke përdorur fjalët e oficerëve të lartë amerikanë për t’u “përhapur” në territorin evropian për të filluar ‘Evropian Defender 20’ i cili do të fillojë në prill dhe do të përfundojë në korrik !!A janë informuar qytetarët për atë që është? Natyrisht jo! ‘Europe Defender 20” është një ushtrim i hartuar nga qeveria amerikane në bashkëpunim me NATO-n për të testuar strategjitë që do të përdoren nga SH.B.A. dhe Evropa (e cila konfirmon nënshtrimin e saj ndaj SHBA) Nëse ekziston një kë.rc.ënim që të çojë në një lu.ftë hipotetike. Sht’yp rek@lamen” – thuhet në tekst.

Teksti fillon me numra, vazhdon me hapje pikëpyetjesh, pastaj me konstatime të pa baza.  Teoritë e konspiracionit thuren gjatë gjithë përmbajtjes së tekstit. Autori herë pas here me vetëbesim të plotë, duke përdorur terme të tipit “absolutisht jo!” dhe “natyrisht jo!” mundohet që t’u japë mbështetje teorive të tija dhe “përgjigje” pyetjeve të tija, të cilat deri në fund të tekstit nuk kanë asnjë përgjigje.

Nëse thuhet “Kliko reklamën”, lexojeni sikur “Urime, sapo u mashtruat” 

Ky është një tekst bosh, s’ka asnjë informacion, as fakte, asnjë burim të informacionit dhe asgjë që mund t’i shërbejë lexuesit. Qëllimi i këtij teksti është vetëm të shkaktojë panik dhe të mbledh sa më shumë klikime. Megjithatë lexuesit duhet ta kenë të qartë që po mashtrohen, nga vet fakti që në titull u është paralajmëruar një video, e cila nuk paraqitet askund. Autori madje në fund të tekstit u kërkon lexuesve që të klikojnë një reklamë që e tregon qartë qëllimin e tekstit.

Mos u bëni përfitues medial!

Me këtë paragraf i drejtohemi autorit të tekstit në fjalë “Ju lutemi keni kujdes se çfarë po u servoni lexuesve në një situatë krize si kjo”. A jeni të vetëdijshëm se ju autorë dhe gazetarët tjerë që vrapojnë pas të vërtetës nëpër terrene, duke u ekspozuar direkt ndaj rrezikut, po bëni punë tërësisht të kundërta. Ju prapa pajisjeve tuaja, duke shkelur të gjitha parimet e Kodit Etik të Gazetarëve, po e bëni thirrjen e kundërt nga ajo që po e bën e gjithë pjesa tjetër e botës. Cili është pretendimi juaj? Sipas jush çfarë duhet të bëjë popullata “po t’i besonte” kësaj përmbajtjeje?

Koncepti i manipulimit” Thirrje në mundësisë”, “Arsyetim rrethanor” dhe “Thirrja e emocioneve”

Autori i artikullit me vetëdije ose pa vetëdije ka bërë një sërë manipulimesh duke treguar kështu një mos seriozitet të pashembullt. Autori, nga ç’kuptojmë nga ajo që ka shkruar, ju imponon lexuesve besimin se diçka do të ndodhë vetëm se të tilla duken rrethanat. Njashtu, beson që këto supozime  po ua dëshmon, edhe pse pa fakte, duke u bazuar në teori të lloj-llojshme që  qarkullojnë në këtë kohë të turbullt. Por e gjitha nuk përfundon këtu, vetë situata dhe mënyra se si është shkruar teksti, pra në bindje në vend të fakteve, po vë në funksion ndjenjat e pakëndshme te qytetarët, ngjallë frikë, pasiguri, trishtim etj, që nuk përkon me punën e një gazetari të ndershëm, sepse puna e vërtetë e një gazetari është kujdesi ndaj qytetarëve!

Dezinfektim po, dezinformim asnjëherë! 

Lexues, përderisa gjatë gjithë kohës u bëhen thirrje të tipit “Kujdes po, panik jo”, juve ju mbetet vetëm të qëndroni nëpër shtëpitë tuaja, të kujdeseni për shëndetin tuaj dhe të familjes suaj, të kujdeseni për shëndetin publik të të gjithë qytetarëve dhe të informoheni nga media të besueshme dhe vetëm nga burime zyrtare. Në këto momente asgjë nuk është në dorën e popullatës, të presim dhe të lejojmë që të merren institucionet kompetente me këtë “luftë”, ju mund ta ndihmoni vetëm nëpërmjet respektimit të masave dhe rekomandimeve që ju jepen. Mos harroni bëni “unfollow” të gjitha faqet e internetit që ju dezinformojnë, bëjini një nder vetvetes.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.