Nga e Majta përmes Rodinës tek GROM dhe MAAK: cilët janë megafonët e Moskës në vend? 

Ilustrim: Vertetmates.mk

 Maqedonia në vitet e fundit, dhe veçanërisht që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, është ekspozuar ndaj një ndikimi shumë të fortë propagandistik rus, i ndihmuar nga futja e paligjshme e parave ruse përmes partive politike, grupeve shoqërore dhe individëve me ndikim, përmes të cilave Moska ndikon në vendimet politike në vend, tregojnë analizat relevante. Mediat kryesore dhe partitë politike me ndikim në rajon nuk janë imune ndaj ndikimit malinj rus, siç është E Majta në Maqedoni, por edhe disa parti më të vogla politike që avokojnë hapur kundër anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO dhe animin drejt Rusisë dhe aleancat e saj me shtetet – satelite. 

Shkruajnë: Igor Petrovski, Mefail Ismaili, Despina Kovachevska 

Tendencat e Rusisë për të ndikuar në gjendjen politiko-ekonomike në Ballkan nuk janë një fenomen i deshëm: Moska zyrtare prej dekadash, ose mund të thuhet me shekuj, ka pasur një rol më të theksuar direkt ose indirekt në zhvillimet e mëdha shoqërore në vendet e Ballkanit, dhe këto përpjekjet nuk u dobësuan edhe pas trazirave tektonike në gadishull që ndodhën pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, d.m.th. largimit të Bullgarisë nga Traktati i Varshavës në fund të viteve 1980, fillim të viteve 1990. 

Sipas analizave dhe indikacioneve të shumta, ndikimi rus është i pranishëm edhe në Maqedoni, i cili posaçërisht intensifikohet pas shkurtit të vitit 2022, kur filloi pushtimi rus në Ukrainë. Kështu, për shembull, Qendra për Studimin e Demokracisë nga Sofja, në analizën e saj për përhapjen e dezinformatave dhe destabilizimin e demokracive në Evropën Juglindore nga Rusia, pretendon se në periudhën nga viti 2000 deri në vitin 2020, nga burimet ruse fshehurazi dhe ilegalisht në rrjedhat financiare të Maqedonisë, kanë qarkulluar deri në gjashtë miliardë dollarë 

Sipas analizës, Maqedonia ka qenë e ekspozuar ndaj një ndikimi shumë të fortë propagandistik rus në vitet e fundit dhe për këtë ka ndihmuar futja e paligjshme e parave ruse përmes partive politike, grupeve shoqërore dhe individëve me ndikim, përmes të cilave Moska ndikon në vendimet politike në vend. Gjithashtu theksohet se mediat kryesore dhe partitë politike me ndikim në rajon nuk janë imune ndaj ndikimit malinj rus, si e majta në Maqedoni, Prerodba dhe BSP në Bullgari, SNS dhe SPS në Serbi, televizioni kombëtar bullgar BNT dhe RTRS në BeH. 

Një pjesë e mirë e publikut e ka perceptuar prej kohësh të majtën si një parti pro-ruse në vend, e përfshirë thellë në makinerinë propagandistike të Kremlinit. 

Edhe pse angazhimet kryesore të saj janë lufta për të drejtat e punëtorëve dhe drejtësia sociale, dhe demokratizimi i të gjitha sferave të jetës, shumë shpesh lideri i partisë Dimitar Apasiev, si dhe anëtarët e tij, përkrahin regjime autoritare dhe jodemokratike si ai i Rusisë. 

Në prezantimet e tyre, ata e cilësojnë luftën në Ukrainë si një “operacion special” dhe në këtë linjë ata jo vetëm që ndjekin narrativat ruse, por përdorin edhe të njëjtën gjuhë. 

E majta është një parti euroskeptike dhe anti-NATO, e cila Aleancën e NATO-së e paraqet si një organizatë terroriste që krijon konflikte dhe luftëra në të gjithë botën dhe në vend që të jetë një aleancë për mbrojtje, ajo është në fakt një aleancë që propagandon luftën me qëllimin e rritjes së prodhimit të armëve që do t’i sjellin pasuri. Në këto mesazhe, Partia e Majtë përputhet plotësisht me një nga narrativat më të mëdha të Kremlinit se “Lufta në të vërtetë po zhvillohet midis Rusisë dhe NATO-s, jo midis dy kombeve vëllezër”. 

 

E majta nuk e dënoi agresionin rus kundër Ukrainës dhe promovon afërsi me regjimin rus 

E majta ka dënuar vazhdimisht institucionet dhe Ministrinë e Mbrojtjes për dhënien e ndihmës për Ukrainën dhe ndjekjen e rekomandimeve të NATO-s. Duke argumentuar se kjo po e tërheq shtetin në luftë dhe se vendi po kthehet në një protektorat të organizatës ushtarake. 

Kur bëhet fjalë për qëndrimet për BE-në, partia vlerëson se vendi i shtetit nuk është në BE, organizatë e cila thotë se vetë ka shumë probleme, dhe nga ana tjetër sillet hipokrite ndaj nesh dhe zbaton standarde të dyfishta. Maqedonia e Veriut sipas saj,  duhet të shqyrtojë një alternativë tjetër të kundërt me BE-në, që është Pakti Euroaziatik i udhëhequr nga Rusia dhe BRICS. Me këtë mesazh e bën të qartë se Rusia me Paktin Euroaziatik është alternativa tjetër e BE-së, e cila është krejtësisht identike me mesazhin rus për Bashkimin Evropian. 

Përveç përhapjes së narrativave të Kremlinit, E Majta është gjithashtu bashkëpunëtore dhe mbështetëse e diplomacisë ruse në vend, dhe nuk e humb rastin të takohet me ambasadorin rus në Maqedoninë e Veriut dhe të kritikojë qeverinë që vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe e dënoi publikisht agresionin ushtarak. Në Plenumin e Dytë të së Majtës, në të cilin u rizgjodh si kryetar Dimitar Apasiev, mori pjesë edhe ambasadori rus Sergej Bazdnikin, i cili vetë shprehu mirënjohjen e tij për nderimin e tillë. 

Përveç afërsisë me Rusinë, partia E Majta flet hapur edhe për rëndësinë e bashkëpunimit me Kinën, pasi ngritja e tyre paralajmëron një tablo të re gjeopolitike. Pra, në botën e re multipolare, nëse vendet e vogla si Maqedonia e Veriut duan të mbijetojnë, sipas tyre duhet të luajnë me të gjitha fuqitë e mëdha dhe globalizimi perëndimor duhet të ndalet, qoftë edhe me luftë. 

Përfaqësuesit e partisë zhvillojnë edhe takime pune me ambasadorin kinez, duke shprehur shpresën se në të ardhmen e afërt do të intensifikohet bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të përbashkët për të dy vendet, me theks të veçantë në arsim, si dhe nevojën për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron iniciativa “Brez dhe rrugë”, si dhe organizata BRICS. 

Ata nuk e kufizojnë bashkëpunimin e tyre vetëm me trupin diplomatik. Partia bashkëpunon edhe me Partinë Komuniste të Kinës. Nga dërgimi i letrave miqësore deri te pjesëmarrja në Samitin Botëror të Partisë Komuniste të Kinës, partia nuk mungon të nxjerrë në pah tema të rëndësishme, nevojën për të kapërcyer rendin ekzistues neoliberal perëndimor dhe lindjen e pashmangshme të një bote të re dhe më të drejtë multipolare. 

 

Për Rodinën, BE-ja dhe NATO-ja janë “Krijime artificiale ushtarake” që vetëm sa nuk janë shpërbërë 

Në vend, përveç të Majtës si parti më e madhe që ndjek qëndrimet pro-ruse dhe ndjek narrativat e dezinformatave ruse, ka edhe parti të vogla që, megjithëse nuk kanë një ndikim të madh, sërish në sferën e aktivitetit të tyre ndajnë elektoratin dhe mbështetësve të tyre ju propagandojnë retorika antiperëndimore. 

Një prej tyre është partia Rodina, e cila në faqen e saj zyrtare ka theksuar se krijimet artificiale ushtarake-nxitëse të BE-së dhe NATO-s, të cilat po shpërbëhen para syve tanë, së shpejti do të pushojnë së ekzistuari dhe qëllimi i tyre programor është përgatitja e Maqedonisë për realiteti të ardhshëm gjeostrategjik, dhe i vetmi opsion natyror për të paktën 100 vitet e ardhshme sipas tyre, është ideja e Sharl de Gol për Euroazinë nga Lisbona në Vladivostok, si një komunitet i kombeve të lira dhe sovrane. 

Edhe pse Rodina e deklaron veten si një platformë patriotike maqedonase, ajo përdor retorikën ruse për një identitet të humbur dhe përpiqet të mbjellë frikën e fshirjes së identitetit kombëtar të maqedonasve. Duke shkaktuar konflikt mes të gjithë atyre që nuk pajtohen me retorikën e tyre, duke i cilësuar ata si tradhtarë dhe shërbëtorë të shërbimeve perëndimore. Përkrahësit e shquar të partisë përhapën gjithashtu ndjenja anti-LGBT, duke konsideruar se këto janë ide të huaja për popullin dhe kombësitë maqedonase që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, dhe që ndjekin ideologjitë neoliberale që shkatërrojnë familjen tradicionale maqedonase dhe marrëdhëniet natyrore në të, që siç pretendojnë ata, do të çojë në shkatërrim total të shoqërisë. 

Dhe në këtë rast ato përputhen plotësisht me narrativën se “Putini është një mbrojtës i vlerave tradicionale kundër dekadencës që vjen nga Perëndimi”. 

Një parti tjetër më e vogël politike ka renditur ndër qëllimet dhe objektivat e saj bazë “përfshirjen e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik dhe partneritetin strategjik me Rusinë si subjekt i barabartë dhe i respektuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, është Maqedonia e Bashkuar. Kryetari i Maqedonisë së Bashkuar, Janko Baçev, në njoftimet e tij thekson se Turqia, anëtare e NATO-s, promovoi neutralitetin në luftën në Ukrainë, dhe se “autoritetet kukull maqedonase, në vend që të zgjidhnin një politikë parimore dhe neutrale në lidhje me luftën, zgjodhën të ligaviteshin”. Pavarësisht pasaktësisë së këtyre pretendimeve, postimet e tij kanë marrë një reagim të konsiderueshëm. 

Kryetari i Aksionit Maqedonas – Konservatore, Strasho Angellovski, njihet edhe për paraqitjet e tij të shpeshta publike dhe komentet me narrativa të dukshme antiperëndimore dhe proruse. Në kolumnën e datës 11.01.2024, në portalin “Deneshen”, me titull “Perëndimi i Perëndimit”, ai kritikon konceptin e demokracisë liberale perëndimore dhe se ajo në mënyrë të pashmangshme do të shembet, gjë që përkon plotësisht me narrativat dhe propagandën e Rusisë. 

Më 05.10.2023, në të njëjtin ueb portal, Angellovski ka një kolumnë me titull “Vlerat naziste – kulmi i ‘demokracisë’ perëndimore”, ku me gjetjet e tij lë të kuptohet se pushtimi rus në Ukrainë është në fakt i justifikuar, sepse Rusia kishte bërë mbrojtje kundër valës së nazizmit dhe fashizmit tek fqinjët e saj. 

 

Lideri i GROM-it ia hodhi fajin për agresionin rus “komedianit Zelenski” 

Partia politike GROMStatutin e saj si synim politik ka deklaruar “Integrimin e Republikës së Maqedonisë në rrjedhat botërore politike dhe ekonomike…”, ndërsa nuk është e qartë se mbron rrjedhat integruese euroatlantike, që do të thotë se partia lë hapësirë ​​për lidhje alternative të Maqedonisë me Rusinë, aleancat e saj euroaziatike etj. Pesë vjet para pushtimit rus të Ukrainës, lideri i GROM-it, Stevço Jakimovski, në një intervistë për gazetën propagandistike ruse “Sputnik”, mburrej se nuk ka asnjë parti tjetër në Maqedoni që bën konspiracion që Maqedonia të jetë zonë ushtarakisht neutrale. 

Megjithatë, Stevço Jakimovski nuk qëndroi aspak asnjanës në lidhje me agresionin ushtarak rus në Ukrainë, por doli të ishte një tjerrës propagandistik që u përpoq t’ia kalonte fajin për agresionin rus “komedianit Zelenski”. 

Partia më e madhe e serbëve në Maqedoni (DPS), një parti politike që përfaqëson interesat e serbëve në Maqedoni, shërben si një dorë e zgjatur e propagandës pro-ruse serbe. 

Presidenti Ivan Stoiljkoviç, një deputet në përbërjen aktuale parlamentare, ishte një nga tre deputetët që më 4 mars 2022 votuan kundër Deklaratës për Dënimin e Sulmeve Ushtarake që kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. 

Stoiljkoviç tha me atë rast se e drejta ndërkombëtare është shkelur shumë herë deri më tani, dhe sjelljen e Shteteve të Bashkuara në 30 vitet e fundit e quajti “shkatërrim konstruktiv”. 

Ky politikan është një mbështetës i hapur i politikave të Vladimir Putinit dhe deri më tani në dy raste, në vitin 2019 dhe në vitin 2023, ka qenë në një forum sigurie në Moskë ku presidenti rus mban rregullisht fjalimet e tij. 

Të gjitha këto parti promovojnë haptazi ose fshehurazi narrativat, ideologjinë dhe propagandën ruse dhe i përkasin spektrit të Majtë ose të Djathtë ekstrem të spektrit politik. Përveç Të Majtës, si një lojtar më domethënës në skenën politike me dy deputetë, pothuajse të gjitha partitë pro-ruse në Maqedoni propagandojnë pikëpamje konservatore kristiandemokrate me një ideologji të theksuar të krahut të Djathtë. 

E përbashkëta e tyre në platformat e tyre politike dhe qëllimet e veprimit, dhe ajo që përkon me narrativat ruse, është përkushtimi për ta devijuar Maqedoninë nga rruga e integrimeve euroatlantike, sepse Perëndimi, pra BE-ja dhe NATO-ja, sipas tyre ishin të mbërthyer nga dekadenca, se herë do kur do do të shpërbëhen, dhe se vendi duhet të kërkojë alternativën e tij përmes një aleance me Rusinë dhe satelitët e saj. 

 



 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.