Mungon konteksti: Në mënyrë tendencioze dhe të qëllimshme pretendohet se Zelensky ndalon kishat

Фото: Принтскрин видео

Postimi që po e recensojmë, në të cilin pretendohet se presidenti ukrainas po ndalon kishat dhe partitë opozitare, i mungon konteksti. Zelensky tha se Ukraina do të kufizojë aktivitetet e organizatave fetare të lidhura me Rusinë në territorin e saj dhe do të shqyrtojë statusin e Kishës Ortodokse, e cila varet nga Patriarkana e Moskës. Por postimi nuk përmend se Ukraina ka shqetësime legjitime për disa nga famullitë e Kishës Ortodokse të Ukrainës, të cilat janë nën ndikimin e Moskës dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit. Gjithashtu, nuk thuhet se para një muaji gjatë bastisjes në kompleksin e manastirit në Kiev, Peçerska Lavra, nën kontrollin e kishës së lidhur me Moskën, u gjetën qytetarë të dyshimtë rusë dhe shuma të mëdha parash. Sa i përket ndalimit të partive politike, kjo ka ndodhur në mars të këtij viti, por në postim nuk thuhet arsyeja e një lëvizjeje të tillë – njëmbëdhjetë parti politike ukrainase janë pezulluar për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë.

Recensojmë një postim në rrjetin social Facebook në të cilin pretendohet se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është despot i rrezikshëm që ndalon kishat dhe partitë opozitare. Në të njëjtin postim është shpërndarë një video e Fox News nga gazetari Taker Karlson duke pretenduar se Zelensky po përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të ndëshkojë të krishterët.

Kjo nuk është e vërtetë. Zelensky nuk e ndaloi kishën, dhe as nuk i ndëshkon të krishterët. Në postim në mënyrë tendencioze jepet ky kontekst. Nuk përmendet asnjë fjalë për grindjet fetare shekullore në Ukrainë.

Për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë?

Zelensky tha se Ukraina do të kufizojë aktivitetet e organizatave fetare të lidhura me Rusinë në territorin e saj dhe do të shqyrtojë statusin e Kishës Ortodokse, e cila varet nga Patriarkana e Moskës. Në fjalimin e tij, Zelensky tha se ishte i nevojshëm një ligj që do të parandalonte organizatat fetare të lidhura me qendrat e ndikimit në Federatën Ruse të punojnë në Ukrainë, duke iu referuar Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës. Këto masa pasuan pas kontrolleve nga shërbimet ukrainase të sigurisë në nëntor në manastirin kryesor në Kiev, rezidencës së kreut të Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe disa objekteve të tjera fetare, për lidhje të dyshuara me Moskën.

Në postimin që po e recensojmë nuk thuhet se Ukraina ka shqetësime të justifikuara për disa nga famullitë e Kishës Ortodokse të Ukrainës që janë nën ndikimin e Moskës dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit. Këtë e sqaron Emerging Europe në tekstin e saj shpjegues me titull: “Jo, Presidenti i Ukrainës nuk e ndaloi Kishën Ortodokse”. Siç thotë artikulli:

Ukraina një kohë të gjatë ka shqetësime legjitime se Kisha Ortodokse Ukrainase e lidhur me Moskën, përbën kërcënim sigurie, kjo është arsyeja pse ajo promovoi Kishën Ortodokse të Ukrainës, e cila në vitin 2019 fitoi “autoqefalinë”, ose pavarësinë, nga Patriarku i Kostandinopojës. Procesi u ratifikua në një ceremoni në Stamboll (Kostandinopojë) në vigjiljen e Krishtlindjeve ortodokse, 2019, kur Mitropoliti i Kievit, Epiphanes I, pranoi Tomosin nga Bartolomeu, Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës.

Për Kostandinopojën, e cila i përmbahet parimit të rreptë “një vend, një kishë”, kjo do të thotë se Kisha Ortodokse e Ukrainës – besnike ndaj Kievit – është bërë e vetmja Kishë Ortodokse kanonike ukrainase. Për Ukrainën, ishte moment kyç, pasi përfaqësonte një hap tjetër larg nënshtrimit politik, ekonomik dhe fetar ndaj Rusisë.

Si rezultat i përçarjes, Rusia humbi pronat e saj, priftërinjtë, besimtarët dhe më e rëndësishmja, autoritetin e saj shpirtëror dhe simbolik mbi Ukrainën. Presidenti rus Vladimir Putin dhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, e dënuan veprimin dhe ndërprenë lidhjet me Patriarkun e Kostandinopojës.

Në maj, pas deklaratave të forta të Kirilit në mbështetje të pushtimit brutal të Rusisë, shumë famulli në Ukrainë, besnike ndaj Moskës, ndërprenë lidhjet me Kishën Ortodokse Ruse. Nuk ka të dhëna zyrtare se sa famulli ukrainase mbeten në orbitën e Moskës, por vlerësimet e vitit 2020 e vendosin shifrën në 14 përqind, numri tani me siguri është ndjeshëm më i ulët.

Megjithatë, në qendër të Kievit, manastiri Peçersk Lavra, i njohur si Manastiri Peshterski, mbetet nën kontrollin e kishës së lidhur me Moskën.

Kompleksi i manastirit Pecherska Lavra në Kiev Foto: en.wikipedia.org
Në postim qëllimisht nuk përmendet se një muaj më parë, shtetas të dyshimtë rusë dhe shuma të mëdha parash u gjetën gjatë një bastisjeje në kompleksin e manastirit Pecherska Lavra në Kiev.

Në qendër të Kievit, manastiri Pecherska Lavra, i njohur si Manastiri Peshterski, i cili është nën kontrollin e një kishe të lidhur me Moskën, u bastis nga shërbimet e sigurisë ukrainase muajin e kaluar, me çka u zbuluan shtetas rusë “të dyshimtë”, shuma të mëdha parash në monedha të ndryshme dhe letërsi pro-ruse.

Shërbimi i sigurisë i Ukrainës tha se operacioni kishte për qëllim parandalimin e përdorimit të manastirit si “qendra e botës ruse” dhe u krye për të hetuar dyshimet “për përdorimin e lokaleve si strehë për grupe subversive dhe të inteligjencës, shtetas të huaj dhe ruajtje armësh”. U kontrolluan gjithashtu ndërtesa të tjera fetare në Ukrainë, raportoi Guardian.

Pikërisht për këtë arsye presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje deputetëve që të pengojnë degën e krishterimit ortodoks që ndikohet nga Moska të veprojë në Ukrainë. Nuk ka asnjë lloj sanksionesh apo ndëshkime për besimtarët, siç pretendohet në postim.

Kushtetuta e Ukrainës garanton të drejtën e lirisë së filozofisë dhe fesë personale, duke përfshirë të drejtën e vetme ose kolektive dhe pa kufizime për të kryer ritet fetare dhe ritualet ceremoniale dhe për të kryer veprimtari fetare. Por, gjithashtu lejon kufizimin e kësaj të drejte në interes të mbrojtjes së rendit publik, deklaroi Zelenski.

Në lidhje me pretendimin se tashmë është e qartë se Zelensky nuk është i interesuar për lirinë dhe demokracinë, kjo gjithashtu nuk është e vërtetë. Faktet thonë se Ukraina është një shtet demokratik i renditur më lart se Rusia.

Në thelb, Ukraina është në mes sipas indeksit të demokracisë në krahasim me ish-republikat sovjetike. Ajo renditet shumë më lart sipas indeksit të demokracisë, sesa Rusia, Bjellorusia, Kazakistani ose Turkmenistani – të gjitha të konsideruara si regjime autoritare. Por, është shumë më poshtë se Estonia, Letonia dhe Lituania – tani anëtarë të Bashkimit Evropian që konsiderohen si demokraci të plotathuhet në Indeksin e Demokracisë për vitin 2021.

Lidhur me liritë demokratike në Ukrainë, Raporti i Freedom House për vitin 2021 mbi liritë botërore, për të cilin shkruan edhe Washington Post, thotë:

Ukraina ka miratuar një sërë reformash pozitive që nga përmbysja e Presidentit Viktor Janukoviç nga protestat në vitin 2014.

Në lidhje me ndalimin e partive politike, kjo ka ndodhur në mars të këtij viti, por edhe në këtë pretendim mungon konteksti, gjegjësisht nuk thuhet arsyeja.

Njëmbëdhjetë parti politike ukrainase janë pezulluar për lidhjet e tyre me Rusinë. Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së vendit mori vendim për ndalimin e partive nga aktiviteti politik, për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë, dhe kjo vlen derisa zgjat gjendja ushtarake.

Shumica e partive të pezulluara janë të vogla, por njëra prej tyre, “Platforma për Jetën e opozitës”, ka 44 nga 450 mandatet në parlamentin ukrainas.

Veprimtaritë e atyre politikanëve që synojnë përçarje apo marrëveshje të fshehta nuk do të kenë sukses, por do të marrin përgjigje të ashpër. Prandaj, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes vendosi, duke marrë parasysh luftën e nisur nga Rusia dhe lidhjet politike që një sërë strukturash politike kanë me këtë vend, të pezullojë të gjithë veprimtarinë e një sërë partish politike për periudhën e gjendjes ushtarake, tha Zelensky.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se në postimin që po e recensojmë, në të cilin ndër të tjera thuhet se Zelensky ndalon kishat dhe partitë opozitare, mungon konteksti.



 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.