Logoja e bretkosës në produktet ushqimore nuk ka të bëjë as me Bill Gates dhe as me “miliardin e artë”

Фото: Rainforest Alliance

Logoja e Aleancës Rainforest nuk është një bretkosë e artë me shigjetë helmuese, por një bretkosë me sy të kuq. Bretkosa në logo ka një kuptim simbolik si një bioindikator i një mjedisi të shëndetshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me “miliardin e artë” – një teori e vjetër konspirative, sipas së cilës elita botërore dëshiron të rrëmbejë burime dhe pasuri për vete, duke lënë pjesën tjetër të banorëve të planetit në varfëri dhe uri. Gjithashtu, kjo logo nuk lidhet as me Bill Gates dhe është krejtësisht e gabuar të pretendosh se produktet që mbajnë këtë vulë janë të tijat

 

Një postim në rrjetin social Facebook, i shpërndarë në një grup me 51 mijë anëtarë, përmban foto të markave të ndryshme me logon e Aleancës Rainforest dhe një foto në serbisht që thotë se bretkosa në logo është në fakt bretkosa më helmuese në botë e cila mund të vrasë në mes 10 deri në 20 njerëz.

Në përshkrim, nga ana tjetër, vetë postimi thotë:

Një miku im raportoi se helmi i Bill Gates-it mbërriti në Gjermani. Ata nuk do të ndalen derisa të bëjnë miliardin e artë. Varet nga ne nëse do të luftojmë apo do të shkatërrohemi nga një grusht njerëzish

Ndryshe nga pretendimi i shkruar në foto – se në logon e Aleancës Rainforest është një bretkosë e artë me shigjetë helmuese, ajo është një bretkosë pemësh me sy të kuq. Ajo mund të gjendet shpesh në rajonet neotropike, të cilat ndodhen në Amerikën e Jugut, ku themeluesit e Aleancës filluan punën 30 vjet më parë për të mbrojtur pyjet tropikale të shiut. Pra, bretkosa në logo ka një kuptim simbolik.

Nga rruga, këto kafshë konsiderohen bioindikatorë të një mjedisi të shëndetshëm. Epo, vetëm sepse disa marka përmbajnë logon nuk do të thotë se ato janë të destinuara për kontrollin e popullsisë. Në fakt, logoja tregon se produkti përdor metoda që mbështesin tre shtyllat e qëndrueshmërisë: sociale, ekonomike dhe mjedisore. Auditorët e pavarur vlerësojnë fermerët kundrejt kërkesave në të tri fushat përpara dhënies ose rinovimit të një certifikate të tillë. Qëllimi është që blerësi të informohet për produktet që kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për planetin dhe njerëzit përmes logos së vulës.

Pastaj postimi pretendon gjithashtu në mënyrë të rreme se filantropi Bill Gates është përgjegjës për “helmin”, domethënë se produktet që mbajnë këtë vulë janë të tijat. Fondacioni Bill dhe Melinda Gates i ka dhuruar vetëm një grant Aleancës Rainforest në 2007 – një shumë prej 5,343,025 dollarë për zhvillimin e bujqësisë, me një periudhë zbatimi prej 53 muajsh. Pra, pretendimi në postim është krejtësisht i pabazë. Vërtetmatës kohët e fundit rishikoi një postim të ngjashëm në të cilin ai hodhi poshtë pretendime të tilla.

Sa i përket përmendjes së “miliardit të artë”, është një teori e vjetër konspirative, sipas së cilës elita botërore dëshiron të rrëmbejë burimet dhe pasurinë për vete, ndërsa pjesa tjetër e banorëve të planetit të lihen në varfëri dhe uri.

Kjo teori konspirative mbështetet shpesh në fjalimet e presidentit rus Vladimir Putin, si dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të Kremlinit, si një linjë sulmi ndaj Perëndimit teksa shpaloset lufta në Ukrainë. Në këtë kontekst, korrikun e kaluar, në një fjalim në Moskë, Putin tha:

 

 

Modeli i dominimit të plotë të të ashtuquajturit miliardi i artë është i padrejtë. 

Menjëherë më pas pyeti:

Pse ky miliard i artë i të gjithë popullsisë së globit duhet të dominojë të gjithë dhe të imponojë rregullat e veta të sjelljes?

Përndryshe, Bill Gates është shumë shpesh subjekt i një sërë teorish konspirative, duke përfshirë ato në lidhje me një shpopullim të supozuar, të cilat janë vërtetuar në disa rishikime në Vërtetmatësit.

I marrë në tërësi, ky postim viral, i cili në momentin e rishikimit tonë ka mbi 100 shpërndarje dhe komente, është konfuz, manipulues, përhap pretendime të pasakta, madje edhe të palogjikshme, duke krijuar një imazh krejtësisht të deformuar në publik.

Sipas të gjitha fakteve të deklaruara, ne e gjykojmë të pavërtetë postimin që po shqyrtojmë, i cili pretendon se logoja e Aleancës Rainforest po përdoret për të arritur objektivin e “miliardit të artë”.



 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.