Ligji i ri për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje pret në Kuvend

Фото: meta.mk

Në propozim-tekstin që është në procedurë parlamentare në lexim të parë, ka ndërhyrje në më shumë se 1/3 e neneve ekzistuese në ligjin aktual. Një risi e rëndësishme që parashikon teksti i ri ligjor është ulja e ndjeshme e shumave maksimale që gjykata mund të caktojë si kompensim për dëm jomaterial, të shkaktuar nga fyerja apo shpifja nga një gazetar në kryerjen e profesionit të gazetarit, nga një redaktor apo personi që zëvendëson, ose nga një person juridik. Kështu, për gazetarin ky limit është 400 euro, për redaktorin 2.000 euro, ndërsa për personin juridik 5.000 euro në kundërvlerë në denarë.

 

Shkruan: Aleksandar Georgiev – Kalica

 

Në kuadër të reformave për harmonizimin dhe përshtatjen e ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me ligjet e Bashkimit Evropian, është edhe përgatitja e Projektligjit të ri për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje.

Ky ligj i ri është në procedurë parlamentare, i propozuar nga Qeveria dhe synon të përputhet me standardet ndërkombëtare, veçanërisht me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky harmonizim është pjesë e kapitullit “3.23 Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, i cili përfshin fushat e drejtësisë, politikat kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore, gjegjësisht politikat e Bashkimit Evropian që synojnë sigurimin e cilësisë së drejtësisë dhe qasjen në drejtësi për qytetarët.

Që nga miratimi i Ligjit aktual për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje në vitin 2012, janë evidentuar dobësi në zbatimin e tij, gjë që krijoi nevojën urgjente për të tejkaluar përfundimisht ato dobësi dhe për të miratuar një ligj të ri që do të përmbushte standardet ndërkombëtare.

Në projekt-tekstin që është në procedurë parlamentare në lexim të parë, krahasuar me ligjin aktual, bëhet fjalë për ndërhyrje në më shumë se 1/3 e neneve ekzistuese.

 

Çfarë parasheh propozim-ligji i ri

Risitë në kreun e parë – ku janë dispozitat e përgjithshme të ligjit, i përmban neni 5 ku specifikohen rregullat profesionale të profesionit të gazetarit, të cilat i referohen mbledhjes, analizës dhe publikimit të informacionit të përcaktuar nga organizata profesionale e gazetarëve, me çka shtohet se ato duhet të jenë në përputhje me parimet etike të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.

Një risi domethënëse përmban neni 6 i Projektligjit, veçanërisht në pjesën me identifikimin e palëve dhe praktikën e ndryshme gjyqësore që ka për pasojë ka pasur hudhjen e padive, e me këtë edhe krijimin e një praktike të ndryshme.

Vendimi i propozuar për ndryshimin e nenit 6 paragrafi (3) të Ligjit për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje thotë:

Për fyerjet e kryera nëpërmjet medias në të cilat përmbajtja publikohet në mënyrë të qasshme për publikun mund të përgjigjen autori, redaktori ose personi që e zëvendëson dhe personi juridik që është përfaqësues. Nëse mjetet për informim nuk kanë redaktor ose person zëvendësues, përgjegjësi ka personi fizik ose juridik që e zotëron median.

 

Termi “mjetet për informim”

Termi “mjetet për informim” nuk rregullon në detaje se kush janë ato mjetet për informim. Konventa Evropiane dhe përvojat që dalin nga praktika e GJEDNJ-së tregojnë se hapësira e shprehjes duhet të jetë e lirë, pa numëruar apo përcaktuar rreptësisht të gjitha mjetet apo format e informimit publik. Rregullimi rigoroz i mediave dhe hapësirave të tjera është rrezik dhe mund të çojë në censurë. Prandaj, kushdo që shkel standardet duhet të mbajë përgjegjësi, por liria e shprehjes duhet të lihet plotësisht. Me vendimin e ri i mundësohet që paditësi me rastin e ngritjes së padisë, të jetë i lirë të vendosë kundër cilit prej personave nga paragrafi (3) i këtij neni do të paraqesë padi për përcaktimin e përgjegjësisë dhe kompensimit për fyerje.

Në nenin 10 është bërë përmirësim teknik i tekstit duke vendosur termin “mjetet për informim”. Me termin “mjetet për informim” përfshihen mjete, forma dhe mënyra të ndryshme të informimit në të cilat publikohen përmbajtje publike për opinionin, por përfshin edhe termin mjete për informim dhe mjete tjera, që janë të rregulluara me Ligjin për media.

Në të njëjtin nen është intervenuar me një paragraf të ri (5), me të cilin përjashtohet përgjegjësia për shpifje për mjetet e informimit që e përcjellin pretendimin, nëse është platformë për grumbullimin e mediave, me përjashtim kur platforma është krijuar me qëllim të keqpërdorimit të lirisë së informacion, në kundërshtim me ligjet në fushën e informimit publik. Vendosja e një përjashtimi të tillë parandalon rrezikun e krijimit të qëllimshëm të një platforme për grumbullim në mënyrë që të transmetohen përmbajtje të pavërteta dhe shpifëse.

Ulja e dënimeve

Si risi domethënëse e parashikuar me ligjin e ri është ulja e ndjeshme e shumave maksimale që gjykata mund të caktojë si kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga fyerja ose shpifja nga një gazetar në kryerjen e profesionit të gazetarit, nga një redaktor ose nga personi që e zëvendëson atë, ose nga një person juridik. Kështu, për gazetarin ky limit është 400 euro, për redaktorin 2000 euro, ndërsa për personin juridik 5000 euro në kundërvlerë në denarë.

Me miratimi e këtij ligji do të arrihet harmonizimi me standardet ndërkombëtare, Konventën Evropiane, praktikën e GJEDNJ dhe nenin 28 të Direktivës 2010/13 / BE CELEX nr. 32010L0013.

Iniciativa për miratimin e ligjit të ri është shënuar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2021, ku theksohet zvogëlimi i shumave maksimale për dëmin jomaterial të shkaktuara me fyerje ose shpifje nga gazetarët.

Projektligji ende është në procedurë parlamentare në lexim të parë, me flamur europian.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.