Kur informacioni nuk ka karakter publik, lexuesi nuk duhet të lodhet
Kur vjen në shprehje grumbullimi i klikimeve, lexuesit mund të ballafaqohen me lloj-lloj tekstesh të cilat ngjajnë me gjithçka, por jo ne lajm të mirëfilltë. Në këto kohë, mjafton një foto ose video e një personi, madje edhe nëse ai nuk është figurë publike, por që ka lidhje familjare apo çfarëdolloj lidhjeje me një person i cili bart funksion publik dhe disa media online sajojnë tekste boshe. I tillë është lajmi që e recensojmë.
Linku deri te artikulli: Reagojnë shoqatat për mbrojtjen e kafshëve: Vëllau i Ali Ahmetit po i trajton kafshët si anëtarët e BDI-së (VIDEO)
Data e publikimit: 06.12.2019
Data e recensionit:20.12.2019
Recensuese: Ajnur Bafqari
Ndonjëherë mjafton të hidhet një shikim te titulli dhe të kuptohet se bëhet fjalë për një artikull me përmbajtje tendencioze. Autori i këtij teksti, e ka publikuar një video inçizim të vëllait të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe për të njejtin pasi paraprakisht ka bërë një tekst, ka shtuar edhe një tekst tjetër (këtë që po recensojmë), që gjoja ka të bëjë me reagim të shoqatave të kafshëve. Në tekstin në fjalë, ofendohen të gjithë anëtarët e një partie politike, se gjoja nuk trajtohen në mënyrë humane. Teksti nuk ka aspak interes publik dhe nuk jep asnjë informacion.
“Përfaqësues të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve janë të tmerruar nga incizimi që ka bërë biznesmeni Fekri Ahmeti, duke ushqyer një kalë me çokollata. Këto shoqata vlerësojnë se kjo sjellje e vëllaut të Ali Ahmetit me kalin nuk duhet të tolerohet.
‘Nuk guxojnë kafshët të trajtohen në mënyrë johumane sikurse i trajton BDI anëtarët e partisë’, thonë aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.
Ata apelojnë që mos të lejohet Fekri Ahmeti të shfrytëzojë pozicionin e vëllaut te tij Ali Ahmeti, per ti ikur pergjegjësisë penale.– thuhet në tekst
Autori fut në tekst reagime “fantome”
Autori për tu liruar nga përgjegjësia, hap thonjëzat, fut një citat të “shoqatave për mbrojtjen e kafshëve”, megjithatë në asnjë pjesë të tekstit nuk e potencon se për cilat shoqata bëhet fjalë konkretisht. Përdorimi i këtyre thonjëzave në këtë rast, bëhet me ironi, tallje dhe përçmim. Domethënë burimi në këtë tekst mbetet i panjohur. Kujtojmë se, burimet e informatave duhen të jenë të verifikuara, të vërtetuara dhe të shënuara. Edhe pse ndonjëherë me kërkesë të burimit nuk përcaktohet e as nuk citohet ai, gjë që menjëherë lë hapësirë për manovra dhe krijojnë ndjenjë të dyshimit te lexuesi. Te teksti në fjalë, për shkak të përmbajtjes fyese, te lexuesi largohen dyshimet dhe krijohet bindje se nuk po lexon informacion.
Autori në këtë tekst nuk e përdor kulturën e të shprehurit dhe shkel etikën gazetareske.
KODI ETIK:
1.“Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.”
2.”Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij”- thuhet në kodin etik.
Autori në vend të informacionit, u ofron tekst me përmbajtje tendencioze, të njëanshme dhe manipulative
Përndryshe i gjithë teksti është shkruar në mënyrë tendencioze, që nënkupton se autori është bazuar në pikëpamje dhe synime personale. Përmbajtja është e njëanshme dhe manipulative, që shpesh ndodh me të vetmin qëllim që t’i bëhet dëm një personi ose partie politike.
Koncepti i manipulimit “Argument kundër njeriut”
Ky lloj manipulimi është prirje për sulm ndaj ndonjë pretendimi përmes sulmit të personit që e përfaqëson atë. Edhe pse në këtë rast personazhi i cili “sulmohet” nuk është në mënyrë direkte përfaqësues i partisë politike në fjalë, autori e ka shfrytëzuar lidhjen familjare të tij me kreun e partisë të cilën e “sulmon”.
Tituj si ky duhet të shihen si “Më injoro”!
Është mëse e qartë se fillimisht një titull si ky nuk është shumë premtues sa i takon servimit të ndonjë informacioni. Mundohuni që t’u shmangeni teksteve me tituj të tillë. Por edhe nëse vendosni të lexoni vetëm për kuriozitet, kujtojeni se vetëm po jepni një klikim por nuk po merrni asgjë në këmbim. Mos harroni të kërkoni elementet që një tekst e bëjnë të kompletuar.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari