Komuna e Dibrës me shkallën më të ulët të imunizimit kundër koronavirusit

Фото: mk.wikipedia.org

Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik, Komuna e Dibrës ka mbulimin më të ulët të vaksinimit kundër koronavirusit, vetëm 28.3 për qind e gjithsej popullsisë janë të vaksinuar. Nga Spitali i Dibrës, nga ana tjetër, thonë se nëse përjashtohen punëtorët migrantë në Dibër, rreth 50 për qind e popullsisë me vendbanim të përhershëm është i imunizuar.

 

Shkruan:  Sonja Rillkovska

 

Komuna e Dibrës është një nga qytetet në vend me shkallën më të ulët të vaksinimit kundër koronavirusit. Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (periudha 22-28.11.2021), vetëm 28.3 për qind e popullsisë së përgjithshme në Dibër janë të vaksinuar, që është shkalla më e ulët në vend. Statistikisht, vetëm 35 për qind e dibranëve mbi moshën 18 vjeç janë vaksinuar.

Foto: Printskrin tabela ISHP

Spitali i Përgjithshëm i Dibrës thotë se përqindja e të imunizuarve nuk është aq e ulët, sepse një përqindje e madhe e popullsisë janë emigrantë.

Nuk mund të themi se kemi një shkallë të ulët vaksinimi. Nëse përjashtohen emigrantët, mendoj se 50% e popullsisë që jeton përherë në këtë zonë është vaksinuar. Në përqindjen e treguar nga Instituti i Shëndetit Publik janë punëtorët migrantë që nuk jetojnë këtu dhe janë të shumtë, ndaj rezulton se kemi përqindjen më të ulët në vend, tha në një prononcim për “Vërtetmatësin” Baki Alili, drejtor i ISHP Spitali i Përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar Dibër dhe Qendrën Zhupë.

Sipas regjistrimit të vitit 2002, komuna kishte popullsi prej 19.542 banorësh, por sot një pjesë e mirë e tyre janë punëtorë migrantë në vendet evropiane dhe jetojnë atje.

Nga spitali i Dibrës thonë se me dozën e parë dhe të dytë janë vaksinuar gjithsej rreth 13 mijë qytetarë. Ata shtojnë se ka interes të madh për dozën e tretë të vaksinës.

Jemi të kënaqur me interesin e qytetarëve. Ka interes për dozë të tretë të vaksinës, deri më tani janë aplikuar rreth 450 doza përforcuese. Kemi 30 deri në 50 pacientë që vaksinohen çdo ditë. Doza e tretë aplikohet vetëm “Pfizer”, por ne si spital kemi edhe vaksinat e “AstraZeneka” dhe “Sinofarm”, shton Alili.

Aktualisht në Dibër dhe Qendër Zhupë është vetëm një pacient i shtruar pozitiv me koronavirus.

Gjendja me koronavirus është mjaft stabile, nuk kemi numër të madh të të infektuarve. Kemi një pacient të shtruar dhe është në gjendje stabile. Nuk është me mbështetje oksigjeni dhe është me pasqyrë të lehtë klinike, thotë Alili.

Që nga fillimi i pandemisë, sipas ISHP-së (situata 28.11.2021), në Dibër janë sëmurë gjithsej 1455 persona, kanë humbur jetën 72 persona. Shkalla e vdekshmërisë është ndër më të lartat në vend me 4.9 për qind.

 Printskrin tabela ISHP

Në fillim të pandemisë, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ishin shpërthimet e para të koronavirusit. Në mars të vitit të kaluar, me vendim të Qeverisë ata u vendosën në karantinë njëmujore, pasi nga gjithsej 13 pacientë në vend, 11 ishin nga këto zona. Pacientët e parë supozohej se ishin të kthyer nga Italia.Lëvizja ishte e kufizuar në të dy qarqet, nuk lejohej as hyrja apo dalja, përveç me leje vetëm për raste urgjente.

Ditët e fundit Komuna e Dibrës nuk figuron në listën e të infektuarve, as të vdekurve nga Covid-19, sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë (publikuar më 06.12.2021), ka vetëm dy raste aktive me koronavirus.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.


 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.