Jo, Rusia nuk është “100 herë më e pëlqyer” se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara

Фото: kremlin.ru

Sipas hulumtimit të Gallup dhe IRI, opinioni dominues i qytetarëve të Maqedonisë nuk përkon me pretendimin në postim se Rusia është e pëlqyer “100 herë më shumë” se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

 

Në një postim në rrjetin social Facebook shprehet ky mendim:

Njerëzit këtu e duan Rusinë 🇷🇺, 100 herë më shumë se Britaninë 🇬🇧 dhe Amerikën! 🇺🇸

Më 25 prill 2023, Gallup publikoi një sondazh në lidhje me imazhin e lidershipit të Rusisë në nivel global, pasi vendi filloi luftën në Ukrainë. Përfshihen 137 shtete, ndër to është edhe Maqedonia. Të anketuarit nga Maqedonia, të pyetur nëse e miratojnë udhëheqjen e Rusisë, 61 prej tyre kanë deklaruar se nuk e miratojnë. Nga viti 2021 deri në vitin 2022, përqindja e njerëzve që nuk pajtohen me mënyrën se si drejtohet Rusia (nuk e miratojnë udhëheqjen e Rusisë) u rrit me 31 për qind.

Rezultatet e Gallup (2021)
Rezultatet e Gallup (2022)

Nëse krahasojmë me Shtetet e Bashkuara, 49 për qind e të anketuarve nga Maqedonia janë përgjigjur se nuk e miratojnë udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Krahasuar me një vit më parë (2021), kjo përqindje është rritur me 13 për qind.

Rezultatet e Gallup

Përveç Gallup-it, në vitin 2022 IRI ka bërë edhe një anketë të opinionit publik në Maqedoni. Në pyetjen: “Me kë është më mirë të mbahen lidhje të forta për interesat e Maqedonisë së Veriut”, mund të vërejmë këto përgjigje:

  • 66 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se është më mirë të ruash lidhjet me Britaninë e Madhe.
  • 82 për qind besojnë se marrëdhëniet me BE-në duhet të mbahen në mënyrën më të mirë
  • 71 për qind thanë se lidhjet me Shtetet e Bashkuara duhet të mbahen sa më mirë që të jetë e mundur.

Nëse shikojmë Rusinë, kjo përqindje është 57 për qind. 

Të dhëna nga IRI

Në anketë është shtruar edhe pyetja në vijim: “Cila nga këto vende (përfshirë BE-në) i ndihmon më shumë interesat kombëtare të Maqedonisë?” Nga rezultatet shihet si në vijim:

  • 21 për qind e të anketuarve mendojnë se BE-ja i ndihmon më shumë interesat kombëtare
  • 10 për qind e të anketuarve e konsiderojnë SHBA-në si shtetin që e ndihmon më shumë Maqedoninë
  • 4 për qind e të anketuarve zgjodhën Rusinë si shtetin që ndihmon më shumë Maqedoninë
Të dhëna nga IRI

Rezultatet e sondazheve të Gallup dhe IRI arrijnë në përfundimin se të dhënat nuk përputhen me pretendimin e bërë në postimin që është objekt i këtij shqyrtimi. Së pari, qytetarët maqedonas nuk e vendosin Rusinë mbi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe kur bëhet fjalë për një opinion pozitiv për udhëheqjen ruse, as për të ndihmuar vendin në mbrojtjen e interesave të tij kombëtare. Për më tepër, një përqindje më e madhe e të anketuarve mendojnë se është më mirë të kemi lidhje të forta me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe sesa me Rusinë.

Duke marrë parasysh këto rezultate, nuk mund të thuhet se Rusia është “100 herë më e pëlqyer” se SHBA dhe Britania e Madhe. Thjesht nuk ka asnjë tregues që do të tregonte një nivel më të lartë të çfarëdo lloj favorizimi të maqedonasve ndaj Rusisë në kurriz të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, e lëre më një pëlqim që do të ishte “100 herë më shumë”, pra 100 herë më i madh se sa pretendоhet në postim.

 

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.