Hetohet një nën-varianti i llojit Delta, por jo variant i ri i koronavirusit

Përmbajtja që po recensojmë pretendon se është dhënë një lajm i madh që ka të bëjë me shfaqjen e një varianti të ri të COVID19. Në këtë përmbajtje pretendohet se ky variant qenka shumë i keq pa dhënë asnjë fakt mbështetës ose burim kredibil se nga buron ky “informacion”. Pretendimet e kësaj përmbajtje janë të pavërteta dhe kanë për qëllim vetëm të grumbullojnë sa më shumë klikime.

“Dhe tani urgjent jepet njoftimi, sapo është paraqitur varianti më i ri shumë i…”, është titulli i përmbajtjes që recensojmë. Më shumë se një titull fjalia lartë ngjan si një propagandë nxitëse e cila duke përhapur frikë, dyshim dhe panik i bënë lexuesit ta klikojnë materialin. Përmbajtja e produktit mediatik, që përbëhet nga 4-5 rreshta, pretendon se është paraqitur një variant shumë i keq i COVID19 dhe se Britania e Madhe ka nisur hetime. Produkti mediatik është publikuar në një portal me emrin “Ingazeta”.

Hetohet një nën-varianti i llojit Delta

Pak ditë më parë mediat britanike alarmuan se vendi po përballet me një rritje të re të numrave të të infektuarve me COVID19. Për këtë arsye autoritetet shëndetësore britanike kanë filluar zyrtarisht të hulumtojnë për paraqitjen e një nën-varianti të llojit Delta.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar, organ i mbrojtjes së shëndetit publik, pasi ka analizuar 6% të rasteve të reja të infektuara, tha se ishte “përcaktuar si një variant nën hetim” por akoma nuk është një “variant shqetësues”. Nga agjencia kanë thënë se nevojiten më shumë prova për të ditur nëse infektimet e reja janë shkak i mutacioneve të virusit apo për shkak të kushteve epidemiologjike.

Autoritetet britanike thonë e nën-varianti i ri Delta apo AY.4.2, të cilën disa po e quajnë “Delta Plus”, përmban mutacione që mund t’i japin avantazhe mbijetesës së virusit. Megjithatë po zhvillohet teste dhe studime për të kuptuar se sa se sa kërcënues mundet të jetë ky nën-variant. Ekspertët thonë se nuk ka gjasa përhapet shumë ose të jetë rezistent nga vaksinat aktuale.

Çfarë është AY.4.2?

Ka mijëra lloje të ndryshme – ose variante – të Covid-it që qarkullojnë në të gjithë botën. Viruset ndryshojnë gjatë gjithë kohës, kështu që nuk është për t’u habitur të shohim versione të reja.

Delta origjinale u klasifikua si një variant shqetësues në Britaninë e Madhe, por edhe në të gjithë botën, në maj 2021 pasi kapërceu variantin Alpha për t’u bërë lloji mbizotërues i Covid në qarkullim.

Por në korrik të vitit 2021 ekspertët identifikuan AY.4.2.

Kjo degë ose nënlinja e Delta-s është rritur ngadalë gjatë kësaj periudhe. Ky lloj përfshin disa mutacione të reja që prekin proteinën e majës, të cilën virusi e përdor për të depërtuar në qelizat tona. Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se është dukshëm më i transmetueshëm si rezultat i këtyre ndryshimeve, por është diçka që ekspertët po studiojnë.

Në Britaninë e Madhe varianti Delta ka qenë “shumë dominues”, duke përbërë 99.8% të të gjitha rasteve.

Variante të tjera aktuale të COVID19, janë:

Alpha (B.1.1.7) – i identifikuar për herë të parë në Britani dhe që u përhap në më shumë se 50 vende tjera të botës.

Beta (B.1.351) – për herë të parë u identifikua në Afrikën e Jugut. Ky variant është hasur edhe në rreth 20 vende të tjera.

Gamma (P.1) –  u identifikua për herë të parë në Brazil. Ky variant rezulton të jetë përhapur në më shumë se 10 vende të tjera.

Mu (B.1.621) – ky variant për herë të parë u identifikua në Kolumbi dhe është përhapur 39 vende tjera. Këtë variant OBSH-ja e shtiu në listën e interesit më 30 gusht.

Viruset ndryshojnë gjatë gjithë kohës dhe shumica e ndryshimeve janë të parëndësishme. Disa mutacione madje dëmtojnë apo dobësojnë virusin. Por ka mutacione të cilat mund ta bëjnë sëmundjen më infektive ose kërcënuese – dhe këto mutacione priren të dominojnë.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari