Gazetari nuk guxon të maskohet prapa burimeve “partiake”
Analizat me ekspertë që nuk ekzistojnë dhe përdorimi i burimeve të fshehta kanë filluar të bëhen përditshmëri për disa media. Gazetari ka detyrë të paraqesë faktet, mund edhe të komentojë por kjo të mos jetë pjesë integrale e lajmit, megjithatë ai nuk guxon të bëjë vetë ekspertin e të gjitha çështjeve. Shkrimi që zgjodhëm të recensojmë ka përdorur burime anonime, konkluzione dhe akuza pa fakte. Keqpërdorimi i burimeve anonime si në këtë rast, ua humb rëndësinë të njëjtave dhe nuk kanë më asnjë kuptim.
Linku origjinal i artikullit:A u nënvlerësua Besa me ofertën e Aleancës për Shqiptarët
Data e publikimit: 06.02.2020
Data e recensionit:12.02.2019
Recensuese: Naile Dauti
Burimet anonime nuk duhet të keqpërdoren
Shkrimi që zë hapësirë mediatike duhet të jetë i qartë nëse bëhet fjalë për opinion apo lajm. Artikulli në fjalë nuk ka asnjë informacion, por vetëm aludime të pabaza. Shumëfishimi i burimeve anonime, siç është bërë edhe në këtë artikull, zmadhon largësinë dhe mosbesimin për burimin e informacionit. Formulimet “burimet tona” “burimet brenda partiake”, që janë përdorur në tekstin që recensojmë lënë hapësirë për manovra dhe krijojnë ndjenjë të dyshimit te lexuesi.
“Koalicioni i shumëpërfolur “trepalësh” nuk u arrit për shkak se Lëvizja Besa në krye me Bilall Kasamin vlerësoi se oferta e ASH-së për koalicion nuk është e barabartë, shkruan Express. Kështu së paku mëson Gazeta Express nga burimet e saja brenda partiake në Lëvizjen Besa. Sipas analistëve dhe njohësve të rrethanave politike në vend, oferta ishte ofenduese për Besën dhe elektoratin e saj”, thuhet në artikull.
Opinionet e maskuara pas formulimeve të turbullta” sipas analistëve dhe njohësve të rrethanave politike”, kur në fakt nuk është përmendur asnjë emër, tregon se shkruesi i artikullit në fakt ka thënë mendimin e tij, por duke ia atribuuar këtë mendim analistëve anonim!
Koncepti i manipulimit “Thirrje në traditën”
“Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve paraprake, oferta e tillë e Selës do e linte Besën e Bilall Kasamit me vetëm 1 deputet, edhe atë në njësinë zgjedhore numër gjashtë”, thuhet në artikullin që recensojmë. Autori i artikullit ka bërë matematikën e rezultateve të zgjedhjeve, kush sa deputetë do të fitojë, duke u bazuar në atë që ka ndodhur në të kaluarën. Kalkulimet e tilla nuk vërtetojnë për atë që mund të ndodhë. Mund të ndodhë edhe e kundërta, prandaj nuk mund të jepen konkluzione dhe gazetari të marrë rolin e analistit.
Zhvilloni kritikën, të merrni lajme të vërteta
Pasi interneti është një hapësirë ku lexuesi has në lum informacionesh, të vërteta e të pa vërteta, duhet të zhvillojmë vigjilencën tonë se çfarë pranojmë dhe prej ku. Siç sugjeron edhe Doracaku i Krithinkut, që lexuesi të jetë me të vërtetë i informuar, duhet të zotërojë aftësitë më të rëndësishme për të përdorur mediat dhe të kuptojë nëse bëhet fjalë për manipulim apo lajm të vërtetë. Lexuesi duhet të bëjë dallimin mes artikujve të këtillë dhe informatave të vërteta gazetareske.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari