Fotografia në pishinën e hotelit “Kazino”, nuk nënkupton mbështetje për objektet e lojërave të fatit

 

 

Shkruan: Ardit Ramadani.

Lajmi të cilin e recensojmë pretendon se kryetari i Aleancës për Shqiptarët është kundër objekteve për lojëra të fatit. Ndërkaq, ky i fundit asnjëherë nuk e ka thënë këtë. E për “ta demantuar” të pathënën e Selës, autori i lajmit publikon fotografinë e sekretarit të ASH-së në një hotel që quhet “Kazino”.

“(FOTO) Sela kundër lojërave të fatit, ndërsa Taravari ‘relaksohet’ në një ‘Hotel Kazino’ në Gjevgjeli” thuhet në titullin e lajmit që e recensojmë.

E para, nuk është e vërtete që Ziadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH-së) është kundër lojërave të fatit. Ky i fundit ka thënë se me ardhjen e partisë së tij në pushtet, lojërat e fatit do të zhvillohen vetëm në hotelet me pesë yje, por jo se do ti mbylle ata.

“Ne premtojmë se me ne në qeveri lojërat e fatit do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje, sepse hotelet me 5 yje garantojnë që e para, lojërat e fatit të jenë larg vendbanimeve, dhe e dyta, se ata nuk mund të jenë të qasshme nga çdokush dhe kjo do ta ndalë në mënyrë të kënaqshme këtë fenomen devijant.” janë deklaruar nga Aleanca për Shqiptarët.

Mbetet e paqartë se si gazetari ka ardhur në përfundimin se kryetari i Aleancës për Shqiptarët është kundër lojërave të fatit.

Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur” thotë Kodi Etik i Gazetarëve.

Gërshetimi i dy të pavërtetave, nuk e bën lajmin më bindës

Për të “demantuar” deklaratën e pathënë të kryetarit të ASh-së në lidhje me kazinotë, është përdorur një fotografi të fejsbukut personal të sekretarit gjeneral të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një hotel i cili quhet “Kazino”.

Kjo nuk mund të merret si tregues në qoftë se një politikan është pro apo kundër objekteve për lojëra të fatit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .
Source Tetova Sot Arben Taravari

Your email address will not be published.