Fauçi dhe Nënë Tereza nuk kanë lidhje familjare

Фото

Mjeku-shkencëtar amerikan dhe imunologu Anthony Fauçi dhe Nënë Tereza nuk kanë lidhje. Ajo nuk është as nëna e tij, as ai nuk është nipi i saj. Nëna Tereza nuk kishte fëmijë, kështu që ajo nuk mund të kishte qenë nëna ose gjyshja e Fauçit, as nuk ka ndonjë provë që ata ishin të lidhur familjarisht

Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se eksperti amerikan për sëmundjet infektive Anthony Fauçi dhe Nënë Tereza janë të afërm dhe se ai vrau njerëz me Corona në të gjithë botën. Të dyja deklaratat janë të pasakta.

Nipi i nënës së rreme humanitare Tereza, Fauçi shkatërroi njerëzit me koronën në të gjithë botën, gjithçka dihet

Anthony Fauçi, një mjek-shkenctar dhe imunolog amerikan i cili shërbeu si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive nga 1984 deri në 2022 dhe ishte këshilltar kryesor mjekësor i Presidentit nga 2021 deri në 2022, gjatë pandemisë, ka qenë një objektiv i shpeshtë të pretendimeve të rreme dhe fiktive.

I tillë është postimi i fundit në Facebook që promovon pretendime të rreme se Fauçi dhe Nënë Tereza janë të lidhur familjarisht, pra se ai është nipi i saj. Kjo nuk është e vërtetë.

Fauçi lindi në Nju Jork më 24 dhjetor 1940 nga Stephen dhe Eugenia Fauçi. Ai është fëmija i dytë i prindërve italiano-amerikanë të gjeneratës së parë.

Një histori e detajuar familjare me fotografi, kartolina dhe dokumente të imigracionit për familjen Fauçi u përpilua nga gjenealogisti Bradley Greenland. Ka informacione për prindërit e Fauçit dhe gjyshërit e Fauçit në të dy anët. Asnjë nga dokumentet nuk përmend emrin e Nënës Tereza si të afërme të Fauçit, as ajo nuk kishte ndonjë lidhje tjetër me familjen e tij italiane.

Sipas biografisë së Nënë Terezës, ajo ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeç, në 1928, ajo u bashkua me Urdhrin e Motrave të Loreto në Kalkuta, Indi, përpara se të themelonte Misionarët e Bamirësisë në vitin 1950. Gratë që u bashkohen urdhrave fetarë, si Nënë Tereza, bëjnë betimin e përjetshëm të dëlirësisë. Nuk ka asnjë tregues se Nënë Tereza ka pasur ndonjëherë fëmijë. Udhëtimi i saj i parë nga India në Shtetet e Bashkuara ishte në janar 1960, shumë pasi Fauçi lindi në Nju Jork.

Ajo u shpall shenjtore në Kishën Katolike Romake në vitin 2016 nga Papa Françesku.

Kjo nuk është hera e parë që pretendohet në mënyrë të rreme se Fauçi dhe Nënë Tereza janë të lidhur familarisht. Në vitin 2021, një faqe interneti e teorive konspirative ndau një pretendim të rremë se Dr. Anthony Fauçi ishte djali i Nënë Terezës. Pretendimet e lidhjes së Nënë Terezës me Fauçin rrjedhin nga një artikull nga Dark Outpost, një uebfaqe që më parë raportoi se Klintonët “u ekzekutuan në 2018” dhe se Presidenti amerikan Joe Biden “ishte gjeneruar nga kompjuteri”.

Por e vërteta është se Fauçi dhe Nënë Tereza nuk kanë lidhje. Ajo nuk është as nëna e tij, as ai nuk është nipi i saj. Nënë Tereza nuk kishte fëmijë, ndaj nuk mund të ishte nëna apo gjyshja e Fauçit.

Postimi gjithashtu pretendonte se Fauçi “zhduki njerëzit me korona në mbarë botën”. Kjo është një tjetër dezinformatë. Shfaqja dhe përhapja e koronavirusit nuk ka asnjë lidhje me Fauçin.

Pandemia COVID-19 është një pandemi globale e një koronavirusi-një sëmundje infektive e shkaktuar nga sindromi i rëndë i frymëmarrjes akute koronavirus 2 (SARS-COV-2). Rastet e para të koronavirusit u zbuluan për herë të parë në Kinë në dhjetor 2019, me virusin që u përhap shpejt në vendet e tjera të botës. Kjo bëri që OBSH të shpallte një emergjencë të shëndetit publik më 30 janar 2020 dhe të karakterizonte shpërthimin si një pandemi më 11 mars 2020. Virusi u identifikua nga autoritetet kineze më 7 janar 2020, pas së cilës u izolua materiali gjenetik i tij ARN.

Përhapja e virusit dhe pasojat e tij, të cilat shpesh ishin vdekjeprurëse, nuk kanë të bëjnë gjithashtu me Fauçin. Virusi mund të përhapet nga goja ose hunda e një personi të infektuar në grimca të vogla të lëngshme kur kolliten, teshtijnë, flasin, këndojnë ose marrin frymë. Këto grimca variojnë nga pikat më të mëdha të frymëmarrjes deri tek aerosolet më të vogla.

Fauçi njihet se ka qenë anëtar i grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për trajtimin e koronavirusit, i krijuar në fund të janarit 2020, nën Presidentin Donald Trump, për t’u marrë me pandeminë Covid-19. Ai është bërë zëdhënësi de fakto për shëndetin publik gjatë pandemisë dhe një përkrahës i fortë i përpjekjeve për distancimin shoqëror në Shtetet e Bashkuara. Për shkak të kësaj, ai është bërë shënjestër e shumë teorive konspirative dhe dezinformatave veçanërisht nga lëvizja anti-vaksinave.

Pas të gjitha fakteve të renditura, mund të konkludojmë se Fauçi dhe Nënë Tereza nuk kanë lidhje dhe as që ai ka “vrarë njerëz me korona në të gjithë botën”. Këto pretendime janë të pasakta dhe për këtë arsye postimin në shqyrtim e konsiderojmë të pavërtetë.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.