Dezinformatat nuk mund të zhduken – duhet të bëhen të ditur krijuesit e dezinformatave

Ka ardhur koha që rekomandimet të shndërrohen në aktivitete dhe të dihet saktë se çfarë roli ka secili nga aktorët në shoqëri në luftën kundër dezinformatave. Të pranohet se kush janë armiqtë – krijues të dezinformatave dhe të kuptojmë se me çfarë qëllimesh përhapin propagandë ata. Procesi do të jetë sfidues, por ai mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse vendet e rajonit bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë praktika dhe përvoja – këto janë përfundimet kryesore të panelit të diskutimit ” Zgjidhjet dhe hapat e ardhshëm – rekomandime për veprim të përbashkët” i cili u mbajt në kuadër të të konferencës ” Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, që u mbajt sot nën organizimin e Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, në bashkëpunim me Fondacionin “Metamorfozis”, raporton Portalb.mk.

Ndërtimi i rezistencës ndaj dezinformatave është një çështje që ka më shumë dimensione – duke filluar nga siguria kombëtare, e deri tek promovimi i lirive të medias, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i rolit të shoqërisë civile si nxitëse e demokratizimit, dhe pikërisht për këtë arsye gjithëpërfshirja është e domosdoshme. Theksoi kështu Elida Zylbeari, menaxhere e projektit në Fondacionin “Metamorfozis”.

Hapi i ardhshëm, siç tha ajo, është shndërrimi i rekomandimeve në aktivitete të përbashkëta.

“Kjo, para së gjithash, do të thotë konsultim me të gjitha palët e interesuara që në fund të prodhohet një dokument i caktuar – a do të jetë kjo një strategji, apo do të jetë ndonjë dokument tjetër, këtë do ta shohim në fund, një dokument që do ta japë kornizën për luftën kundër dezinformatave dhe ndikimeve të huaja përmes fushatave me dezinformata. Ne si palë e përfshirë në këtë proces propozojmë që ky të jetë një proces konsultativ sa më i hapur, që të ketë disa ndërveprime që askush të mos mbetet jashtë procesit, sepse ky nuk është një proces i Metamorfozis, i Qeverisë apo i ShGM-së, por është një proces i përbashkët”, tha Zylbeari.

Duhet t’i dëgjojmë të gjitha vërejtjet, shqetësimet dhe sugjerimet, t’i adresojmë të gjitha pyetjet që të mos ketë keqkuptime apo keqinterpretime dhe i gjithë procesi duhet të përfundojë me një dokument në të cilin do të shkruhet saktësisht dhe do të dihet saktësisht se kush çfarë përgjegjësie ka dhe se çfarë duhet bërë për të kontribuar në reduktimin e këtyre ndikimeve të dëmshme, sepse ato nuk mund të zhduken.

Elida Zylbeari, menaxhere projekti në Fondacionin Metamorfozis dhe kryeredaktore e Portalb.mk. Foto: Vanço Xhambaski
Elida Zylbeari, menaxhere projekti në Fondacionin Metamorfozis dhe kryeredaktore e Portalb.mk. Foto: Vanço Xhambaski

 

Në dokumentin me të cilin do të përfundonte ky proces do të duhej të dihej se cili aktor shoqëror çfarë përgjegjësie do të ketë dhe çfarë duhet të bëjë që të kontribuojë në reduktimin e këtyre ndikimeve të dëmshme, për të cilat Zylbeari tha se “nuk mund të zhduken”.

“Plani është që të vazhdojmë me këtë proces nëpërmjet një qasjeje sistematike për ndërtimin e kulturës së mendimit kritik dhe dialogut social në të gjitha nivelet, duke filluar nga sistemi arsimor, marrëdhëniet e institucioneve dhe palëve të interesuara në të gjithë sektorët, si dhe në nivel të familjeve dhe individëve. Gjithashtu, në varësi të burimeve, ne do kishim dashur të ftojmë përfaqësues nga vendet më të zhvilluara demokratike që kanë edhe një nivel të lartë të edukimit mediatik të vijnë këtu dhe të na prezantojnë shembujt e tyre që të na ndihmojnë ta përshtasim qasjen tonë dhe ta marrim atë që funksionon dhe që është e mirë, por që nuk do ta kërcënojë lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave”, tha Zylbeari.

Por recetë të saktë për ta luftuar dezinformimin që dihet se funksionon nuk ka. Çdo shoqëri ballafaqohet me sfida të tilla në mënyrën e vet dhe pak a shumë ka sukses në luftën kundër dezinformatave, tha bashkëpunëtorja për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për NATO-n dhe për çështje të sigurisë në Qeverinë e RMV-së, Svetllana Siljanoska.

Sipas saj, para se të shqyrtohen zgjidhjet e problemit, duhen parë qëllimet e atyre që “me vetëdije, të organizuar, qëllimisht dhe me buxhet krijojnë dezinformata”.

“Një nga qëllimet është minimi i besimit tek institucionet. Qëllimi i dytë është lëkundja e dëshirës apo nevojës së qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike. Njërën e shohim përmes besimit të ulët që tregohet ndaj të gjithë aktorëve shoqërorë, përfshirë edhe ndaj ne institucioneve. Të dytën e shohim përmes refuzimit për të marrë pjesë në proceset demokratike si referendumi, regjistrimi. Institucionet demokratike kanë dëshirë dhe qëllim që qytetarët të marrin pjesë në proceset demokratike ashtu siç duhet në një vend të zhvilluar”, tha Siljanoska.

Ajo shtoi se dezinformatat mund të ndikojnë në procesin zgjedhor edhe në vendet më të zhvilluara, që do të thotë se krijuesit e dezinformatave të tilla i arrijnë qëllimet e tyre.

“Aspekti i tretë është pasivizimi. Kur një qytetar është i ekspozuar ndaj shumë informacioneve, e ka shumë të vështirë që të arrijë tek ai i sakti. Në fund, ai me vetëdije zgjedh që të mos informohet. Ndërsa qytetarët e painformuar marrin vendime të painformuara. Kjo që u bë evidente sidomos gjatë periudhës pas fillimit të luftës në Ukrainë. Intensiteti i narrativave të ndryshme për të njëjtën situatë është më i madh se kurrë më parë. Nëse më parë dezinformatat kishin për qëllim të vënë në kundërshtim dy koncepte, tani kanë për qëllim të krijojnë një plejadë të tërë narrativash, që kur një qytetar të fillojë të informohet, kjo gjë të bëhet puna e tij. Kur të fillojë të informohet dhe të kërkojë informacione të sakta, në fund të heqë dorë dhe të thotë “me vetëdije të plotë zgjedh të mos informohem.” Kjo është një shoqëri në të cilën vendimet i marrin një përqindje shumë e vogël e njerëzve dhe qytetarëve”, tha Siljanoska.

Svetllana Siljanovska, bashkëpunëtore për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për çështjet e NATO-s dhe sigurisë, Qeveria e RMV, foto: Portalb.mk
Svetllana Siljanovska, bashkëpunëtore për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për çështjet e NATO-s dhe sigurisë, Qeveria e RMV, foto: Portalb.mk

Udhëheqësja e projektit dhe komunikimit strategjik në Qendrën për Perspektivë Evropiane nga Sllovenia, Petra Ballazhiq, ndau rezultatet e një hulumtimi të opinionit publik në lidhje me informacionin, i cili është realizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor në nivel rajonal.

Sipas këtij hulumtimi, 72 përqind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se dezinformatat janë problem në vendet e tyre. 57 përqind kanë qenë deri diku të bindur se mund të identifikohen me lajmet që paraqesin realitetin e tyre, për çka Ballazhiq tha se nga ana tjetër ndodhet një 43 përqindësh i qytetarëve që nuk e dinë nëse mund të identifikohen me informacionin që e lexojnë.

Ballazhiq gjithashtu tha se pjesa më e madhe, mbi 50 përqind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë informuar nëpërmjet mediave vendase, 44 përqind nëpërmjet miqve dhe familjes, ndërsa 13 përqind kanë besim te qeveritë e tyre.

“Kjo do të thotë që nëse keni dezinformatë e cila është përhapur mirë në një vend të Ballkanit Perëndimor, ata persona që besojnë në këtë dezinformatë mund ta ndajnë atë me miqtë e tyre në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai informacion qarkullon. Lajmi i fundit pikëllues është se 55 përqind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor nuk u besojnë qeverive të tyre, gjë që vë në pikëpyetje efektivitetin e komunikimit publik”, tha Ballazhiq, dhe shtoi se është në interesin e të gjithëve që të forcohet rezistenca rajonale ndaj dezinformatave përmes një bashkëpunimi të përbashkët.

Petra Balazhiq, menaxhere projekti dhe për komunikim strategjik në Qendrën për Perspektivë Evropiane, R. e Sllovenisë. Foto: Portalb.mk
Petra Balazhiq, menaxhere projekti dhe për komunikim strategjik në Qendrën për Perspektivë Evropiane, R. e Sllovenisë. Foto: Portalb.mk

Ajo e theksoi Maqedoninë e Veriut si shembull pozitiv të një vendi që ka bërë hapa të mëdhenj para në luftën kundër dezinformatave. Sipas saj, një zgjidhje e mundshme është që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkëmbejnë informacione dhe praktika të mira dhe të mësojnë nga njëri-tjetri dhe si shembull për këtë ajo i theksoi organizatat dhe mediat për vërtetimin e fakteve që kanë pasur bashkëpunim ndërkufitar.

“Një tjetër gjë është sigurimi i bashkëpunimit sektorial. Problemi është se ne në Ballkanin Perëndimor kemi vështirësi të realizojmë bashkëpunim me të gjithë shoqërinë. Është e vështirë që qeveritë dhe mediat të ulen bashkë”, shtoi Ballazhiq.

Narrativat janë posaçërisht të rëndësishme në procesin e ardhshëm në luftën kundër dezinformatave, ndërsa të kuptuarit e kësaj lufte dhe të mësuarit se si të përballemi me të do të jenë një proces paralel, tha Rosana Aleksoska, menaxhere e programit “Lufta kundër lajmeve të rreme dhe narrativave” nga Asociacioni qytetar “MOST”.

Pse është i rëndësishëm narrativi? Sepse te një pjesë e popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por dhe në Ballkan, sidomos tek popullata ortodokse, ekzistojnë disa besime, perceptime dhe keqkuptime të gabuara që mundësojnë që dezinformatat ta gjejnë rrugën e tyre dhe të ndikojnë. Kjo do të thotë se ky proces nuk është njëkahësh – sa më shumë dezinformata, shtrembërime informative dhe ndikim – aq më shumë këto keqkuptime të rrënjosura do të bëhen edhe më të thella”, theksoi Aleksoska.

Procesi është sfidues dhe në të duhet të përfshihet sistemi arsimor, politik, mediat dhe aktorët e tjerë.

“Nevojitet një proces gjithëpërfshirës shoqëror në të cilin do të përpiqemi fillimisht të kuptojmë, ndërsa pastaj ta definojmë saktë armikun”, tha Aleksoska, dhe shtoi se dezinformatat janë vetëm një nga mjetet e ndikimit të dëmshëm dhe malinj të Rusisë.

“Po, qëllimi është të krijohen distorzione dhe ndarje, të minohet besimi tek institucionet, tek media, tek organizatat e shoqërisë civile, tek aleatët tanë, megjithatë qëllimi tjetër shumë i rëndësishëm është të vërshohet procesi i informimit me aq shumë të dhëna të ndryshme që njerëzit të mbeten të hutuar dhe të mos dinë se çfarë të besojnë”, shtoi Aleksoska.

Ajo i përshëndeti nismat rajonale, por tha se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të bëhet në dëm të integrimeve euroatlantike.

“U bëj thirrje të gjithëve që ta braktisin konceptin e të paangazhuarve, sepse Perëndimi – sot jemi ne. Ne jemi Perëndimi. Integrimet euroatlantike nuk duhet ta pësojnë për shkak të nismave rajonale”, tha Aleksoska.

Me sesionin e titulluar “Zgjidhjet dhe hapat e ardhshëm – rekomandime për veprim të përbashkët” të cilin e moderoi Despina Kovaçevska, specialiste për monitormin e mediave në Fondacionin “Metamorfozis” u përmbyll Konferenca „ Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut “, në të cilën përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe medias diskutuan për disa nga çështjet më të rëndësishme të luftës kundër dezinformatave.



Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.