Cristina Tardaguila: Gazetaria është profesioni më i mirë në botë dhe verifikuesit e fakteve janë shumë të nevojshëm (Intervistë)
Cristina Tardaguila është një gazetare inspiruese dhe me plot energji nga Brazili e cila është themeluesja e Agjencisë Lupa, nisma e parë për vërtetimin e fakteve në shtetin e saj. Ajo është ish drejtoreshë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetim të Fakteve. Si gazetare dhe/ose redaktore, Tardaguila ka punuar në disa prej kompanive mediatike më të rëndësishme në Brazil dhe ka publikuar dy libra. Falë interesit të saj për luftën me dezinformatat, dy herë është thirrur të jetë folëse në TEDx dhe ka fituar titullin e gazetares më të mirë të vitit 2018 në gazetën elPeriodico. Të njëjtin vit asaj i është dashur të arratiset nga shteti për shkak të kërcënimeve me jetë. Brazili nuk ishte më vend i sigurt për të pasi ajo dhe kolegët e saj në Lupa po merrnin thuajse 56 000 kërcënime në muaj.
Në intervistën e saj për Portalb.mk, ajo flet për sfidat e verifikuesve të fakteve në këtë kohë të dezinformatave dhe zhvillimit të inteligjencës artificiale (IA). Ajo ndan këshillat e saj për atë sesi mund të bëhemi më të qëndrueshëm ndaj presioneve në kohëra të vështira dhe gjithashtu tregon narrativat kryesore të propagandës ruse që po shpërndahen në Brazil.
Intervistoi: Elida Zylbeari
Portalb: Si themeluese e Agjencisë Lupa, nisma e parë e verifikuesve të fakteve në Brazil, si e shihni rolin e verifikuesve të fakteve që po rritet në nivel global, në përballjen me sfidat që sjell shpërndarja e keqinformatave dhe dezinformatave?
Cristina Tardaguila: Jam shumë e emocionuar! E shoh se komuniteti i verifikuesve të fakteve në gjithë botën po bëhet më i madh. Pati një pikë kulminante të rritjes në vitet 2016-2018, dhe sot nuk po i shohim organizatat e verifikuesve të fakteve duke i pushuar punonjësit, duke u mbyllur, duke e ulur produksionin. Komuniteti i verifikuesve të fakteve është shumë i qëndrueshëm në këtë fazë, jemi qindra organizata të vërtetimit të fakteve, kurse dhjetë vite më parë ishim ndoshta 20. Gjatë pandemisë COVID-19, komuniteti i verifikuesve të fakteve dëshmoi se ne nuk merremi vetëm me çështje politike dhe se puna jonë është me rëndësi thelbësore. Nuk mund ta paramendoj çka do kishte ndodhur gjatë pandemisë nëqoftëse nuk do të ishin verifikuesit e fakteve. Mendoj se dy vitet e fundit ishin jashtëzakonisht të dobishme për verifikuesit e fakteve sepse pandemia tregoi se ato janë shumë të nevojshëm.
Portalb: A mjafton vërtetimi i fakteve për të luftuar dezinformimin?
Cristina Tardaguila: Kryen shumë punë. Ka hulumtime të fundit shumë të mira për sa i përket efektivitetit të verifikimit të fakteve dhe nëse ky proces funksionon ose jo. Secili hulumtim i bërë në këtë fushë tregon se po, vërtetimi i fakteve është produksion i mirë, dhe po, ka ndikim. Një publikim i Gazetës së Universitetit të Kembrixhit që doli në shkurt të këtij viti i ka testuar tetë situata të ndryshme me eksperimente me anketa dhe të gjitha duket se kanë funksionuar.
Tani, nëse mund ta zgjidhim plotësisht problemin e dezinformimit është çështje tjetër. Jo, natyrisht që jo, sepse nuk është vetëm problem komunikimi. Është një çështje që është edhe politike dhe teknologjike. Verifikuesit e fakteve janë kryesisht gazetarë, dhe ne mund t’i kryejmë hulumtimet tona dhe t’i nxjerrim në pah aktorët e këqij dhe taktikat e këqija, por ne nuk jemi polici ose prokurori. Nuk jemi krijuesit e ligjit, as ndërmarrje të teknologjisë. Kështu që, ka shumë instanca të fuqisë dhe informacionit që duhet të na bashkëngjiten për t’i luftuar dezinformatat, një luftë të cilën ne ende po e humbim.
Portalb: Çfarë mendoni për rolin e edukimit mediatik?
Cristina Tardaguila: Së pari duhet ta pranojmë se secili prej nesh përhap keqinformim, sepse shpërndajmë gjërat që i pëlqejmë, kurse i fshijmë gjërat që nuk i pëlqejmë. Por, te të gjithë ky është një hap shumë i vështirë për ta ndërmarrë. Njerëzit vërtetë duhet ta dinë këtë. Për shembull, në rastin tim, nëse shoh një reklamë që thotë se po jepen çokollata falas në një supermarket, do ta besoj dhe do të shkoj te ai supermarketi. Dua të them se, nuk ka rëndësi që punoj në këtë fushë që 10 vite, që di gjithçka rreth dezinformatave, kjo është ajo që dua të ndodhë. Kështu që, njerëzit duhet ta bëjnë një rishikim personal dhe të jenë të vetëdijshëm se çfarë besojnë, nga çka kanë frikë dhe çfarë pëlqejnë. Gjithashtu, edukimi është shumë i rëndësishëm. Dua të them, edukimi i mirëfilltë.
Portalb: Duke pasur parasysh përvojën tuaj shumëvjeçare si gazetare dhe redaktore në mediat braziliane, si e shihni adaptimin e gazetarisë tradicionale në botën digjitale, veçanërisht sa i përket vërtetimit të fakteve dhe ruajtjes së kredibilitetit në një epokë të shpërndarjes së shpejtë të informacioneve?
Cristina Tardaguila: Tani, në kohëra lufte, është më e qartë se kurrë nevoja për të përdrorur Inteligjencë Open-Source (OSINT), sepse burimet e informacioneve mund të jenë plotësisht të njëanshme si dhe të përfshira në luftë. Kjo situatë mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë nëse je një gazetar tradicional. Nuk mund të mbështetesh vetëm në burimet tua sepse ato burime do të tentojnë të tregojnë njëanshmëri dhe një narrativ ose do të gënjejnë. Ajo që duhet të bësh është të gjesh dhe analizosh të dhënat nga fotot, videot. Nuk shoh si mund gazetaria tradicionale të mbijetojë më tej. Të gjithë e dimë se burimet luajnë me gazetarët dhe mediat. Kështu që, më mirë të bazohemi në të dhënat dhe meta të dhënat për të vërtetuar atë që thuhet, ashtu që të mos mashtrohemi, apo jo?
Besoj se të gjithë gazetarët së shpejti do të kontaktojnë verifikuesit e fakteve për të mësuar OSINT dhe veglat e vërtetimit të fakteve.
Portalb: Çfarë i këshilloni gazetarët dhe verifikuesit e fakteve që punojnë në kohë ankthi shoqëror ose lufte, kur gjërat ndodhin kaq shpejtë? Si mund të mbetemi të besueshëm dhe të drejtë kur jemi duke nxituar?
Cristina Tardaguila: Dy gjëra janë shumë me rëndësi. Pikë së pari, jini të sinqertë sa u përket burimeve tuaja dhe sa të mira janë ato. Nëse citoni një përfaqësues të njërës palë të luftës, duhet ta informoni lexuesin se ky burim është pjesë e problemit. Sigurohuni që të ndani me lexuesin edhe kontekstin, paragjykimet dhe interesat e mundshme të të gjitha burimeve. Duhet të jeni shumë të çiltër dhe të sinqertë, sepse kjo është ajo që njerëzit presin prej gazetarëve, sinqeritet dhe çiltërsi. Dhe duhet të jeni në gjendje të thoni “nuk kemi mundur ta vërtetojmë këtë” ose se keni dëgjuar vetëm një burim deri tani.
Gjëja e dytë që do thoja është të bashkëpunoni. Gazetarët nuk bashkëpunojnë. Ndoshta ti di diçka që unë nuk e di dhe jemi disi duke luftuar me njëri tjetrin por në fund të ditës përbindëshi është dezinformimi. Kështu që mësoni të krijoni shoqëri në redaksi të tjera, në gazeta të tjera, në stacione radiosh, dhe shkëmbeni, sepse ajo që të gjithë ne e kërkojmë është e vërteta.
Portalb: Si mund inteligjenca artificiale (IA) t’i ndihmojë verifikuesit e fakteve dhe gazetarinë në përgjithësi?
Cristina Tardaguila: Besoj se verifikuesit e fakteve duhet t’i përdorin veglat ekzistuese të IA-së për të kursyer kohë. Nuk duhet të transkriptoni një intervistë televizive, dërgojani incizimin chatbotit dhe ai do ta transkriptojë për ju. Nëse një imazh është modifikuar, ka shumë vegla ku mund ta ngarkoni imazhin dhe do ju tregojnë ku është modifikuar. Me siguri do ua përshpejtojë punën.
IA nuk duhet të përdoret për asnjë prodhim që del nga redaksia pa u rishikuar. Kjo do të ishte këshilla ime numër një. Mos i besoni IA dhe të mbështeteni plotësisht te ajo. Mos lejoni IA të zëvendësojë cilindo. Vetëm do t’ju kursejë kohë, por nuk do e zëvendësojë trurin e njeriut.
Portalb: Keni marrë shumë kërcënime si pasojë e punës suaj, dhe duhej ta braktisnit shtetin. Si mundemi të bëhemi më të qëndrueshëm ndaj presioneve në kohë të vështira?
Cristina Tardaguila: Pikë së pari, do thoja asgjë nuk është më e rëndësishme se vetja juaj, asgjë. Nuk ka rëndësi kush i fiton zgjedhjet. Nuk ka rëndësi nëse diçka është e vërtetë ose jo. Nuk ka rëndësi. Së pari vini ju, gazetari, redaktori, apo jo? A jeni i sigurt? A jeni duke fjetur mirë? A jeni duke kaluar kohë me familjen tuaj? Vërtetë, nuk ka asgjë më të rëndësishme në botë sesa ju si person. Me kohë, gjërat patjetër të bien në ekuilibër.
Gjëja tjetër është të jeni të përgatitur. Nëse jeni në një redaksi, diskutoni se si po e përballoni gjuhën e urrejtjes dhe si i përballoni kërcënimet ndaj jush. Krijoni rregulla sepse secili duhet ta dijë se çfarë duhet të bëjë në qoftë se merr një kërcënim. Kë duhet ta thërrasin? Me kë duhet të bisedojnë? Te kush duhet ta paraqesin? Dhe pastaj nëse jeni menaxher dhe e merrni atë denoncim çfarë të bëni? A do ta thirrni policinë? A do ta dërgoni kolegun tuaj jashtë shtetit? E dini, duhet të keni udhëzime të qarta për të vepruar. Gjithashtu ju nevojitet mbështetje e mirë psikologjike.
Nëse shikoni komunitetin e verifikuesve të fakteve, nuk mendoj se ka dikush që është vërtet i sigurt sot. Të gjithë kërcënohen në një farë mënyre, shahen ose kritikohen me gjuhë të ulët, veçanërisht nëse je grua. Aspekti psikologjik i kësaj çështjeje meriton një bisedë krejt të re. Është vërtet shumë e vështirë të jesh online dhe të jesh verifikues i fakteve dhe gjithashtu të jesh psiqikisht i shëndetshëm. Po, ju duhet shumë forcë dhe një sistem mbështetës.
Portalb: Cilat janë narrativat kryesore të propagandës ruse që po shpërndahen në Brazil?
Cristina Tardaguila: Aktorët pro-rus kryesisht shpërndajnë deklarime kundër SHBA-së. Një raport shumë i mirë kohëve të fundit nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Brazil vë në dukje një grup të quajtur “Rezistenca e Re”. Janë shumë mirë të koordinuar dhe të ndërlidhur me akademinë dhe universitetet braziliane, dhe gjithashtu kanë blerë aksione në disa gazeta, radio dhe media të tjera.
Brazili dhe SHBA ishin shumë të afërt gjatë mandatit të ish kryetarit, Jair Bolsonaro, i cili ishte shok me Donald Trump-in. Me kryetarin e tanishëm majtist, Luiz Inacio Lula, duket se ka gjasa për rritjen e ndikimit rus. Ai ka dështuar të tregojë mbështetje për Ukrainën, duke i fajësuar të dyja palët për luftën.
Portalb: Çfarë këshillash do t’ju jepni gazetarëve dhe verifikuesve të rinj të fakteve, të cilët po mundohen të kenë ndikim domethënës në luftën kundër dezinformimit dhe ruajtjes së integritetit të gazetarëve?
Cristina Tardaguila: Do të thoja, jini modest, jeni në dijeni për atë se çfarë nuk dini dhe shpjegoni çfarë nuk dini. Jini të sinqertë për sa u përket kufizimeve tuaja. Vazhdoni të mësoni çdo vegël sepse ato ndryshojnë dita ditës. Gjithashtu bashkëpunoni me të tjerët dhe tregoni solidaritet.
Nëse vendosni të hapni biznes dhe të bëheni sipërmarrës i mediave, sigurohuni që së pari të studioni menaxhim të biznesit. Shumë gazetarë dështojnë kur përpiqen të hapin një gazetë ose një faqe interneti, sepse nuk fitojnë aftësitë menaxheriale kur studiojnë gazetari në universitetet tona. Të paktën në këtë pjesë të planetit kështu është.
Portalb: Në këtë kohë kur gazetaria ka humbur kredibilitetin, më shumë për shkak të lajmeve të rrejshme, dhe problemeve tjera, siç janë mungesa e financiave dhe kërcënimeve, pse do të doje të ishe një gazetare?
Cristina Tardaguila: Sepse siç thotë zakonisht Gabriel Garsia Markez, ky është profesioni më i bukur në botë. Ha ha ha. Dhe unë i besoj. Nuk mund ta imagjinoj veten duke bërë diçka tjetër.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari