ANALIZË: “Rrota panoramike” dhe “Karuseli në Luna Park” nën thjerrën e revizorëve!
Si janë ndarë furnizimet publike, sa herë dhe për çfarë qëllimi kanë ndryshuar Planet Vjetore për furnizime publike, cilat janë dobësitë dhe pasojat – këto janë çështjet kyçe që i trajton revizori shtetëror në analizën “Efektiviteti i politikave, masave dhe aktiviteteve në ndarjen e kontratave për furnizime publike në nivel të NP të Qytetit të Shkupit”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Janë shqyrtuar gjithsej 61 procedura të furnizimeve publike në gjashtë ndërmarrje publike. Me revizion është përfshirë periudha nga viti 2016 deri në vitin 2018, por edhe periudha paraprake kur janë lidhur kontratat që kanë shkaktuar detyrime në vitet në vijim. Udhëheqësitë e gjashtë ndërmarrjeve publike kanë dorëzuar gjithsej 24 vërejtje ndaj raportit të revizionit, 11 prej të cilave nuk u pranuan, për 11 vërejtje është konstatuar se paraqesin njoftime, një vërejtje është pranuar plotësisht, ndërsa një është pranuar pjesërisht.
Shkruan: Aneta Dodevska
JANË HARXHUAR PARATË – NDËRSA EFEKTET DHE QËLLIMET E FURNIZIMEVE PUBLIKE NUK JANË ARRITUR
Janë realizuar si urgjente, me negociata “në katër sy”, e ka pasur mundësi të realizohen si procedura të rregullta të furnizimit publik. Kjo është njëra nga vërejtjet kryesore të shënuara në raportin e revizionit, që e vë nën thjerrë mënyrën e kryerjes së furnizimeve publike nga ana e gjashtë ndërmarrjeve publike të formuara nga Qyteti i Shkupit në periudhën 2016 deri në vitin 2018.
Në momentet kur është filluar procedura e negociatave urgjente, ngjarjet kanë qenë urgjente, por duke pasur parasysh se ato janë paraqitur si ngjarje të vazhdueshme ose të pritura, ato kanë mundur të ishin planifikuar me saktësi dhe të filloheshin me kohë – thuhet në raportin e revizionit.
Revizorët i kushtojnë vëmendje dy furnizimeve me vlerë më të madhe të realizuara nga ndërmarrjet publike të porositura nga themeluesi i tyre, Qyteti i Shkupit në vitin 2014 dhe 2016.
Në korrik të vitit 2014, NPT-ja dhe një kompani ndërtimi nënshkruan një kontratë në vlerë prej 18.3 milion eurosh për të investuar në ndërtimin e “Rrotës Panoramike”.
Deri në periudhën e kryerjes së revizionit, gjegjësisht deri në prill të vitit 2019, është paguar një shumë e konsiderueshme prej 4.8 milion eurosh për ndërtimin e objektit. Në mars të vitit 2019, kryetari i Qytetit të Shkupit, me kërkesë të mëparshme nga NPT-ja, solli Aktvendim për ndryshimin e rrjedhës së ndërtimit, me të cilin objekti ishte konvertuar në urë këmbësorësh, ndërsa shtyllat e betonit, mbi të cilat duhej të qëndronte rrota ishin prishur. Konvertimi i objektit duhet të paraqesë një “shpëtim” të mjeteve tashmë të investuara, por duhet të kihet parasysh se tashmë ka dy ura rreth 50 metra më larg – thuhet në raportin e revizionit.
Furnizimi i dytë që e analizojnë revizorët ka të bëjë me Karuselin për fëmijë, për të cilin në korrik të vitit 2016 u nënshkrua një marrëveshje midis NP “Parqet dhe Gjelbërimi” dhe firmës – subjektit kontraktues në vlerë prej 200,000 euro.
Furnizimi është realizuar në vitin 2017 dhe në të njëjtin vit karuseli u vendos në “Luna Park”. I njëjti lloj i prokurimit, me të njëjtin person juridik është realizuar në vitin 2002 me një vlerë prej 163,000 denarësh. Revizionit nuk i janë paraqitur prova adekuate për nevojat për këtë furnizim, në kushte kur Qyteti i Shkupit në vitet e fundit ka iniciuar ndërtimin e një parku të ri zbavitës me rekuizite të reja – shkruajnë revizorët dhe konstatojnë:
Në të dyja rastet, furnizimet nuk i kanë arritur qëllimet e përcaktuara fillimisht, kurse janë shpenzuar mjete të konsiderueshme financiare.
DOBËSI DHE LËSHIME GJATË NDARJES SË FURNIZIMIT PUBLIK
Pa procedurë të zbatuar të furnizimit publik, në vitin 2017, gjashtë ndërmarrjet publike krijuan borxhe në vlerë prej 300,000 eurosh, kryesisht për furnizim të energjisë elektrike dhe për shërbime postare. Sipas revizorëve, problematike janë furnizimet deri në 500 euro në muaj, të cilat nuk janë të përfshira në zgjidhjet ligjore për furnizime publike.
Nga hulumtimet e kryera erdhën në përfundimin se të gjitha NP-të, përveç NP “Higjiena Komunale” nuk i janë përmbajtur këtij kufiri, gjegjësisht për këtë lloj të furnizimeve kanë shpenzuar shuma më të larta se kufiri vjetor, për shkak të interpretimit të ndryshëm të nenit të ligjit” – theksojnë revizorët dhe potencojnë se nga prilli i vitit 2019 janë rritur kufijtë për furnizimet publike – thonë revizorët.
Në një pjesë të dobësive dhe lëshimeve gjatë ndarjes së furnizimeve publike, në mes tjerash, revizioni konstaton:
Ka furnizime për të cilat nuk është kryer asnjë procedurë dhe nuk është lidhur ndonjë kontratë. Publikimi i shumës së vlerësuar në shpallje nuk ofron konkurrencë. Ndarja e kontratave për furnizimet publike në të cilat merr pjesë një tenderues i vetëm, zakonisht nuk i jep rezultatet e pritura për sa i përket parimeve për ndarjen kontratave për furnizime publike. Përdorimi i çmimit më të ulët si kriter i vetëm për zgjedhjen e ofertës më të favorshme mund të ndikojë negativisht në cilësinë e mallrave dhe shërbimeve.
Në vitin 2016 dhe 2017, në madje 54% të numrit të përgjithshëm të procedurave të zhvilluara, ofertë është paraqitur vetëm nga një kompani ofertuese, ndërsa në vitin 2018 kjo përqindje është ulur në 39%.
Këto përqindje janë të larta dhe tregojnë se ka mungesë të konkurrencës në procedura” – përfundojnë revizorët.
Revizioni gjithashtu i analizon edhe të dhënat për atë se sa furnizime publike ishin planifikuar në nivel të NP-ve dhe sa prej tyre ishin realizuar, duke arritur në përfundimin se të gjashtë NP-të nuk arritën t’i realizojnë plotësisht furnizimet e planifikuara publike.
Në vitin 2017, shkalla e realizimit të planit ndryshon nga 57% te NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” e deri në 72% te NP “Rrugët dhe Udhët”. Theksojmë se te NPT-ja, revizioni nuk ishte në gjendje t’i përcaktojë përqindjet e realizimit për shkak të mënyrës së evidentimit të procedurave, por me ndryshimet ligjore të vitit 2019 pritet që kjo situatë të kapërcehet – theksojnë revizorët.
Në periudhën nga vitit 2016 deri në vitin 2018, gjetjet e revizionit tregojnë se nuk ka NP që nuk ka bërë ndryshim në Planin Vjetor të Furnizimeve Publike, ndërsa në disa raste ndryshimet janë të mëdha dhe të rëndësishme në aspekt financiar.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari