Në disa sektorë – rritja e rrogave arriti deri në 20%

Rrogat më të larta kanë punonjësit në sektorin e energjisë, minierave, informacionit dhe komunikimit dhe veprimtarisë financiare. Rrogat më të ulëta në gusht u paguan në hotelieri dhe veprimtaritë për shërbime ushqimore, veprimtaritë për shërbime administrative dhe mbështetëse, në bujqësi. Sipas statistikave zyrtare, në gusht, rroga mesatare neto në vend arriti në 447.7 euro dhe krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar ajo u rrit për 39 euro ose 9.6%.

Në disa industri, rritja e rrogave është dukshëm më e lartë.  Kështu, rroga mujore neto e paguar për punonjës në sektorin e artit, argëtimit dhe rekreacionit u rrit për 20,4%, në bujqësi, pylltari dhe peshkim për 16,9%, ndërsa punonjësit në veprimtaritë e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale morën rrogë mesatare më të lartë se vitin e kaluar për 13,2%. Pothuajse në të gjithë sektorët, u regjistrua rritje e rrogës mesatare, me përjashtim të hotelerisë dhe veprimtarive për shërbime ushqimore – ku u regjistrua një rënie prej 0.4%.

Cila është arsyeja e rritjes së rrogës mesatare për 9.6%? Disa ekonomistë komentojnë se kjo është pasojë e strukturës së ndryshuar të punonjësve – ata me të ardhura të ulëta që e humbin vendin e tyre të punës largohen nga statistikat dhe mbeten ata me të ardhura më të larta – dhe për këtë arsye rritet edhe mesatarja.

 Dy faktorë ndikojnë në këtë trend. Së pari, ka sektorë që kanë punuar shumë mirë gjatë verës dhe së dyti, është ulur numri i të punësuarve në sektorët ku rrogat janë të ulëta. Ose, në këto matje praktikisht “mungojnë” ata me rroga më të ulëta, të cilët kryesisht i humbin vendet e tyre të punës. Përjashtimi i rrogave të ulëta i lë në statistika rrogat e larta, të cilat nga ana tjetër e rrisin mesataren kombëtare – komentojnë ekonomistët.

Por në bazë mujore, krahasuar me korrikun, u regjistrua një rënie e rrogës mesatare mujore në disa veprimtari, midis tyre edhe ato që u prekën nga kriza ekonomike.

Paga mesatare gusht/korrik në tregti me shumicë dhe pakicë ka pasur rrënie prej 0,6 përqind, informacione dhe komunikim (-2 përqind), veprimtari financiare (-1,2 përqind), veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike (-2,3 përqind) dhe arim (-0,3 përqind).

 

Shpenzimet për nevojat themelore për jetesë u rritën për gati 13 euro krahasuar me vitin e kaluar

Përderisa rroga mesatare neto në vend në nivel vjetor statistikisht shënon rritje, të dhënat tregojnë gjithashtu rritje edhe të shpenzimeve të jetesës. Sipas “shportës minimale konsumatore” të publikuar nga LSM-ja, në gusht ishin të nevojshme 545 euro për t’i mbuluar shpenzimet themelore për jetesë. Paga mesatare përsëri është 447,7 euro. Vitin e kaluar në gusht, shporta minimale e sindikatës ka arritur 532,5 euro, ndërsa paga mesatre 408,5 euro.

Pothuajse 42% e shpenzimeve përfundojnë për ushqim dhe 32% për banim – pagesë të faturave.

Në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, vlera e shportës konsumatore është rritur pothuajse 13 euro  Në mënyrë që të amortizohet ndikimi mbi standardin e jetesës, është planifikuar  mbështetje financiare për punëdhënësit për pagesën e rrogave, e cila do të jetë e shkallëzuar dhe në përputhje me rënien e të ardhurave të ndërmarrjes, pra do të shkojë nga 14.500 denarë deri në maksimumin prej 21.776 denarëve për punonjës.