ANALIZË: RMV, rritje e kursimeve madje edhe me kamata të ulëta!
Kërkesë e shtuar për kredi konsumatore dhe banesore, rënie e kredive përmes kartelave kreditore. Kreditim i popullsisë me përqindje të konsiderueshme të rritjes, por jo edhe kreditim i kompanive. Në vitin e kaluar, bankat mbetën në një zonë të rritjes së likuiditetit, depozitat u rritën, e po ashtu dhe portofoli i kredive. Cili është tendenca që pritet në vitin e ri 2020 në sektorin bankar?
Rritje e konsiderueshme e kredive konsumatore dhe atyre banesore
Edhe në vitin 2019 u regjistrua rënie e kamatave pasive, gjegjësisht kamatave të depozitave. Pavarësisht nga ky trend, kursimet në banka ishin në rritje, që sipas disa ekonomistëve, tregon se sektori bankar edhe më tej mbetet alternativa e vetme për “shtimin” e mjeteve të kursyera, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
“Fakti që në kushte të rënies së përqindjes së kamatave pasive, në vendin tonë megjithatë ka rritje të kursimeve në banka, është rezultat i infrastrukturës ende të dobët financiare në Maqedoni, të shoqëruar nga një numër i vogël i formave alternative të kursimeve. Edhe shumë ujë do të rrjedhë nëpër Vardar derisa të fusim në përdorim dhe të zhvillojmë forma alternative të kursimit, siç ekzistojnë në eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet gjithashtu kohë, për arsimimin e popullatës dhe durim, në riorientimin e tyre nga kursimet vetëm në banka, në forma të tjera të kursimeve. Por, drejt këtij qëllimi, shkojmë ngadalë, mirëpo me siguri” – thotë njëri nga ish-guvernatorët, profesori Ljube Tërpeski.
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Popullore, në vitin 2019, baza totale e depozitave në vend arriti në 6.68 miliardë euro, ndërsa depozitat në nivel vjetor u rritën për 9.5%. Depozita të përgjithshme 6.68 miliardë euro, gjegjësisht popullsia 4.43 miliardë euro dhe sektori i korporatave 1.82 miliardë euro.
Vërehet se në nivel vjetor, depozitat e sektorit të korporatave u rritën për 14.6%, ndërsa të popullsisë për 7.9%.
“Rritja vjetore e depozitave në sektorin e korporatave është 14.6%, me ç’rast kontributin më të madh e kanë paratë e depozitave, depozitat afatgjata në denarë dhe në valuta të huaja (afatshkurtra dhe afatgjata), ndërsa depozitat afatshkurtra në denarë kanë rënë” – njoftojnë nga Banka Kombëtare.
Në anën e kredidhënies, në fund të vitit 2019, plasmani i përgjithshëm i kredive bankare arriti në 5.55 miliardë euro, me një rritje vjetore të kreditimit prej 6%, e krijuar kryesisht nga kreditimi i popullsisë.
Përqindja e rritjes së përgjithshme të kreditimit 6.0%, kreditimi i popullsisë 10.5%, kreditimi i sektorit të korporatave 1.9%.
“Në dhjetor, kreditë totale u rritën për 1.9% në krahasim me muajin e kaluar, si rezultat i rritjes së kreditimit për të dy sektorët, duke pasur parasysh kontributin më të madh të sektorit të korporatave. Në bazë vjetore, kreditë totale u rritën për 6.0%, në kushte të rritjes më të madhe të kreditimit për sektorin e “amvisërive” – thonë nga Banka Popullore.
Sipas ekonomistëve, në vitin e kaluar ka pasur një ngadalësim të mëtejshëm të kamatave të kredive, e për këtë ka disa arsye. Në periudhën e ardhshme nuk priten zhvendosje të mëdha në politikën e kamatave.
“Për rënien e përqindjeve aktive të kamatave, si një nga gjërat më pozitive që na ka ndodhur, ndikojnë një sërë faktorësh, ndër të cilët, sipas meje, më të rëndësishme janë konkurrenca e shtuar bankare, e shoqëruar me konkurrencën për kreditim të kompanive të huaja në ekonominë reale nga ana e bankave nga vendet e tyre amë, ulja e përqindjes së kredive problematike dhe gjithsesi ulja e shpenzimeve të bankave që vijnë nga ulja e kamatave pasive. Masat që i ndërmorën FED-i dhe ECB-ja pas krizës së madhe financiare të vitit 2007, të njohura si Masat alternative monetare, ngadalë po lihen. FED-i, gjegjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë rikthyer plotësisht në politikën monetare “klasike”, ndërsa ECB-ja, gjegjësisht EMU-ja, është në këtë rrugë, megjithëse te ata ky aktivitet zhvillohet më ngadalë. Prandaj, nuk pres që, në vendin tonë, të ketë ndonjë ndryshim më të madh në politikat e kamatave në vitin 2020, në krahasim me vitin 2019 ”- thotë profesori Tërpeski.
Te kreditimi i popullsisë përqindje më të larta të rritjes kishte te kreditë konsumatore dhe ato banesore.
“Analizuar sipas qëllimit të kredive që u janë miratuar personave fizikë, te kategoritë më të shpeshta – kreditë konsumatore dhe ato banesore ,është regjistruar rritje mujore prej 1.3% dhe 2.0% përkatësisht, si dhe rritje vjetore prej 14.6% dhe 12.7%, respektivisht. Kredia për automobila në dhjetor shënuan rritje mujore dhe vjetore prej 1.6% dhe 1.4%, përkatësisht. Kreditë e miratuara për kartela krediti janë zvogëluar për 0.3% dhe 2.6%, në bazë mujore dhe vjetore, përkatësisht. Te saldot negative të llogarive rrjedhëse është regjistruar rënie mujore dhe vjetore prej 13.2% dhe 1.7%, përkatësisht, ndërsa kreditë e miratuara për arsye të tjera, këtë muaj, u ulën për 0.4% dhe 10% përkatësisht në nivel mujor dhe vjetor” – thuhet në raportin e fundit të BPM-së.
Në terma absolutë, për shkak të kredive konsumatorëve, qytetarët kanë borxh prej 1.5 miliardë eurosh, 835 milionë euro për kredi banesore dhe 184 milionë euro për kartela krediti.
Në vitin 2019, niveli i rritjes së kreditimit të popullsisë ishte 10.5% në bazë vjetore, ndërsa kreditimi i sektorit të korporatave u rrit për 1.9%.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari