ANALIZË: Pothuajse 1.000 hotelierë vendosin “drynin në dyert” e lokaleve të tyre në vitin e krizës 2020 (Infografik)

Rritet numri i kompanive që vendosur drynin në dyert e lokaleve të tyre si dhe numri i njerëzve që kanë humbur vendet e punës. Të dhënat nga Enti Statistikor tregojnë se në vetëm për një vit, pothuajse 1.000 kompani në sektorin e “veprimtarive të tjera shërbyese” vendosën të mbyllnin bizneset e tyre. Pikërisht kjo veprimtari, sipas të dhënave zyrtare, përfshin pothuajse 7% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve private në vend, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rritet numri i të papunëve për shkak të krizës ekonomike…

Gjithsej 250,308 njerëz janë regjistruar si të papunë – punëkërkues aktivë dhe pasivë. Në fund të muajit të dytë të këtij viti, të dhënat nga Agjencia e Punësimit tregojnë një trend të mëtejshëm të rritjes së numrit të të papunëve. Konkretisht, 159,608 janë regjistruar si punëkërkues aktivë dhe në krahasim me janarin ka një rritje prej gati 1000 të regjistruarve të rinj. Situata është e ngjashme edhe me punëkërkuesit pasivë, në shkurt janë regjistruar 90,700 me një rritje prej 407 të regjistruarve të rinj.

Një nga arsyet për rritjen e numrit të të papunëve është “mobilizimi” për t’u regjistruar për shkak të obligimit ligjor për të marrë përfitime shtetërore, por edhe kriza ekonomike ka ndikimin e saj. Kështu, në fund të shkurtit, numri i njerëzve të pushuar nga puna për shkak të krizës së Kovid-19 arriti në 18,266.

Për rimëkëmbjen ekonomike nevojitet “vaksinimi”

Edhe statistikat zyrtare i konfirmuan paralajmërimet e zeza të hotelierëve. Vetëm për një vit, 911 subjekte afariste, përkatësisht kompani nga “veprimtaritë e tjera shërbyese”, i mbyllën bizneset e tyre, ndërsa kriza ekonomike është faktori kryesor.

Përveç veprimtarisë hotelierike, edhe sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz dhe klimatizim regjistroi një rënie të numrit të ndërmarrjeve me 26 ndërmarrje në vit.  Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar kishte 73,061 ndërmarrje, ndërsa pothuajse 7% e tyre ishin nga sektori i veprimtarive të tjera shërbyese, i cili punëson më shumë se 15,000 njerëz.

Në fakt, sektorët dhe industritë më të prekura përfshijnë numrin më të madh të të punësuarve, të tilla si industria prodhuese, bujqësia, tregtia, transporti.

Të dhënat e përmbledhura tregojnë se viti 2020 përfundon me një përqindje të rritur të papunësisë prej 16.4%.  Megjithatë, sipas paralajmërimeve të sektorit të biznesit, rimëkëmbja ekonomike pritet këtë vit.

“Kur bëhet fjalë për perceptimet e subjekteve ekonomike në lidhje me gjendjen e ekonomisë, rezultatet e sondazhit për periudhën janar-shkurt 2021 tregojnë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020. Optimizmi i shtuar midis subjekteve ekonomike tregon për vazhdimin e rimëkëmbjes graduale ekonomike, e cila është kryesisht për shkak të stabilizimit të valës së dytë të pandemisë në këtë periudhë dhe fillimit të imunizimit në vend” – theksojnë nga Banka Popullore.

Mirëpo, duke pasur parasysh zvarritjen e procesit të imunizimit dhe zgjidhjet e bllokuara ligjore deri para disa ditësh në Parlament lidhur me paketën e pestë të masave anti-krizë, disa ekonomistë dhe biznesmenë paralajmëruan se kriza ekonomike në vend mund të “zgjatej” dhe të derdhej edhe në tremujorin e dytë ekonomik, i cili fillon për disa ditë.

“Një bllokadë e tillë mbart gjithashtu rrezikun që shpëtimi i vendeve të punës që u arrit në vitin 2020, tani të humbet, veçanërisht në sektorët që janë ende kritikë: tregtia, transporti, hotelieri, argëtimi dhe rekreacioni, dhe shërbimet personale “- theksojnë nga instituti “Finance Think”.

Vaksinat nga sistemi Kovaks pritet të mbërrijnë më 31 mars – kur edhe përfundon afati i fundit për të aplikuar për ndihmë nga paketa e pestë e masave, dy faktorë kryesorë që do ta përcaktojnë aktivitetin ekonomik të kompanive, e me këtë edhe “fatin” e shumë punonjësve në periudhën vijuese.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari