ANALIZË: Çmimet e banesave në rritje – çfarë i bëri më të shtrenjta patundshmëritë? (Infografik)

Çmimet e banesave në rritje – zvogëlohet numri i lejeve të lëshuara për ndërtim. Në tregun e patundshmërive, posaçërisht në shitjen e banesave, në periudhën e kaluar është regjistruar një trend i rritjes së çmimeve për metër katror të hapësirës për banim, shkruan Portalb.mk. Ka disa arsye prapa kësaj, njëra prej tyre janë moratoriumet për ndërtim që janë në fuqi në disa komuna. 

 

Në fund të vitit 2020, Enti Statistikor regjistroi trende “negative” në biznesin e ndërtimit. Në nëntor të këtij, viti krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar është zvogëluar numri i lejeve të lëshuara për ndërtim, por gjithashtu zvogëlohet edhe vlera e objekteve që duhet të ndërtohen. Konkretisht, në muajin e njëmbëdhjetë të vitit 2020, janë lëshuar 208 leje ndërtimi në të gjithë territorin e vendit, që është për 14.4% më pak se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga numri i përgjithshëm i lejeve të lëshuara për ndërtim, 112 (53.9%) janë për objekte të ndërtimit të lartë, 20 (9.6%) janë për objekte të ndërtimit të ulët dhe 36.5 % janë për objekte për rikonstruim – theksojnë nga Enti Statistikor

Vlera e parashikuar e objekteve në nëntor arriti në 31.2 milion euro, që është për 22.2% më pak krahasuar me periudhën e analizuar të vitit të kaluar. Vetëm në ndërtimin e parashikuar të banesave, u regjistrua një rënie prej madje 61.6%.

Në nëntor ishte parashikuar ndërtimi i 302 banesave, shumica prej tyre ose 91 në Rajonin e Shkupit, 50 në Rajonin verilindor, 47 në Rajonin jugperëndimor dhe 33 në Rajonin e Vardarit. Në rajonet e tjera, ishte planifikuar ndërtimi i më pak se 30 banesave.

Ndërtimi i ngadalësuar i banesave të reja, kufizimet për ndërtime në komuna të caktuara dhe rritja e shpenzimeve të ndërtimit e kanë rritur çmimin për metër katror – komentojnë njerëzit nga biznesi i ndërtimit.

Në periudhën e kaluar, ka pasur një trend të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të patundshmërive. Ka disa arsye për këtë. Një nga arsyet kryesore është rritja e çmimit të punës në këtë sektor, gjegjësisht rritja e çmimeve të shërbimeve të ndërtimit, pastaj rritja edhe e çmimeve të materialeve të ndërtimit në vitin 2020 – që është një faktor tjetër që ndikoi në rritjen e shpenzimeve të punës” – thotë Ivica Jakimovski nga Oda e Ndërtimit të Maqedonisë.

Kjo tendencë e rritjes së çmimit u regjistrua edhe nga Banka Popullore – në fund të vitit 2020 është regjistruar rritje prej 1.7%. Mirëpo jo vetëm shpenzimet, por edhe moratoriumet aktuale kanë shkaktuar “zhvendosje” në tregun e patundshmërive. Qarqet e biznesit komentojnë se çmimi për metër katror në Qendër arrin edhe deri në 1300 euro për banesë të re.

Në çmimin e banesave në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar edhe moratoriumi në territorin e komunës Qendër, gjegjësisht pamundësia për të ndërtuar, gjë që shkaktoi ndalje të punimeve të ndërtimit, e madje edhe humbje për kompani të caktuara. Ky moratorium u tregua i paligjshëm, gjë që u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Pastaj në territorin e komunës së Karposhit kishim anulime të Planeve të Detajuara Urbanistike për faj të Komunës, përsëri me vendim të Gjykatës Kushtetuese. “Të gjitha këto politika kanë ndikim në biznes, në ofertën e tregut” – thotë Jakimovski dhe shton se edhe me çmimet aktuale të patundshmërive, Maqedonia krahasuar me vendet përreth i ka çmimet më të ulëta për metër katror të hapësirës për banim.

Të dhënat nga bankat tregojnë se në nëntor, në nivel vjetor, u regjistrua rritje e kredive për banesa për 13.6%. Në fund të nëntorit, qytetarët u kishin borxh prej 930 milion eurosh bankave në bazë të kredive për banesa.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.