ANALIZË: Borxhet po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u shlyer – kreditë jofunksionale të qytetarëve me një rritje prej 21,4%!

Që nga viti 2008, kur bota po përjetonte një krizë të madhe financiare, për herë të parë në tremujorin e parë të vitit 2021, u regjistrua rritja më e madhe tremujore e kredive jofunksionale në sektorin bankar në vend. Pasiguria për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të ritmit me të cilin bëhet vaksinimi janë faktorët kryesorë që sinjalizojnë realizimin e mëtejshëm të rreziqeve kreditore ndaj të cilave janë të ekspozuara bankat. Deri në 40% të kredive të “ngrira” për shkak të krizës së koronës tani janë “jofunksionale”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Për tre muaj, gjithsej kreditë jofunksionale u rritën për 9.3 milion euro!

Në fund të marsit të këtij viti, përfundoi shtyrja e përkohshme e ripagimit të rreth 94% të kredive që ishin nën moratorium për shkak të pandemisë. Bankat e hoqën moratoriumin, por edhe pas skadimit të këtij afati – disa nga qytetarët nuk vazhduan me pagesën në kohë të kësteve të kredive. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore, që kanë të bëjnë me tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se në vetëm tre muaj bilanci i përgjithshëm i kredive jofunksionale u rrit për 4.8% ose për 9.3 milion euro. Është thelbësore që rritja e kredive jofunksionale kryesisht ka të bëjë me familjet, gjegjësisht qytetarët.

“Duke marrë parasysh pasigurinë në lidhje me kohëzgjatjen e pasojave të pandemisë së koronavirusit dhe pasigurinë pasuese në lidhje me rregullsinë e ripagimit të kredive të klientëve, si dhe faktin që periudha e mospagimit ka skaduar pothuajse për të gjitha kreditë për të cilat bankat i ndryshuan kushtet e kontratave, në periudhën e ardhshme mund të pritet rritje në realizimin e rrezikut kreditor dhe rritje e kredive jofunksionale te bankat “- theksoi BPRM-ja, duke shpjeguar se masat rregullatore të ndërmarra nga Banka Kombëtare në fushën e menaxhimit të rrezikut kreditor, kontribuan në ngadalësimin e realizimit të rrezikut kreditor, të paktën në drejtim të moskrijimit të kredive të reja jofunksionale.

Cilat janë kreditë më problematike për t’u ripaguar? Qytetarët kanë më shumë borxh në bazë të kredive banesore dhe kredive konsumatore – dhe shumica e kredive jofunksionale janë kredi konsumatore. Përkeqësim të portofolit ka edhe në kartat e kreditit. Portofoli i kredive jofunksionale i përbërë nga ekonomitë familjare u rrit për 21,4% ose për 10,3 milion euro në nivel të tremujorit.

“Rreth 80% e rritjes së kredive jofunksionale të amvisërive bie në kreditë konsumatore jofunksionale.  Kreditë e reja jofunksionale nga familjet janë kryesisht për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të kredive të një pjese të klientëve në shuma të vogla individuale, për të cilët ripagimi i kredive ishte “ngrirë” në një pjesë të vitit 2020 për shkak të krizës së koronës. Kreditë jofunksionale, ku lehtësimi ishte aprovuar më parë, mbulojnë pothuajse 40% të totalit të kredive jofunksionale të amvisërive më 31 mars 2021 dhe plotësisht e kushtëzojnë rritjen tremujore të kredive të përgjithshme jofunksionale në këtë sektor” – shpjegojnë nga BPRM-ja.

Statistikat e bankave treguan se “klientët” më problematikë janë ata që përballen me probleme financiare, gjegjësisht që kanë të ardhura mujore të paqëndrueshme dhe që janë kryesisht nga sektorët ekonomikë më të prekur.

Për dallim nga amvisëritë, në baza tremujore, kompanitë regjistruan një rënie në bilancin e kredive jofunksionale për 0,6% ose për pothuajse 900.000 euro, dhe kjo tendencë është kryesisht për shkak të shlyerjes së borxheve.

“Kreditë jofunksionale shënojnë lëvizje të ndryshme në aktivitete të caktuara ekonomike, duke përfshirë një rënie të ndjeshme te klientët nga “ndërtimtaria” dhe “industria e tekstilit”, dhe një rritje më të theksuar te “aktivitetet në lidhje me pasuritë e patundshme”, “industria kimike” dhe tregtia. Zvogëlimi i kredive jofunksionale tek aktivitetet e caktuara është si rezultat i shlyerjes së detyrueshme” – theksojnë nga BPRM-ja.

Megjithatë – kompanitë gjithashtu gjeneruan kredi të reja jofunksionale, dhe në këtë drejtim udhëheqin disa kompani më të mëdha që kanë fituar “status jofunksional”, e të cilave më parë u ishte miratuar një periudhë mospagimi për shkak të kushteve që kanë të bëjnë me KOVID-19. Kreditë jofunksionale që janë rezultat i kredive që kanë qenë nën moratorium përfshijnë 10,7% të kredive të përgjithshme të ndërmarrjeve.

Si rezultat i zhvillimeve të tilla, cilësia e portofolit të kredive të bankave, i matur përmes pjesëmarrjes së kredive jofunksionale në kreditë e përgjithshme kreditë të sektorit jo-financiar, u përkeqësua për 0,1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2021. Pas vitit 2008, kur bota dhe Maqedonia u përballën me krizën financiare globale, në tre muajt e parë të këtij viti, u regjistrua rritja më e lartë e kredive jofunksionale. Në tremujorin e parë të këtij viti, shuma e kredive që u “ristrukturuan” për shkak të krizës së Kovid-19 ishte 16,6 milion euro, ndërsa madje 65% e kredive totale të ristrukturuara ishin përqendruar në një bankë nga grupi i bankave të mëdha.  Në të njëjtën periudhë, u rrit edhe shuma e kredive të zgjatura – pothuajse 22,7 milion euro.

Bankat, në marrëveshje me qeverinë, lejuan një “ngrirje” të ripagimit të kredive për një periudhë kohe, dhe kjo ndodhi në dy raste si një masë anti-krizë që duhej ta ndihmonte sektorin privat. Situata aktuale tregon se edhe pas skadimit të kësaj mundësie, qytetarët dhe kompanitë nuk vazhduan me pagimin e rregullt të borxheve – gjë që rezultoi me rritje të kredive jofunksionale në nivelin e të gjithë sektorit bankar. Megjithatë, testet e stresit të NBRM-së e konfirmuan rezistencën e sistemit bankar ndaj goditjeve të simuluara.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.